Nxënësit e Stanocit s’e duan arsimtaren, djegin goma në shenjë revolte

  • 09 February 2016 - 12:00
Nxënësit e Stanocit s’e duan arsimtaren, djegin goma në shenjë revolte

​Nxënës të shkollës “Migjeni” në fshatin Stanoc i Epërm, komuna e Vushtrrisë, po protestojnë para oborrit të shkollës, duke djegur edhe goma me gaz, në shenjë revolte kundër ardhjes së një arsimtareje të re në këtë shkollë.

Fahrije Hyseni, arsimtare e gjuhës shqipe është emëruar në këtë pozitë nga Drejtoria e Arsimit në Vushtrri, pasi Isuf Haradinaj që kryente këtë punë ndërroi jetë javë më parë, njofton Klan Kosova.

Nxënësit e shkollës kërkojnë që në vend të Hysenit, arsimtar i tyre të jetë Visari, i biri i Isufit, po ashtu i kualifikuar për këtë punë.

Rrahim Ajeti, asambleist i AAK-së në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë ka thënë se emërimi i arsimtares është i paligjshëm, pasi është bërë pa konkurs dhe ajo nuk e ka përmbushur pushimin e lehonisë.

Në ambientet e shkollës, zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit janë duke zhvilluar një takim me drejtorin e shkollës, Behxhet Bregaj, i cili ka thënë se vendimi për emërin të arsimtares në atë pozitë është marrë nga drejtoria.

(Kosova Sot)