Vazhdon edhe sot seanca për Grupin e Kumanovës

  • 11 February 2016 - 09:11
Vazhdon edhe sot seanca për Grupin e Kumanovës

Anëtarët e Grupit të Kumanovës do të paraqiten edhe sot (e enjte) në Gjykatën Themelore – Shkupi 1, duke shkuar kështu numri i seancave në tre sosh.

Gjykata dëshiron që në mënyrë të shpejtë të udhëheq rastin ‘Lagja e Trimave’ për të cilin akuzohen 29 persona. Deri në fund të marsit janë caktuar nëntë seanca.

Derisa seanca e parë është mbajtur më 7 dhjetor të vitit të kaluar, anëtarët e Grupit të Kumanovës kishin deklaruar se janë të pafajshëm për aktakuzën e ngritur.

Ata kishin deklaruar se nuk ndjehen fajtor për veprën penale që janë të ngarkuar "terrorizëm" dhe nuk kanë parë ndonjë dëshmi për atë që fajësohen.

Seanca e dytë për Grupin e Kumanovës ishte mbajtur dje (e martë), në të cilën prokurori Naum Panovski ka deklaraur se shteti ka materiale dhe dëshmi të mjaftueshme për të treguar se ky grup i përfshirë në luftimet në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ka vepruar si organizatë terroriste, e cila ka qenë e ndarë në tre grupe - në organizatorët, logjistika dhe zbatuesit, raporton Telegrafi.

Ndërkohë, avokati Naim Shasivari deklaroi dje se të akuzuarit nuk kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe mentale për ta përcjellur procesin gjyqësor dhe ka kërkuar që të njejtit të kenë trajtim shtesë shëndetësor dhe kontrollim psiqik, kërkesë kjo e cila u hodh poshtë nga këshilli gjyqësor, me arsyetim se nuk ka patur asnjë njoftim për përkeqësim eventual të shëndetit të të akuzuarve.

Ndryshe, me 9 maj të vitit 2015, në betejën e zhvilluar në mes anëtarëve të Grupit të Kumanovës dhe policisë maqedonase, kanë mbetur të vrarë 10 prej anëtarëve të këtij grupi, derisa një prej tyre ka arritur që të ikë nga vendi i ngjarjes dhe 28 tjerë janë dorëzuar. Në këtë betejë kanë mbetur të vdekur tetë policë maqedonas.

Telegrafi mëson se në seancën e nesërme gjyqësore për Grupin e Kumanovës, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadës së Kosovës në Shkup.

(Kosova Sot)