Qeveria e sheh Akademinë e Drejtësisë si kontribuues buxhetor

  • 28 April 2016 - 07:57
Qeveria e sheh Akademinë e Drejtësisë si kontribuues buxhetor

Institucioni duhet të shërbejë për ngritjen e fuqishme profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë sot para vetes diskutimin dhe miratimin në lexim të parë të ligjit, hyrja në fuqi e të cilit shuan funksionimin e deritanishëm të institutit gjyqësor të Kosovës, një institucion që është marrë me trajnime sistematike të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës, por që, në fakt, rezultatet e kësaj punë lënë shumë për të dëshiruar. Ligji që del sot para deputetëve ka për qëllim ngritjen e nivelit të këtyre trajnimeve të deritanishme, duke krijuar një institucion të ri me thirrje akademike, që e kanë edhe shumë vende të zhvilluara evropiane me sisteme më të avancuara të sundimit të ligjit.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë të kësaj fushe ndajnë mendime të ndryshme sa u përket përmbytjes dhe efektshmërisë së këtij ligji, përmes të cilit bëhet transformimi i një institucioni ekzistues për trajnimin e strukturave të sistemit të drejtësisë. Dren Ajeti, nga grupi për studime juridike dhe politike, e sheh si avancim pozitiv miratimin e këtij ligji, i cili do të bëjë Kosovën me Akademinë e saj të parë të drejtësisë. "Akademitë e drejtësisë janë të njohura në gjithë Evropën si institucione për trajnim dhe avancim të mëtejmë të gjyqtarëve dhe prokurorëve", tha Ajeti për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se deri më tani trajnimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është bërë nga Instituti Gjyqësor i Kosovës, derisa tani Akademia, sipas nenit 27.2 të projektligjit, do ta trashëgojë këtë institucion dhe punonjësit e Institutit do të barten tek Akademia,shkruan sot gazeta ''Kosova Sot''.

"Projektligji në fjalë u jep një autonomi të madhe Këshillit Programor dhe atij drejtues për përcaktimin e temave dhe fushave të trajnimit. Kjo është në rregull, ngase trajnimet duhet t`i përshtaten nevojës së gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit akademik. Ndër detyrat e shumta, Akademia duhet që përmes trajnimeve të ndikojë në ngritjen e një praktike gjyqësore të mirëfilltë. Sot qytetarët po përballen pikërisht me këtë problem: në mungesë të publikimit dhe respektimit të vendimeve të Gjykatës Supreme për raste të njëjta apo të ngjashme, gjykatat vendosin ndryshe. Kjo krijon pasiguri juridike tek qytetarët dhe njëherësh paraqet një goditje për rendin ligjor", tha Ajeti për "Kosova Sot" 

Përzierja e kompetencave me Odat

Ajeti vlerëson se, pavarësisht faktit që Ministria e Drejtësisë është munduar që ligjin ta përshtatë me standardet e vendeve të tjera të BE-së, deri në leximin e dytë ka mjaft hapësirë të ndërhyrjes që ai të jetë një ligj sa më i mirë në funksion të qëllimit për të cilin duhet të shërbejë gjatë zbatimit praktik."Ndonëse projektligji në fjalë i respekton standardet më të mira evropiane, disa gjëra mund të bëhen më mirë. Akademisë, përveç ndarjes së buxhetit nga shteti, duhet t`i mundësohet që të ardhurat e krijuara nga ajo t`i kthehen asaj dhe jo të derdhen në buxhetin shtetëror.

Po ashtu, Akademia duhet të pasqyrojë edhe standardin kushtetues të përfshirjes së minoriteteve në Këshillin Drejtues. E udhës do të ishte që në Këshillin Drejtues të jenë të përfaqë- suar edhe stafi administrativ i gjykatave dhe Prokurorisë shtetërore, ngase Akademia me trajnime u drejtohet edhe atyre dhe askush nuk i njeh nevojat për fushat ku duhet të trajnohen më mirë sesa vetë ata", u shpreh më tej ai. "Në projektligj po ashtu thuhet se Akademia mund të ofrojë trajnime edhe për profesionet tjera si noterët, avokatët, përmbaruesit etj. Mirëpo, duhet ditur që këto profesione kanë odat e tyre të themeluara me ligj dhe që janë të thirrur për trajnim të anëtareve të tyre. Prandaj, në këtë drejtim Akademia kosovare e Drejtësisë duhet të ndjekë standardin e shumicës së vendeve evropiane, që të përqendrohet vetëm të trajnimet e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ të tyre", tha Dren Ajeti për "Kosova Sot"

Krahasimi me Akademinë Policore

Eksperti i fushës së legjislacionit, Blerim Burjani, thotë se Kosova është vendi i vetëm që akoma nuk e ka krijuar një institucion të tillë të përgatitjes akademike të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. "Miratimi i këtij ligji të ri do të duhej të siguronte një hap të madh në qasjen drejt reformimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Instituti Gjyqësor i Kosovës nuk do të funksionojë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por të gjitha trajnimet dhe avancimet e kësaj fushe kalojnë në kompetenca të Akademisë. Ky institucion i lartë i drejtësisë, që praktikohet në të gjitha vendet e zhvilluara, tash e tutje do të duhej të merret intensivisht dhe sistematikisht me përgatitjen e përqendruar të kuadrit profesional, edukimin e vazhdueshëm dhe trajnimin e tyre.

