Sa thjesht është të marrësh jetë në Shqipëri: Flet shqiptari që vriste për pagesë!

  • 13 February 2016 - 22:12
Sa thjesht është të marrësh jetë në Shqipëri: Flet shqiptari që vriste për pagesë!

“Një ditë në muajin maj 2014 kam shkuar në Tiranë dhe kam takuar Elsonin. Ai më ka thënë se kishte një porosi nga Admir Tafilaj për të vrarë një person në Shkodër dhe më pyeti nëse isha dakord që ta vrisja unë. Ai më tha se ishte një vrasje ku paguheshin pak lekë, por ishte vrasje e thjeshtë që do bëhej në këmbë dhe jo me makina apo motorë. Më tha që të mos e vrisja mendjen për armë apo për lekë. Pasi u përshëndetëm, ai më dha një çantë të zezë shpine dhe disa lekë dhe më tha se ishin porosi e Admirit. Aty kam hapur çantën dhe kam parë që brenda kishte një arme pistoletë “Zastava”, me fishekë 7.65 mm, të cilët nuk ishin të vendosur në krëhër. Kishte dhe një silenciator që ia kam montuar në shtëpi”.

Ky është rrëfimi i Kristi Pines, i dyshuar si vrasës me pagesë e po ashtu i penduar i drejtësisë. Ai tregon sesa thjesht është të vrasësh sot me pagesë në Shqipëri. Pine përfundoi në gjykatë së bashku me 12 persona të tjerë për vrasjen me paramendim të shtetasit Ibrahim Mani, një ekzekutim i kryer për hakmarrje dhe i porositur përmes të dënuarit me burg të përjetshëm Admir Tafilaj.

Kjo vrasje, sipas dëshmitarit të mbrojtur, është kryer për nder ndaj Admir Tafilajt, të cilin e kishte takuar më herët në burg dhe jo për shpërblim. Por prokuroria radhit edhe një sërë akuzash të tjera. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda kanë përfunduar gjithashtu Tafilaj, i cili dyshohet si kreu i grupit të strukturuar kriminal, dhe pikë lidhje ishte kunati i tij Elson Merdani, i cili i merrte porositë dhe i përcillte tek pjesa tjetër e bandës, të cilët siguronin më pas shërbime, nga blerja e armëve e deri tek tërheqja e këmbëzës që vriste.

Dritan Peksani, Alfred Qefalia, Ardian Uzuni, Klajdi Shermadhi, Aleksandër Gora, Albano Beqiraj, Dhimitër Zito, Kalem Hyka dhe Besnik Daci janë anëtarët që Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se janë bashkëpunëtorët e Tafilajt. Prokuroria thotë për shembull se Kristi Pines i janë premtuar 15 mijë euro për të vrarë edhe shtetasin Edmond Çakmashi, i njohur me nofkën Çako, njofton TCH.

Në bashkëpunim me të pandehurin Alfred Qefalia, Pine ka qëlluar ndaj tij por nuk e ka vrarë, ndërkohë që të nesërmen kanë takuar porositësin e ekzekutimit, nje pronar lokali në Tiranë, i cili u ka kërkuar llogari me shprehjen “përse nuk e mbaruat”.

Të pandehurit, thotë Prokuroria, në bashkëpunim me Aleksandër Gorën e Admir Tafilin, si edhe një tjetër shtetas në Durrës kanë tentuar të vrasin biznesmenin Leonard Murati, punë për të cilën janë premtuar 50 mijë euro. Për sigurimin e mjeteve për vrasje, Pine ka marrë 3 mijë euro, ndërsa Admir Tafilajt i janë paguar 25 mijë euro. Një biznes i vërtetë jetësh njerëzore, në shkëmbim të parave.

(Kosova Sot)