Një 44 vjeçar u vra nga grabitësi i një lokali në Sarandë

  • 13 February 2016 - 23:10
Një 44 vjeçar u vra nga grabitësi i një lokali në Sarandë

Një 44-vjeçar mbeti i vrarë me armë zjarri gjatë një grabitjeje të një lokali në fshatin Shkallë të Sarandës. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm.

Pronari i lokalit me iniciale A.B. ka vënë re se dikush ishte futur në lokalin e tij ngjitur me shtëpinë dhe për këtë ka lajmëruar fqinjin.

Sipas policisë në momentin kur shtetasi Pajtim Shehu po shkonte për ndihmë, personi i paidentifikuar ka qenë duke u larguar nga lokali ku kishte marrë rreth 10 mijë lekë të rinj. Duke dalë nga ana e pasme e lokalit ka qëlluar me armë zjarri Shehun duke e lënë të vdekur ne vend.

Autori i ngjarjes është larguar menjëherë pas kryerjes së krimit, njofton  tvklan.al.

Policia e Sarandës thotë se është ngritur një grup i posaçëm hetimor, si dhe janë ngritur postoblloqe për kapjen e autorit.

Deri tani, policia ka shoqëruar 19 persona (si të dyshuarit kryesorë në atë zonë) si dhe është bllokuar një automjet i cili mendohet se mund të ketë lidhje me autorin dhe ngjarjen.

Strukturat e Policisë, specialiste kriminalistikë dhe të krimeve të rënda të Policisë Vlorë, janë duke punuar për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.

(Kosova Sot)