Marshi kundër padrejtësive dhe dhunës

  • 14 February 2016 - 09:07
Marshi kundër padrejtësive dhe dhunës

Kosova edhe këtë vit i bashkohet fushatës “Një Miliardë në Këmbë”, ku në më shumë se 190 vende të botës, qytetarët dalin në rrugë dhe përmes vallëzimit shprehën zemërimin e tyre kundër padrejtësive dhe dhunës, si dhe dëshmojnë fuqinë e solidaritetit dhe aksioneve të përbashkëta botërore.

Sipas statistikave botërore, një në tri gra në planet, dhunohet apo përjeton dhunë në familje gjatë jetës së saj, që do të thotë një miliardë gra. Statistikat e raporteve hulumtuese nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës tregojnë se në Kosovë, 48.5% e qytetarëve kanë përjetuar ndonjë formë të ngacmimit seksual, prej tyre 64.1% gra dhe vajza, ndërsa 35.4% burra dhe djem. Në anën tjetër, 62 % e kosovarëve kanë përjetuar dhunë në familje gjatë jetës së tyre, prej tyre 68% gra dhe vajza, ndërsa 56% burra dhe djem.

Që nga 14 shkurti i vitit 2013, një miliard gra dhe burra në gjithë botën, përmes fushatës One Billion Rising (Një Miliard në Këmbë) dolën në rrugë dhe përmes vallëzimit shprehën zemërimin e tyre kundër padrejtësive dhe dhunës, si dhe dëshmuan fuqinë e solidaritetit dhe aksioneve të përbashkëta botërore.

Sipas një njoftimi të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës – RrGGK, Kosova iu bashkangjit kësaj fushate që nga fillimi.

“Edhe sivjet do të ketë organizim, duke filluar me marshin fillon sot në ora 12:00, para Teatrit Kombëtar drejt Sheshit Zahir Pajaziti e përcjellur me vallëzimin tradicional dhe me një performacë artistike “Mos Hesht” që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për të raportuar ngacmimin seksual.

Kjo fushatë në Kosovë organizohet nga një koalicion organizatash: Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, Artpolis dhe Girls Coding Kosova”, thuhet në njoftim.

(Kosova  Sot)