Prokuroria të zbardhë abuzimet me fondet

  • 30 April 2016 - 08:02
Prokuroria të zbardhë abuzimet me fondet

Fati i "3-Përqindëshit" dhe "Vendlindja Thërret"

Të zgjerohet aksioni kundër grupeve kriminale

Zgjerimi i hetimeve nënkupton që para drejtësisë të dalin edhe zyrtarë të lartë të shtetit

Nisja e një procesi serioz, nga Prokuroria e Shtetit me EULEX-in, për të hetuar dhe për të nxjerrë para drejtësisë një grup të madh individësh të dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion, duke përfshirë aty edhe figura qendrore të luftës që kanë menaxhuar me paratë e popullit të dhuruara në funksion të mbështetjes së luftës çlirimtare, për njohësit e sundimit të ligjit dhe analistët politik, duhet të jetë një shans i mirë edhe për fillimin e hetimit të fondeve të luftës.

Sipas tyre, në këtë rast nuk do të duhej përjashtuar asnjëra palë, Fondin e "3- përqindëshit" dhe atë "Vendlindja thërret", ngase që të dyja këto fonde janë menaxhuar nga njerëz të të dyja partive të tanishme në pushtet dhe janë një segment i pasurimit të njerëzve në mënyrë antiligjore. Ishveprimtari i Lëvizjes ilegale në Kosovë dhe në diasporë, Muhamet Kelmendi, tani profesor i së Drejtës, i ka thënë gazetës se është një dështim i pafalshëm nga të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës, të cilat nuk kanë treguar as vullnetin më minimal në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit gjatë procesit të shtetndërtimit, por njëkohësisht kanë lënë në "harresë" edhe kërkimin e llogaridhënies për menaxherët e fondeve të luftës.

"Fillimisht fondi i "3- përqindëshit", ky fond ka jetuar deri në vitin 2001. Ky fond e ka pas krijuar edhe Bankën në Shqipëri me emërtim "Dardania Bank". Kjo bankë është shitur më vonë nga ana e Bujar Bukoshit dhe Isa Mustafës. Duhet thënë se udhëheqës të të gjitha financave të tubuara nga Qeveria në mërgim e Kosovës kanë qenë Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa. Bujar Bukoshi në cilësinë e kryeministrit dhe Isa Mustafa si ministër i Financave...Fondi "Vendlindja thërret" është krijuar nga kryesia e LPK-së në vitin 1995. Udhëheqës është caktuar Jashar Salihu dhe në çdo shtet e ka pasur ky fond udhëheqësin e vet legal. Përgjegjës kryesor ka qenë për Fond Kryesia e LPK-së. Ky fond ka vepruar deri në fund të luftës së UÇKsë në Kosovë", tha për "Kosova Sot" prof. Kelmendi.

Kapja e shtetit, pengesë për drejtësinë

Sipas Kelmendit, derisa tani është bërë një ndarje e pushtetit mes dy subjekteve më të mëdha politike, PDK dhe LDK, dhe të aktorëve kryesorë që kanë menaxhuar me ato fonde, nuk është aspak e pritshme që drejtësia kosovare e ndikuar nga politika të merret me hetimin e tyre, por këtë mund ta bëjë vetëm Prokuroria Speciale së bashku me faktorin ndërkombëtar.

"Është tepër e nevojshme që Prokuroria Speciale të merret me hetimin e këtyre dy fondeve, e aq më tepër kur kemi të dhëna të freskëta se sidomos nga Fondi 3% edhe sot e kësaj dite kemi zhvillime të ndryshme të transaksioneve të mjeteve financiare, nga njerëzit e veçantë që në faza të caktuara kohore iu kanë takuar strukturave, dhe duke menaxhuar me ato mjetet kanë krijuar edhe pasuri marramendëse dhe biznese private, për të cilat mendoj se Prokuroria duhet të fillojë hetimet, kurse gjykatat të nisin procedurat dhe të nxjerrin vendimet përfundimtare", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Ndërsa, analisti Ali Hertica konsideron se tash, me këto veprimet e fundit të bashkërenduara nga vendorët dhe ndërkombëtarët, kundër një grupi të madh kriminal që lidhet edhe me fondet e luftës, duhet të niset hetimi edhe për fondet. "Tani është koha që të gjitha dukuritë negative, që rrjedhin dhe janë të lidhura me këto grupe kriminale, zhvatja, pasurimi i paligjshëm me paratë e popullit pasluftës, fondet e dhuruara për zhvillimin e luftës, mbledhja e ndihmave humanitare nga shumë shoqata humanitare që thirren si të tilla dhe e kanë keqpërdorur emrin "humanitet" duhet të hetohen, sepse këto matrapazllëqe të tmerrshëm të kriminelëve të shtetit po e degradojnë shoqërinë dhe shtetin", tha Hertica.


Mungesë besimi tek EULEX-i

Vazhdimin e hetimeve të fondeve të luftës e sheh si moment të duhur edhe Islam Krasniqi, por ai është shumë skeptik nëse vërtet institucionet e drejtësisë, EULEXi dhe Prokuroria vendore e kanë nisur seriozisht luftën kundër krimit dhe korrupsionit në këtë vend.

"E vërteta e këtij skenari dyshoj se qëndron diku tjetër, ku EULEX-i e merr këtë aksion për ta arsyetuar vazhdimin e mandatit të vet edhe për dy vjet të tjerë. Ky misione asnjëherë nuk besoj se do të ketë as mundësi dhe as aftësi për t'i zbuluar keqpërdorimet e fondeve të luftës,sepse shefat e këtyre fondeve e kanë korruptuar këtë mision dhe ia kanë humbur fuqinë për veprimet e tyre ndaj peshqve të mëdhenj, dhe puna dhe veprimet e EULEX-it tregojnë se ai ka ardhur këtu për të marrë një rrogë, sepse është korruptuar edhe vetë misioni, e si t'i besojmë pastaj", tha Islam Krasniqi për "Kosova Sot". Politologu Arsim Haziri konsideron se është momenti kyç kur Kosova duhet pastruar nga të gjitha hipoteka e së kaluarës kriminale, prandaj drejtësia duhet të veprojë në mënyrë retroaktive, edhe për ato raste serioze të krimit dhe korrupsionit që bazamentin e tyre e kanë që në shpërdorimin e fondeve të luftës, dhe jo vetëm këto të procesit të shtetndërtimit.

"Ndoshta mund të mendohet tani për përmirësimin e drejtësisë kosovare dhe misionit të EULEX-it në Kosovë me arrestimet e fundit. Por, vështirë të fitohet ai besim dhe të marrë merita, të cilat mund të vlerësohen lart. Konsideroj se përgjatë kohës sa ka operuar ky mekanizëm evropian i sundimit të ligjit, së bashku me drejtësinë kosovare, fare pak kanë mundur të dëshmojnë për mandatin për të cilin kanë qenë të thirrur", theksoi Haziri. 

"Format e krimit dhe korrupsionit duhet të luftohen dhe të pastrohen rrënjësisht, pa përjashtuar edhe historinë e abuzimit me fondet e luftës", tha politologu Haziri për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)