Rasti i Kumanovës plotë mister e dhunë

  • 13 February 2016 - 16:02
Rasti i Kumanovës plotë mister e dhunë

Gjatë seancave të fundit gjyqësore në lidhje me konfliktin e armatosur në Kumanovë, ku po gjykohen 29 shqiptarë të ngarkuar me veprën penale për organizim terrorist, është ngritur dyshimi se 5 shqiptarë nga ky grup janë ekzekutuar pasi u dorëzuan para autoriteteve në Maqedoni.

Kryetari iKëshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala deklaroi se menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Kumanovë KMLDNJ ka ngritur dyshimin se së paku dy shqiptarë që kanë qenë pjesë e grupit të armatosur janë ekzekutuar pasi janë dorëzuar pranë autoriteteve maqedonase.

Mirëpo, në lidhje me dyshimet e fundit se 5 shqiptarë nga grupi i armatosur në rastin Kumanova, janë ekzekutuar pasi janë dorëzuar në policinë maqedonase, Shala konsideron se për të pasur një pasqyrë të saktë të asaj se çfarë ka ndodhur duhet të bëhet një hetim ndërkombëtar i pavarur nga organizatat për të drejtat e njeriut, siç është Amnesty International apo edhe nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Shala ka komentuar edhe obduksionet e trupave të të vrarëve të bëra në Maqedoni dhe Kosovë, duke thënë se mos publikimi i rezultateve të këtyre obduksioneve, apo dorëzimi te familjarët e të vrarëve, përbënë shkelje të të drejtave të njeriut, duke e bërë procesin edhe më misterioz.

“Pala kosovare e cila ka bërë një obduksion nuk ka dal me një raport të obduksionit, së paku nuk ka dal me një raport publik. Ata mund t’ia kenë dorëzuar një raport prokurorisë apo organeve të sigurisë, mirëpo nuk e kanë bërë publik dhe nuk ia kanë dorëzuar familjeve të të vrarëve... Në qoftë se do të bëhej një raporti i obduksionit korrekt, atëherë do të largoheshin dilemat nëse dikush është vra gjatë luftimeve apo pasi është dorëzuar. Duket se ka këtu shkelje dhe për këtë arsye ka pasur hezitime edhe për raportin, sikur që krejt ky proces është i mbështjellur me një vello misterioze dhe ku gjërat nuk po qartësohen. Thjeshtë është krijuar një perde tymi e cila ende po mban situatën të paqartë”, tha Shala.

Ai deklaroi se KLMDNJ ka bërë përpjekje që t’i vizitojë të burgosurit e rastit Kumanova duke i plotësuar të gjithë kërkesat që i ka kërkuar pala maqedonase, por sipas tij nuk u është lejuar një gjë e tillë.

Në lidhje me mbajtjen në burg të shqiptarëve të arrestuar dhe trajtimin e tyre, Shala tha se ndaj tyre është ushtruar dhunë të cilën ai e quan të tmerrshme.

“Sipas burimeve që ne i kemi nga familjarët, por edhe nga të arrestuarit dhe nga avokatët e tyre, duket se ndaj tyre është ushtruar një dhunë e tmerrshme , e cila ka mbet e pandëshkuar . Kjo ndoshta ndikon edhe në gjykimin e tyre, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të llogaritet se është një gjykim i drejtë, i pa anshëm , ku të dyshuarit kanë të drejtë të paraqesin mbrojtje apo të dëshmojnë pafajësinë e tyre”, tha Shala.

Derisa tërë procesin e gjykimit të shqiptarëve në këtë rast e konsideroi proces nën ndikim e politikës, Behxhet Shala kërkoi që të bëhet më shumë nga ana kosovare për të arrestuarit të cilët janë shtetas nga Kosova, duke thënë se procesi është mbështjellë me mister si nga ana maqedonase ashtu edhe nga ana kosovare.
Se në Prishtinë është bërë një obduksion i trupave të shqiptarëve nga Kosova të vrarë në Kumanovë, për mes telefonit për KosovaPress e konfirmoi edhe prokurori i rastit Ali Rexha. Sipas prokurorit nga Prishtina, ky obduksion është bërë me kërkesën e familjarëve të të vrarëve, pa dashur të shtojë më shumë rreth këtij rasti apo rezultatit të obduksionit me arsyetimin se kompetent për këtë është eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu, i cili ka bërë ekspertizën e trupave.

Mirëpo, Gërxhaliu edhe pse është kontaktuar nuk është treguar i gatshëm për t’u deklaruar lidhur me këtë çështje, njofton KP.

Në mënyrë që ta bëhet më i qartë rasti Kumanova ku janë të përfshirë edhe shtetas kosovar, dje në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, anëtari i saj, Xhavit Haliti tha se ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni në muajin mars do të raportojë para anëtarëve të këtij komisioni për këtë rast.

(Kosova Sot)