Kuvendi drejt shpërndarjes

  • 30 April 2016 - 07:54
Kuvendi drejt shpërndarjes

Kosova aktualisht po përjeton një parlamentarizëm jopluralist

Pa opozitë dhe pa kuorum, legjislatura e ka humbur kuptimin

Analistët theksojnë se zgjedhjet e reja duhet të mbahen për të rikonfirmuar legjitimitetin dhe besimin te elektorati, i zhgënjyer nga ky përfaqësim mediokër dhe i papërgjegjshëm

Bojkoti opozitar e ka shndërruar Kuvendin e Kosovës në parlament njëpartiak, në të cilin asgjë nuk po funksionon në frymën e parlamentarizmit demokratik pluralist. Analistët politikë, njohësit e fushës së ligjit dhe përfaqësues të shoqërisë civile, konsiderojnë se kjo mënyrë e funksionimit të Kuvendit pa pjesëmarrjen e opozitës, nuk e ka aspak kuptimin e mirëfilltë të funksionimit të mëtejmë, por duhet të arrihet marrëveshja për rilegjitimim nga sovrani i zhgënjyer nga qeverisja e keqe.

Kriza, në të cilën është futur Kuvendi, ku po ndodh që edhe pozita numerikisht e madhe nuk po arrin të sigurojë kuorumin e mjaftueshëm për funksionim normal, vlerësohet si një arsye e fortë pse zgjedhjet e reja janë të domosdoshme për të legjitimuar një përfaqësim të ri e më të denjë për të qeverisur me vendin, me shpresë se do të jetë më i mirë se ky aktuali. Profesori i së drejtës dhe ekspert për çështje zgjedhore, Mazllum Baraliu, thotë se demokracia e lënduar nga kriza politike mund të riparohet vetëm me zgjedhje të reja.

Parlamenti i shndërruar në institucion monist

Sipas Baraliut, pas një krize të thellë gati dyvjeçare të vazhdueshme dhe ciklike, ka nevojë që të rikonfirmohet përmes zgjedhjeve të reja besimi i dhënë, sepse dihet mirëfilli që besimi qytetar nuk është dhënë për të qeverisur në këtë mënyrë. "Prandaj, derisa Kuvendi po funksionon herë pas here si institucion monist ose nuk po arrin të funksionojë gati fare, pa opozitë, dihet që nuk ka Kuvend, por edhe brenda koalicionit ka mosfunksionim normal, partitë politike të pozitës duhet t'i ofrohen opozitës dhe të ketë një vendim konsensual për të caktuar një afat të pranueshëm ligjor të zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë", tha prof. i së drejtës Mazllum Baraliu për "Kosova Sot".

Analisti politik, Adlum Ramadani, thotë se edhe sipas së drejtës bashkëkohore demokratike, aty ku nuk garantohet demokracia, paraqitet sistemi politik autoritar, autokraci kjo që cenon çdo element demokratik, thuajse si në kohën e monizmit, mozaiku i së cilit plotësohet me regres politik, mungesë të pluralizmit dhe i përfaqësuar nga një 'diktaturë' oligarkësh të pasuar me filozofinë cinike, vizioni dhe alternativa e të cilëve është zhvatja totale e shtetit.

Mungesa e reformës, fatkeqësi politike

Ramadani pohon se përpjekjet e opozitës për t'i dhënë kuptim jetës parlamentare dëshmuan përmes infektimit të tyre me dogmat e servilizmit, të cilat ua humbën edhe atë pak legjitimitet që kishin tek popullata. "Parlamenti, si institucioni themelor i një shteti demokratik, tash e një kohë po përballet me 'mungesën e pluralizmit', duke lejuar kështu që pa asnjë vërejtje apo korrigjim të kalohen vendime, të cilat janë duke e përcjellë Kosovën drejt humnerës, tatëpjetë kjo e udhëhequr dhe e nxitur nga një spektër bujqish, të cilëve u mungon guximi për të menduar ndryshe nga partia, tregues i qartë i mungesës së kulturës politike, paqëndrueshmërisë dhe faktor i mosfunksionimit të shtetit të së drejtës", ka thënë ai.

"Mungesa e opozitës në jetën parlamentare nënkupton tërësi përparësish për politikat e Qeverisë dhe regjim partitokratik të përfaqë- suara me vlera arrogante dhe jo përfaqësuese, efekti i të cilave po jetësohet në mungesë të forcës opozitare, roli i të cilave është kundërshtimi i legjislacionit të paraqitur nga Qeveria. Në mungesë të një gardiani të demokracisë, zgjedhjet e reja janë të domosdoshme për të legjitimuar një përfaqësim të ri e më të denjë për të qeverisur me vendin, mirëpo fatkeqësia e këtyre zgjedhjeve prapë do të ishin mungesat e reformave zgjedhore, listat e të cilave do të ndiqnin filozofinë e mega-propagandës të kurdisura nga klanet klienteliste", tha Ramadani për "Kosova Sot".
 

Ligjvënësit tregohen joseriozë

Menaxheri i projektit për monitorim të Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, vlerëson se edhe dështimi i subjekteve politike pozitare për të siguruar kuorumin e nevojshëm prej 61 deputetëve për të zhvilluar seancat plenare, përkundër që kanë mbi 2/3 e deputetëve në Kuvend, është tregues i mungesës së përkushtimit për detyrat dhe mandatin që kanë marrë. Ai marrëveshjen për zgjedhje të reja e sheh si opsionin e fundit të zgjidhjes së krizës, nëse nuk ka zgjidhje tjetër kompromisi.

"Gjatë kohës sa subjektet opozitare kanë penguar mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, subjektet në pushtet vazhdimisht janë ankuar se nuk po i lënë të punojnë, ndërsa tani kur opozita po e bojkoton Kuvendin, nuk po arrijnë të mbajnë seanca. Situatë e njëjtë është edhe në komisionet parlamentare, kur pritet me orë që të bëhet kuorumi për të marrë vendime. Në vazhdimin e seancës plenare, të pranishëm në Kuvend ishin vetëm 45 deputetë, edhe pse të nënshkruar në listat e pjesëmarrjes figuronin 72 deputetë. Kjo tregon edhe për qasjen e deputetëve që për shumicën prej tyre është më shumë për përfitime financiare, sesa të përfaqësimit. Subjektet politike në Kuvend duhet që të arrijnë deri te një zgjidhje, që prodhon dalje nga kriza", theksoi ai.

"Në këtë atmosferë të tensionuar, të paqartësive për publikun rreth çështjeve që janë ngritur, zgjedhjet nuk do të prodhonin diçka më mirë", tha Albert Krasniqi.

"Funksionimi i plotë i një shteti demokratik është vetëm atëherë, kur në jetën institucionale marrin pjesë edhe pozita, edhe opozita, me përfaqësuesit e tyre legjitimë të zgjedhur, për të diskutuar çështjet e rëndësishme për vendin, dhe aty dëgjohet e respektohet edhe zëri i opozitës", ka thënë Baraliu.

(Kosova Sot)