Haradinaj: Zgjedhjet, ofertë për dalje nga kriza e jo dëshirë për pushtet

  • 11 February 2016 - 17:52
Haradinaj: Zgjedhjet, ofertë për dalje nga kriza e jo dëshirë për pushtet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se propozimi i tij për zgjedhje të parakoheshme është gabim të keqkuptohet si dëshirë për pushtet.

Sipas tij, ky propozim është ofertë politike për të dalë vendi nga kriza e jo qëllim në vetvete për zgjedhjet.

Ai këto deklarata i ka bërë derisa gjatë ditës është takuar me strukturat e AAK-së në Istog, në Klinë dhe në Pejë.

Në të tri takimet është folur për proceset që po kalon Kosova dhe për përgjegjësinë e qeverisë për krizën politike institucionale në vend.

Haradinaj ka thënë se është degjeneruar qeverisja, është shkelur kushtetuta, është rritur korrupsioni e sipas tij partitë në pushtet kanë kapur të gjitha strukturat dhe bordet, transmeton Klan Kosova.

Sipas kreut të AAK-së, përgjigja më e mirë ndaj të gjithë shkelësve, do të ishte që populli me votën e vet të përfshihej në zgjidhjen e kësaj krize.