Mbyllja e listave, varrosje e demokracisë

  • 29 April 2016 - 07:51
Mbyllja e listave, varrosje e demokracisë

PDK-ja dhe LDK-ja planifikojnë konsolidimin e lidershipit autoritar

Zërat e pushtetit paralajmërojnë përkeqësim të sistemit zgjedhor

Ekspertët e kësaj fushe dhe përfaqësues të shoqërisë civile po e shohin rikthimin e listave të mbyllura si një rrezik serioz për demokracinë e re kosovare, si një përpjekje e politikës së kriminalizuar, që në emër të parandalimit të abuzimit të votës të sjellë në Parlament vetëm servilët e liderit politik, të konsumuarit e deritanishëm në pushtet dhe politikë

Dy subjektet politike qeveritare, LDK-ja dhe PDK-ja, respektivisht krerët e tyre, kryeministri Mustafa dhe ish-kreu i deridjeshëm i PDK-së, Hashim Thaçi, tani në cilësinë e presidentit të vendit, ndonëse kanë filluar ta përmendin vazhdimin e reformës zgjedhore të dështuar në mandatin e kaluar, akoma një nismë serioze nuk e kanë shpalosur për veprime konkrete. Mirëpo, ajo që pritet të ndodhë si iniciativë e re nga të dyja palët është propozimi që po shkruhet në letër për mbylljen e listave zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme, kthim në pikën zero të demokracisë së re kosovare për interesat e ruajtjes së oligarkisë kriminale në pushtet nga të dy subjektet qeveritare.

Nëse ndodh kështu, kjo do të jetë në dëm dhe me qëllim të varrosjes së demokracisë së drejtpërdrejtë, me të cilën qytetarët mund të sjellin ndryshime në shoqëri dhe institucione. Këtë opsion që po diskutohet brenda partnerëve të koalicionit qeverisës e ka bërë publik para pak ditësh vetë këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adri Nurellari, i cili ka thënë për mediet e Kosovës se duhet të mbyllen listat zgjedhore, meqë, sipas tij, me këtë proces do të ndaleshin në mënyrën më efikase abuzimi dhe blerja e votës.

Qytetarëve u pamundësohet vlerësimi për përfaqësuesit 

Ekspertët e kësaj fushe dhe përfaqësues të shoqërisë civile po e shohin rikthimin e listave të mbyllura si një rrezik serioz për demokracinë e re kosovare, si një përpjekje e politikës së kriminalizuar që në emër të parandalimit të abuzimit të votës të sjellë në Parlament vetëm servilët e liderit politik, të konsumuarit ë deritanishëm në pushtet dhe politikë. Kështu do të pamundësoheshin vlerësimi dhe gjykimi i qytetarëve për secilin individ, arritjet dhe meritat e tij të deritanishme në politikë.

Profesori i së drejtës,Muhamet Kelmendi, tha për "Kosova Sot" se ky para-projekt i partive politike dëmton substancialisht demokracinë e re dhe të brishtë kosovare, madje është dhe veprim kundërkushtetues. "Demokracia e drejtpërdrejtë kërkon që çdo kandidat të jetë pjesë e votimit jashtë radhitjes së listës zgjedhore. Me këtë kuptohet fakti se kjo është formë për të ikur nga ndikimi i listës së mbyllur, ku në atë radhitje dëmtohet ashpër demokracia, sepse kandidatët përcaktohen nga partia, respektivisht nga udhëheqësi, në radhitje. Me këtë shkojnë vetëm kandidatët e preferuar. Kjo nuk është demokratike, është e kundërta. Pra, me atë formë krijohen grupe të deputetëve, të cilët i nënshtrohen subjektit politik e jo vullnetit të vetë dhe të zgjedhëseve. Ndërsa, në Kushtetutën e Kosovës shprehimisht theksohet pavarësia e deputetit në vendosje, realizohet duke mos iu nënshtruar asnjë mandati jashtë votueseve dhe mendimit të vet të krijuar. Futja në veprim e listës së mbyllur do të jetë ataku më i ashpër ndaj demokracisë", tha prof.

Kelmendi për "Kosova Sot". "Kjo për faktin se deputetët varen kryesisht nga udhëheqja partiake, duke i dhënë mundësi kryetarit të vendosë hierarkinë personale në listë përmes kësaj edhe ndaj deputetëve", theksoi ai...(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)