SHBA-të, objektivi i ISIS-it për 2016-n

  • 11 February 2016 - 08:34
SHBA-të, objektivi i ISIS-it për 2016-n

Gjatë këtij viti, Shteti Islamik do të tentojë të kryejë sulme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu kanë deklaruar zyrtarët më të lartë të Inteligjencës amerikane. Ata kanë shtuar se ky grup terrorist po inflirton njerëzit e tij mes refugjatëve që largohen nga Siria dhe Iraku.

Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, Lejtnant Gjeneral Vincent Stewart, tha se Shteti Islamik do të tentojë bëjë sulme në Europë, ku gjeografikisht e ka më të lehtë të mbërrijë, por gjithashtu edhe në SHBA gjatë 2016-s.

Edhe drejtori i Inteligjencës Kombëtare, James Clapper tha se ekstremistët e dhunshëm janë aktivë në 40 vende dhe aktualisht ka më shumë territore të sigurta për ta se kurrë më parë në histori.

Clapper paralajmëroi se Shteti Islamik dhe 8 degët e tij janë kërcënimi kryesor terrorist dhe ata po përdorin eksodin e refugjatëve që të fshehin njerëzit e tyre mes turmave për të mbërritur në vende të tjera.

Sipas BBC-së, Agjencitë e Inteligjencës amerikane thanë se Shteti Islamik ka marrë kontrollin e zyrave shtetërore në Siri, ku prodhohen pasaporta dhe kanë në duar teknologjinë e nevojshme për t’i printuar ato për njerëzit e tij.

Zyrtarë amerikanë thanë se thuajse 60 persona që kishin lidhje me Shtetin Islamik u arrestuan në SHBA gjatë 2015-s, diçka që nënvizon qartësisht kërcënimin që përbën ky grup terrorist.

(Kosova Sot)