Superheroina bën gjithçka t’ia shpëtojë jetën burrit me leukemi

  • 01 May 2016 - 08:37
Superheroina bën gjithçka t’ia shpëtojë jetën burrit me leukemi

Rrëfimi i dashurisë, shpresës dhe zhgënjimit

Analizat zbuluan se Mike kishte një lloj të rrallë të leukemisë, me emrin ‘Philadelphia+’

Kate, nga Bristoli, ka udhëtuar për dhjetë orë me autobus dhe dy herë nga njëmbëdhjetë orë me aeroplan për t’u kthyer tek i fejuari i saj në spitalin e qytetit

Duke qëndruar para altarit, Kate Brandon ia ka shtrënguar dorën bashkëshortit të saj, Mike, dhe guxoi që të besojë se e kishte gjetur lumturinë. Në vend se t’i shfrytëzojë 18 muajt e mëhershëm për planifikim të së ardhmes së saj, ajo pjesën më të madhe të asaj kohe e kishte kaluar pranë shtratit të spitalit të të fejuarit të saj pasi që ai ishte diagnostikuar me leukemi vetëm pak javë pas propozimit për martesë. Kate 33-vjeçare madje ia gjeti edhe një dhurues të palcës eshtrore kur ai u sëmur shumë, duke rekrutuar 7 mijë njerëz për vetëm tetë ditë derisa e fitoi garën e saj për t’ia shpëtuar jetën e tij. “Pas martesës sonë ecëm nëpër shteg të përcjellë nga muzika e filmit ‘Superman’. Mike madje kishte mbathur çorape me ‘Superman’-in. Ishte e përkryer.

Ai ishte burri im i çeliktë dhe kishte kaluar nëpër shumë gjëra, por dukej se po bëhej më mirë. Ndihesha shumë mirë për të ardhmen. Filluam që të bisedojmë për blerjen e shtëpisë sonë të parë dhe për të pasur fëmijë”, ka thënë ajo.

“Kur u kthye kanceri ëndrrat tona u prishën”

Mike megjithatë thotë se Kate është super-heroina në këtë rast.“Ajo është super-heroina ime dhe nuk mendoj se do të kisha arritur kaq larg pa të. Përkundër të gjitha gjërave nëpër të cilat kam kaluar, ajo i ka bërë gjashtë vitet e fundit më të lumturat të jetës sime”, ka thënë 31-vjeçari. Por, nuk ka përfundim si në përralla në këtë ngjarje të dashurisë. Më pak se një vit më vonë, atij iu kthye leukemia dhe ishte përhapur në tërë organizmin e tij. Por, një ilaç i importuar nga Amerika mund t’ia shtojë atij edhe disa javë. Por, ajo kohë ishte e çmuar, pasi që mund të bënte ndryshim të madh, ndërsa Kate tani përballet me garën e dytë kundër kohës për ta shpëtuar bashkëshortin e saj, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Kësaj radhe ajo duhet që t’i mbledhë 400 mijë funte (510 mijë euro) për vetëm pesë ditë për ta dërguar Mike-un në SHBA për një trajtim të ri të modifikimit të qelizave të tij të gjakut. “Kur u kthye kanceri ëndrrat tona u prishën. Momentalisht nuk e kemi një të ardhme. Jetojmë prej ditës në ditë dhe e shfrytëzojmë secilën për ta shpëtuar Mike-un”, ka thënë ajo. Mike i propozoi martesë Kate-t në dhjetor të vitit 2013 para se ajo të nisej në një udhëtim nëpër Azi për gjashtë muaj. Ata u pajtuan që të fillojnë me planifikim të martesës pas kthimit të saj. Por një muaj më vonë Mike filloi që të vuajë nga rraskapitja dhe djersitjet e natës.

Teknika e re për modifikim gjenetik të qelizave të gjakut

Analizat zbuluan se ai kishte një lloj të rrallë të leukemisë me emrin ‘Philadelphia+’. Kate ishte në një internet kafe në Burmë kur e hapi një e-mail nga Mike, i cili kërkonte nga ajo që t’i telefonojë.“Mendoj se e kam leukeminë më tha ai. U trondita shumë. Gjëja e vetme për të cilën mendoja ishte si të kthehesha për të qëndruar pranë tij”, ka thënë ajo.

Kate, nga Bristoli, ka udhëtuar për dhjetë orë me autobus dhe dy herë nga njëmbëdhjetë orë me aeroplan për t’u kthyer te i fejuari i saj në spitalin e qytetit. Shansi i tyre i fundit është që të dërgohet Mike në një test mjekësor që udhëhiqet nga Universiteti i Pensilvanisë. Në të përdoret një teknikë e re për modifikim gjenetik të qelizave të gjakut para injektimit të tyre në organizëm.

Deri tani ka dëshmuar sukses në ndalimin e leukemisë së avancuar. Atij i është ofruar një vend për testin që fillon të mërkurën

(Kosova Sot)