Kastrati: PTK-ja ka shërbyer si mundësi e artë për zhvatje dhe rehatim të familjarëve

  • 01 May 2016 - 16:56
Kastrati: PTK-ja ka shërbyer si mundësi e artë për zhvatje dhe rehatim të familjarëve

Ish-kryetari i OEK-ut, Ismajl Kastrati në një prononcim për Gazetën Kosova Sot ka thënë se:  “Problemi i PTKsë është shumë i ndërlikuar, për të dhënë një zgjidhje të lehtë dhe për llogaridhënie” . Sipas Kastratit, PTK-ja për një kohë të gjatë ka shërbyer si mundësi e artë për zhvatje dhe rehati të familjarëve, apo militantëve partiakë nga partitë në pushtet, pa përjashtim. "Në PTK kanë rehatuar familjarët ose militantët, në pozita menaxhuese, ose kanë rahatuar shumë punëtor, të cilët kanë marrë rrogë pa e parë kurrë vendin e punës. Dhe kjo ka ndodhur jo vetëm me dhjetëra, por me qindra punëtorë". Ekonomisti Kastrati tha se nga PTK-ja Qeveria ka marrë me qindra miliona dividentë për buxhetin e Kosovës dhe i kanë shpërndarë shpesh, në mënyrë joracionale. "PTK, me çmime ekstra të larta (krahasuar me rajonin), e ka zhvat popullsinë e varfër dhe me nevojë për të komunikuar me familjarët në diasporë", theksoi ai.


"Qeveria 'Thaçi I' në dëm të PTK-së e ka themeluar 'ZMobile'", tha Kastrati. Sipas tij, me qëllim të shitjes sa më lirë, fondet akumuluese të PTK-së nuk janë investuar në zhvillim dhe modernizim, krahas avancimit të teknologjisë në telekomunikacion, por me detyrim janë marrë nga Qeveria për nevoja buxhetore.
"Në këto rrethana të pafavorshme për PTK-në është shpallur tenderi i parë, në të cilin konkurrent kryesor ka qenë 'Dojce Telekom' në Kroaci.

Çmimi i ofruar nga 'Dojce Telekom' ka qenë 250 milionë euro, ndërkaq Qeveria ka kërkuar 300 milionë euro, por me një kusht. Kushti ka qenë që 50 milionë euro të jepen në formë të "tallit". Gjermanët si praktikë që janë dhanë përgjigje, ne po ju ofrojmë 250 milionë euro, e 50 milionëshin mund ta merrni ju vetë si të doni dhe kur të doni. Ky ka qenë shkaku i dështimit të tenderit të parë", tha ai. Sipas Kastratit, tenderi i dytë ka degraduar edhe më tepër. "Shkaku ka qenë rënia e çmimit në treg i telefonisë mobile dhe ngecja në zhvillim të PTK-së. Tenderin e pati fituar kompania amerikane "ACP Axos Capital" GMBH, prapa së cilës dyshohet se qëndrojnë oligarkët vendorë", u shpreh më tutje ai.

(Kosova Sot)