Aksioni i EULEX-it, për shpëtimin e treshes Thaçi-Veseli-Mustafa

  • 29 April 2016 - 08:04
Aksioni i EULEX-it, për shpëtimin e treshes Thaçi-Veseli-Mustafa

A e kanë seriozisht organet e drejtësisë luftimin e krimit?!

Për të qenë bindës, duhet të zbardhen të gjitha krimet mafioze

" Spektakli në fjalë bëhet për t'i shpëtuar Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Kadri Veselin, autoriteti i të cilëve, bashkë me institucionet përkatëse, është lëkundur dhe ka rënë në pikën më të ulët të të gjitha vlerësimeve", tha analisti Shefqet Dibrani

Skandali 30 milionësh i pronave, që doli në shesh para dy ditëve, kur Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës ndërmorën një aksion të gjerë policor, me ç'rast bastisën shumë lokacione, teksa arrestuan 6 persona si të dyshuar për krim të organizuar dhe vepra të tjera penale, kurse lista e personave të dyshuar për këto vepra penale është shumë e gjerë, e në mesin saj është edhe ish- kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, derisa këtij grupi, sipas Prokurorisë, dyshohet se i printe ish- deputeti Azem Syla, krijon dilemën se a mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në këso lidhjesh ndërmjet njerëzve të politikës në njërën anë dhe atyre të drejtë- sisë në tjetrën.

Se a do të zbardhet lista e emrave nga drejtësia që kanë ndihmuar kësisoj të korruptuarit dhe kapot e krimit në politikë, për qëllime të ndërsjella kriminale, flasin njohësit e kësaj fushe. Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se mënyra e bastisjes së shtëpisë së Azem Sylës është për t'u shqetësuar edhe më shumë për faktin se kjo bastisje u realizua në ditën kur ai nuk ndodhej në shtëpi, por as në Kosovë. Shqetësues, sipas tij, është edhe fakti se një ish- kryetar gjykate, Nuhi Uka, dyshohet se paska qenë i involvuar në këtë krim të organizuar. Tërë këto veprime nga organet e drejtë- sisë, ai thotë se më shumë i ngjasonte një spektakli të orkestruar mediatik dhe që i shërben kësisoj konsumit të brendshëm politik, derisa ato i ka quajtur si përpjekje për t'ia ndrequr autoritetin e rrënuar jo vetëm institucioneve, por sidomos, siç tha, 'TROJKËS' kryesore të vendit.

"Pra, spektakli në fjalë bëhet për t'i shpëtuar Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Kadri Veselin, autoriteti i të cilëve, bashkë me institucionet përkatëse, është lëkundur dhe ka rënë në pikën më të ulët të të gjitha vlerësimeve", tha ai.

Drejtësia të mos ndalet në një rast

Dibrani ka nënvizuar se ky spektakël mediatik shton edhe më tej dyshimet se lufta kundër krimit ende nuk ka nisur ashtu siç duhej të fillonte, pa bujë e pa potere, prandaj këtu thotë se shqetësimet duhen të shtohen edhe më shumë, pasi në sistemin e drejtësisë, por edhe në atë të sigurisë së shtetit ka njerëz të involvuar në krimet mafioze, të cilët e kanë vënë në buzë gremine jetën dhe ekzistencën në Kosovë. Dibrani në këtë drejtim ka shtuar se kur të zbulohen krimet e tjera, qofshin ekonomike apo edhe ato politike, duket se rasti i Azem Sylës dhe grupit të tij prej 51 vetash, do të mbetet veçse një rast i rëndomtë, pasi, sipas tij, pasuria e Kosovës ka një kosto shumë më të lartë se sa këto keqpërdorime, edhe nëse vlera e tyre do të arrinte shifrën miliardësh.

Megjithatë, Dibrani thotë se ky rast duhet përshëndetur, duke shpresuar se më në fund po fillon diçka e mbarë në këtë vend. "Andaj, mekanizmat e drejtësisë nuk duhet të ndalen me kaq, vetëm me rastin ndaj Azem Sylës, por duhet të bëjnë arrestimin e të gjitha grupeve të involvuara, të cilat pa hezitim duhet të japin llogari, madje për më shumë duhet edhe t'u hiqet imuniteti politik dhe t'u merret edhe e drejta që kurrë të mos kthehen në institucione publike e shtetërore. Po ashtu, të marrin shembullin e vendeve në rajon që t'u konfiskohet e tërë pasuria e paligjshme, atyre dhe familjarëve të tyre, si dhe të gjithë personave që kanë krijuar pasur të paligjshme dhe që u përkasin këtyre grupeve".

Në të kundërtën, Dibrani thotë se nëse edhe kësaj radhe organet e drejtësisë do të bëjnë vetëm spekulime dhe të shqiptojnë dënime formale, rasti i Azem Sylës rrjedhimisht do t'i trimëronte edhe më shumë grupet oligarke, derisa ndikimi i tyre do të fuqizohej edhe më tej, por, siç tha ai, le të shpresohet se kësaj radhe vërtet e kanë përnjëmend dhe seriozisht...(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)