Nesër ose pasnesër, seanca për zgjedhjen e Presidentit?

  • 11 February 2016 - 16:09
Nesër ose pasnesër, seanca për zgjedhjen e Presidentit?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, nesër ose pasnesër mund të provojë të zgjidhet president i vendit.

Sipas burimeve të gazetës Blic, koalicioni është duke i bërë përgatitjet e fundit që të krijohen kushtet për zgjedhjen e Hashim Thaçit në krye të shtetit.

“Salla e Bufesë në Kuvendin e Kosovës është duke u përgatitur. Sot gjatë tërë ditës janë bërë përgatitje të shumta për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e Hashim Thaçit president. Edhe një numër i madh i policëve të Kosovës janë lart në këtë sallë”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, zyrtarisht askush nga Kuvendi i Kosovës nuk ka dashur që ta komentojë për mundësinë e mbajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Përkundër kësaj, burime brenda PDK-së kanë thënë se pritet që të thirret një seancë e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Hashim Thaçit për kryetar të shtetit.

“Duke parë që opozita do ta bllokojë seancën për zgjedhjen e presidentit, nuk përjashtohet mundësia që seanca të mbahet në një sallë tjetër”, ka thënë ky burim.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kishte takime të shumta me ambasadorët e vendeve të Kuintit, ku tema kryesore ka qenë zgjedhja e Presidentit të ri. Veseli ka premtuar për një proces tansparent dhe kushtetues të zgjedhjes së presidentit.

Ndryshe, një kandidat për president mund të zgjidhet, nëse në dy raundet e para i merr 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

Mirëpo, nëse ai këtë shumicë nuk e arrin, atëherë në raundin e tretë, kandidati mund të zgjidhet president me 50+ 1 për qind, apo me 61 vota. 

(Kosova Sot)