Indiani i varur nga rëra, ha nga një pjatë zhavorr çdo ditë

  • 10 February 2016 - 21:57
Indiani i varur nga rëra, ha nga një pjatë zhavorr çdo ditë

Një burrë indian, që pretendon se është i varur nga rëra, konsumon një pjatë të tërë të zhavorrit çdo ditë.  Hans Raj, 45-vjeçar, ka hequr dorë nga shumë ushqime normale dhe tani përtyp tulla dhe gurë, për të cilat thotë që e pajisin me energji dhe minerale. Ai fillimisht e kishte zhvilluar dëshirën për të ngrënë zhavorr kur kishte qenë në moshën 20-vjeçare dhe ishte bërë i njohur si ‘njeriu i rërës’ në shtëpinë e tij në Utar Pardesh, për shkak të shprehisë së tij të çuditshme, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

“Nuk kam pasur probleme as me stomakun, as me gojën”

Doktorët thonë që ai mund të jetë duke vuajtur nga ‘Pica’, një çrregullim impulsiv në të ushqyer, që nuk mund të trajtohet, i cili bën që të prekurit të zhvillojnë apetit për gjësende që nuk hahen dhe nuk kanë vlera ushqyese. ‘Pica’ mund të shkaktojë një sërë komplikimesh serioze nëse personit i zhvillohet dëshira për të ngrënë gjëra helmuese apo gjëra që nuk mund të treten. Megjithatë, zotëri Raj pretendon që ai asnjëherë nuk ka pasur komplikime shëndetësore nga dieta e tij e çuditshme. Ai ka thënë: “Kam ngrënë tulla e gurë për rreth 25 vjet. Më pëlqen t’i ha. Nuk mendoj që kanë pasur ndonjë ndikim të dëmshëm në shëndetin tim. Kam filluar në moshë të re dhe tani gjithçka më duket normale. Sipas meje, mineralet në rërë më japin energji. Nuk kam pasur probleme as me stomakun as me gojën. Dhëmbët i kam krejtësisht në rregull. Mund t’i kafshoj edhe gurët më të fortë pa asnjë problem”, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Të prekurit nga ky çrregullim shpeshherë pësojnë dëmtime të mëdha të dhëmbëve

‘Pica’ më së shpeshti i prek personat me probleme në të mësuar dhe gratë shtatzëna dhe mund të shkaktojë një sërë komplikimesh, përfshirë këtu edhe helmim nga përbërësit toksikë dhe bllokim të trupit. Të prekurit nga ky çrregullim shpeshherë pësojnë dëmtime të mëdha të dhëmbëve, e disa të tjerë edhe bllokim të disa organeve të brendshme të trupit, me këtë të dytën që është më e zakonshme për personat që janë të varur nga konsumimi i qimeve. Ky çrregullim mund të shkaktojë mbipeshë, nëse personat hanë ushqime me më shumë kalori, apo edhe rënie drastike në peshë, nëse pacientët, në vend të ushqimeve të zakonshme, hanë gjësende pa vlera ushqyese. Zotëri Raj, që jeton në një fshat të vogël, thotë që njihet për faktin që udhëton nga fshati në fshat për të mbledhur rërë, zhavorr dhe copëza tullash, të cilat i ruan në shtëpinë e tij.

(Kosova Sot)