Hetuesit urdhëruan rrënimin e shtëpisë, ku u vranë 18 civilë

  • 01 May 2016 - 08:26
Hetuesit urdhëruan rrënimin e shtëpisë, ku u vranë 18 civilë
Image

Jetojnë për të rrëfyer krimin

Hyseni:"E kam parë me sy sesi digjej nëna Ajshe. Ajo dha shpirt në duart e mia"

Të miturin Ymer Hysenin serbët e lanë të gjallë, jo pse e mëshiruan, por për të përjetuar trishtimin e madh, kur ia vranë para syve babanë, nënën, gjyshin dhe gjyshen

Ymer Ibishi e kujton me shumë dhembje 30 prillin e vitit 1999, kur ai humbi babanë, Sylejmanin. Atë, bashkë me 17 civilë të tjerë, forcat serbe i ekzekutuan një nga një dhe pastaj ia vunë flakën edhe shtëpisë, për t`i zhdukur gjurmët e krimit. Për ta mbuluar këtë krim të tmerrshëm u kujdesën edhe hetues dhe gjyqtarë serbë, të cilët vizituan vendin e ngjarjes dhe pastaj dërguan një ekskavator të madh, për të rrënuar tërësisht shtëpinë, ku burra, gra, pleq e fëmijë ishin vrarë e ishin djegur. Të miturin Ymer Hysenin e lanë të gjallë, jo pse e mëshiruan, por për të përjetuar trishtimin e madh. Atij ia vranë para syve babanë, nënën, gjyshin dhe gjyshen.

Vdekjen e tyre e pa me sytë e vetë. Ymeri, që tani është në Zvicër, nuk është dëshmitari i vetëm i masakrës së Llashticës, sepse pesë të tjerë nga grupi i atyre që i qëlluan me armë, i mbijetuan plagët dhe arritën të dalin gjallë nga flakët. Mes tyre ka qenë edhe fëmija 1.5 vjeç, Fisnik Shabani, të cilit ia kanë vrarë prindërit. "Fatkeqësisht, asnjë dëshmitar i Llashticës nuk është ftuar të dëshmojë në Hagë, përkundër premtimit që kishte dhënë Luis Arbur, ish-kryeprokurore e Tribunalit, pas vizitës në këtë fshat, ku kishte ardhur për të mbledhur dëshmi mbi krimet e forcave serbe". Edhe patologët kanadezë, që kishin parë kufomat e masakrës në Llashticë, pas hyrjes së forcave ndërkombëtare në Kosovë, heshtën.

"Llashtica, një krim i paparë mbi civilët, mbi fëmijë e të moshuar, po heshtet nga drejtësia edhe tani, 17 vjet më vonë". 



Babanë e qëlluan në sy

Ndryshe, në kohë dhe rrethana të ndryshme, në Llashticë, në prill të vitit 1999, janë vrarë 23 civilë të pafajshëm, janë djegur 120 shtëpi, shkolla, biblioteka, janë plaçkitur shtëpitë. Dëshmitari kryesor, Deli Hyseni, njeriu që ka parë me vdekjen e më të afërmve, në dëshminë e tij për masakrën e 30 prillit 1999, ka thënë se nuk kam forcë as guxim të flas për atë tmerr. "E kam parë vdekjen me sy. Kam parë se si vdiqët për së gjalli.

Kam parë se si njeriu është më i fortë se guri". Hyseni është njeriu që ka parë gjithçka, madje edhe buldozerin që erdhi pastaj për të rrafshuar vendin e krimit, ku ishin ekzekutuar: Hysen Deli Hyseni, Ajshe Hysen Hyseni, Fazli Hysen Hyseni, Arife Fazli Hyseni, Driton Fazli Hyseni, Mirije Deli Hyseni, Blerim Ramadan Halili (nip i Llashticës), Rifat Xhemajl Shabani, Selami Rifat Shabani, Zijavere Ejup Shabani, Fisnik Selami Shabani, Sylejman Ymer Ibishi, Xhavit Banush Berisha. Ata u vranë në shtëpinë e Rifat Shabanit. Deliut i kujtohet momenti, kur një pjesëtar i forcave serbe e qëlloi të parin babanë e tij. "Babanë e qëlloi në syrin e djathtë dhe pas tij vazhdoi t`i vrasë të gjithë me radhë, i ndihmuar nga një pjesëtar tjetër". Deliun e qëlloi plumbi në fyt dhe ra pa vetëdija.

E përballoi plagën dhe arriti të dalë nga flaka, të cilën ia kishin vënë forcat serbe shtëpisë ku e kryen krimin. "E kam parë me sy sesi digjej nëna Ajshe. Ajo dha shpirt në duart e mia. E kam parë me sytë e mi Feriz Shabanin, derisa po jepte shpirt. Është karbonizuar në krahët e nënës së tij, Zijaverës". 
I pa prindërit duke vdekur para saj Deliu thotë se paramilitari, që, sipas tij, ishte një rom, pas vrasjes së babait e ka ekzekutuar vëllanë Fazliun, kushëririn Rifatin, pastaj Xhavitin. "Kur erdha në vete, pas gjysmë ore, pashë se i kishin vrarë të gjithë me nga një plumb. Ymerit i thanë se ty nuk do të të vrasim, por do të të lëmë që të vuash tërë jetën", rrëfen Deliu. Dy javë më herët, më 13 prill 1999, ishin vrarë Ali Bejtë Selimi, Enver Sylë Murseli, Ymer Kadri Rashiti, Lulzim Feti Musliu, Rukije Qazim Ramushi, Habibe Idriz Ramushi, Nezir Hasan Ramushi, Xhyzide Shaban Hasani, Lirim Nehat Shabani.

Rrëfimi i Vlora Shabanit për krimet e kësaj dite është mjaft trishtues dhe tregon barbarinë serbe. Në këtë masakër, ajo ka humbur babanë, nënën, vëllanë dhe gjyshin. Nga traumat që ka pësuar ajo në këtë masakër, ku është plagosur, është dashur të shërohet gjashtë muaj në SHBA, pas luftës. Me sytë e saj i kishte parë se si digjeshin për së gjalli prindërit e saj dhe i vëllai. Mësuesi Nehat Shabani e ka humbur djalin, ndërsa vetë ka shpëtuar me plagë në krahun e djathtë. Të gjallët në Llashticë nuk mund t`i harrojnë këto krime. Ymer Ibishi thotë se bie dhe zgjohet me pamjet e 30 prillit 1999 dhe trishtimin e ditëve të tjera të prillit të vitit 1999. Ai kërkon drejtësi. Thotë se nuk do të heshtë kurrë, derisa drejtësia të vihet në vend, ta paktën si satisfaksion moral, sepse është i vetëdijshëm se njerëzit e humbur, nuk mund t`ua kthejë më askush.

Ymer Ibishi thotë se bie dhe zgjohet me pamjet e 30 prillit 1999 dhe trishtimin e ditëve të tjera të prillit të vitit 1999.

(Kosova Sot)