Ramadani: Mungesa e reformës, fatkeqësi politike

  • 30 April 2016 - 16:15
Ramadani: Mungesa e reformës, fatkeqësi politike

Analisti politik, Adlum Ramadani, thotë se edhe sipas së drejtës bashkëkohore demokratike, aty ku nuk garantohet demokracia, paraqitet sistemi politik autoritar, autokraci kjo që cenon çdo element demokratik, thuajse si në kohën e monizmit, mozaiku i së cilit plotësohet me regres politik, mungesë të pluralizmit dhe i përfaqësuar nga një 'diktaturë' oligarkësh të pasuar me filozofinë cinike, vizioni dhe alternativa e të cilëve është zhvatja totale e shtetit, raporton gazeta Kosova Sot Online.

Ramadani pohon se përpjekjet e opozitës për t'i dhënë kuptim jetës parlamentare dëshmuan përmes infektimit të tyre me dogmat e servilizmit, të cilat ua humbën edhe atë pak legjitimitet që kishin tek popullata. "Parlamenti, si institucioni themelor i një shteti demokratik, tash e një kohë po përballet me 'mungesën e pluralizmit', duke lejuar kështu që pa asnjë vërejtje apo korrigjim të kalohen vendime, të cilat janë duke e përcjellë Kosovën drejt humnerës, tatëpjetë kjo e udhëhequr dhe e nxitur nga një spektër bujqish, të cilëve u mungon guximi për të menduar ndryshe nga partia, tregues i qartë i mungesës së kulturës politike, paqëndrueshmërisë dhe faktor i mosfunksionimit të shtetit të së drejtës", ka thënë ai.

"Mungesa e opozitës në jetën parlamentare nënkupton tërësi përparësish për politikat e Qeverisë dhe regjim partitokratik të përfaqë- suara me vlera arrogante dhe jo përfaqësuese, efekti i të cilave po jetësohet në mungesë të forcës opozitare, roli i të cilave është kundërshtimi i legjislacionit të paraqitur nga Qeveria. Në mungesë të një gardiani të demokracisë, zgjedhjet e reja janë të domosdoshme për të legjitimuar një përfaqësim të ri e më të denjë për të qeverisur me vendin, mirëpo fatkeqësia e këtyre zgjedhjeve prapë do të ishin mungesat e reformave zgjedhore, listat e të cilave do të ndiqnin filozofinë e mega-propagandës të kurdisura nga klanet klienteliste", tha Ramadani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)