Pra, qëllimi duhet të jetë ku, nëse vërtetë Kosova dëshiron që ta ketë një Akademi të Drejtësisë sikur që e kanë edhe vendet e tjera, por kjo akademi duhet të formohet me kusht që të ketë një program të barasvlershëm me Akademinë Policore të Kosovës, e që aktualisht është duke funksionuar mjaft mirë dhe po jep rezultate, sepse Policia e Kosovës vazhdimisht po cilësohet si një nga institucionet më të besueshme edhe për qytetarët e Kosovës", tha ai. "Akademia e Drejtësisë, nëse ndërtohet me qëllim të dhënies së rezultateve të ngjashme në ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, atëherë nuk duhet fare të futemi në një improvizim vetëm sa për sy e faqe", tha Burjani për "Kosova Sot"

Kritika për Institutin Gjyqësor

Shumë skeptik në arritjen e rezultateve më të mira në përgatitjen e kuadrove me këtë sistem të ri është profesori i së drejtës, Riza Smaka. Ai thotë se fillimisht Instituti Gjyqësor nuk ka dhënë ndonjë efekt pozitiv, e këtë nuk do ta bëjë as transformimi në Akademi, por për më tepër do të ketë vetëm ngarkesë në administratë, e cila shtetit të Kosovës do t'i ngarkohet me kosto të panevojshme buxhetore, derisa trajnimet adekuate kanë mundur të lihen në kuadër të Universitetit - Fakultetit Juridik. "Fjala është për një institucion, i cili vetëm sa do t'i kushtojë buxhetit të shtetit dhe kjo pa asnjë nevojë. Në kuadër të kësaj akademie do të trajnohen, do farë trajnimesh, u thënçin trajnime, dhe asgjë prej gjëje nga ato nuk do të ketë, asgjë praktike dhe asgjë aplikative nuk do të ketë nga ato trajnime", theksoi ai.

"Unë nuk e di sa do të jetë meritor dhe kompetent ky lloj trajnimi, njësoj sikur ishte në institut, derisa e kemi Fakultetin Juridik ku studiohet me themel teoria dhe praktika, e që ai fakultet do të mundë të organizonte, sipas nevojës edhe trajnimet e vazhdueshme të kësaj fushe, në rast se do të kishte nevojë për të tilla', tha prof. Smaka për "Kosova Sot".

Kushtet e trajnimit

institucion janë të specifikuara hollë- sisht në kapitullin e tretë, në nenin 19. Sipas këtij neni, parashihet që Akademia të organizojë trajnim fillestar për aftësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shtetit të sapoemëruar. Trajnimi fillestar do të zgjasë dymbëdhjetë muaj dhe përbëhet nga pjesa teorike dhe praktike nën udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e mentorit. Kohëzgjatja dhe mënyra e implementimit të trajnimit akademik dhe praktik përcaktohet me rregullore nga Këshilli Drejtues.

Po në këtë nen parashihet që pas përfundimit të trajnimit fillestar gjyqtarët dhe prokurorët do t'i nënshtrohen vlerësimit në pajtim me dispozitat përkatëse të legjislacionit në fuqi, me asistencë të Akademisë. "Me kërkesë të specifikuar të KGJK-së dhe KPK-së, Akademia do të organizojë trajnime shtesë për gjyqtarët dhe prokurorët me performancë jo të kënaqshme", thuhet aty. Neni pasues i projektligjit, neni 20, flet për modulin e trajnimit të vazhdueshëm të prokurorëve dhe të gjykatësve, si formë e ngritjes së tyre akademike.

"Me qëllim të zhvillimit të vazhdueshëm dhe avancimit të shkathtësive dhe ekspertizës së duhur profesionale dhe interdisiplinare, gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ dhe prokurorial marrin pjesë në trajnimet e vazhdueshme. Akademia publikon në uebfaqe programin vjetor të trajnimit për vitin e ardhshëm më së voni deri më 1 dhjetor të vitit aktual. Këshilli Programor vazhdimisht e rifreskon programin trajnues ashtu siç e konsideron të nevojshëm, duke marrë parasysh kërkesat e institucioneve përkatëse. Pjesëmarrësve në trajnime të përhershme, pas përfundimit të trajnimit, u lëshohet certifikatë", thuhet aty. 
 

(Kosova Sot)