Holanda nis hetimin administrativ për Arben Frrokun

  • 02 May 2016 - 09:51
Holanda nis hetimin administrativ për Arben Frrokun

Vonesa në identifikimin e Arben Frrokut, i cili ishte ndaluar që më 6 mars në Amsterdam duket se ka bërë që autoritetet holandeze të jenë zemëruar me policinë shqiptare, edhe pse në fakt verifikimi i Frrokut sipas Policisë së Shtetit nuk i është kërkuar palës shqiptare, por asaj greke. Sipas të dhënave që vijnë nga Holanda bëhet me dije se Frroku thjesht është dyshuar se posedonte mjet identifikimi fals dhe ndalimi i tij është bërë teksa dilte nga Amsterdami, në kontrollin aeroportual, ndërsa ai posedonte një mjet me emrin e një tjetër shqiptari por që është me të dhëna greke. Pala jonë të paktën me këtë argument është mbrojtur deri në momentin që lajmi për arrestimin e tij u dha nga ish-kryeministri ndërsa më pas çuan në drejtim të Holandës edhe të dhënat konkrete për të. Mirëpo teksa pritet që pas dy ditësh në drejtim të Amsterdamit të përcillet dosja voluminoze prej më shumë se 120 faqesh material për biznesmenin që Gjykata e Apelit e ka dënuar me burgim të përjetshëm, duke prishur vendimin e pafajësisë së shkallës së parë, Holanda është ankuar se po e mban në qeli shqiptarin prej afër dy muajsh dhe shqiptarët nuk kanë reaguar për të qartësuar nëse është ai personi i arrestuar apo jo. Në kohën kur ende Gjykata e Lartë nuk ka marrë në shqyrtim rekursin ndaj “burgut të përjetshëm” që kanë bërë avokatët e Arben Frrokut ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, burimet tregojnë se ekziston mundësia që Frroku të qëndrojë edhe në shtetin holandez, pavarësisht tentativës së palës sonë për ta ekstraduar.

Hetimi administrativ 

Sipas të dhënave të policisë bëhet me dije se edhe shteti i Holandës në legjislacionin e vet e ka të parashikuar hetimin administrativ. Në rastin konkret kur bëhet fjalë për një shtetas të huaj pala holandeze bën hetim administrativ mbi kërkesën që dërgon pala tjetër. Kjo kërkesë studiohet, verifikohet dhe pastaj vendoset për të vepruar bazuar në legjislacionin e vendit të tyre. Rasti i Frrokut është një rast i veçantë pasi personi rezulton i dënuar në një vend me burgim të përjetshëm dhe aq më tepër me akuzën e vrasjes së një punonjësi policie, ç`ka sipas legjislacionit vendas nuk vendos dënim mbi dënim. Kështu, pala e shtetit holandez duket se ka qenë e gatshme të bashkëpunojë për të kryer lëvizjen e të arrestuarit të tyre që në momentin e ndalimit, por ka qenë pala shqiptare që është vonuar deri tani kur edhe është zyrtarizuar arrestimi i tij. Megjithatë, sipas burimeve që vijnë nga Holanda, saktësohet se autoritetet vendase ende janë duke verifikuar personin, bazuar në të dhënat që ka dërguar pala shqiptare, pasi vonesa ka bërë që policia vendase të verifikojë çdo detaj.

Mbrojtja e Frrokut       

Pala që mbron në vendin tonë çështjen e Arben Frrokut, që në një gjykatë e ka fituar çështjen dhe në një tjetër e ka humbur kanë bërë me dije se në fakt janë të qetë për sa i përket vendimit që është dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit. Ata janë në pritje të shqyrtimit që do t`i bëhet çështjes në Gjykatën e Lartë ku edhe besojnë se do të dinë të shohin faktet qartë dhe të mos diktohen politikisht për shkak se gjithë procesi ndaj klientit të tyre në fakt është i manipuluar. Si mbrojtja ashtu edhe prokuroria kapën fort pas dëshmisë së atij që u konsiderua si personi kyç i atij procesi por që të dy palët një herë fituan dhe një herë humbën. Prokuroria në fakt ka mundur ta çojë çështjen drejt një vendimi të formës së prerë, ku ka si fakte dhe prova vetëm dy dëshmi, një pallto dhe asnjë provë tjetër inkriminuese. Avokatët pikërisht me dëshminë e sajuar të dëshmitarit të mbrojtur arritën të bindnin Gjykatën e Shkallës së Parë se procesi ishte i manipuluar me anë të një personi që nuk thotë të vërtetën, por prokuroria u kthye po me atë dëshmi për të bindur trupën e Apelit se ka qenë pikërisht Fatmir Vladi, njeriu që thotë që kam parë Arben Frrokun në sedijen e parë të makinës nga ku u qëllua me breshëri kallashnikovi komisari i policisë. Dëshmia që sipas prokurorisë është e vërtet dhe edhe sipas një gjykate, po jo tjetrës, u bë objekt i një beteje të vazhdueshme politike, ndërsa vetë familjarët e Arben Frrokut treguan se Fatmir Vladi, i kamufluar me emrin e Arben Ndokës, kishte sajuar dëshminë vetëm në sajë të probleme që kishte me borxhet, borxhe që iu kishte edhe familjes së Frrokut.

 Loja prej “3.53 minutash” e dy gjykatave për Arben Frrokun

Vendimi i dy gjykatave, njëra që e ka liruar dhe tjetra që e ka dënuar, do të jenë pjesë e dosjes së ekstradimit që pas dy ditësh do të niset në drejtim të Holandës për të bërë të mundur sjelljen në vendin tonë të Arben Frrokut. Edhe pse në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Apelit, ka një mori gabimesh jo vetëm gjuhësore, në të shikohet qartazi se si është përdorur nga të dy gjykatat dëshmia e atij që u konsideruar se dëshmitari kyç i atij procesi. Ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e ka përjashtuar dëshminë e mikut të Arben Frrokut për shkakun se kamerat nuk e kishin kapur në vendin e ngjarjes, në momentin që ka ndodhur ekzekutimi, por aty është shfaqur rreth 3 minuta e 53 sekonda më vonë. Në vendimin e zbardhur të apelit shikohet se dëshmitari ka dhënë dëshmi edhe pas më shumë se një viti e gjysmë ku ka thënë se isha aty po u fsheha pas kabine nga frika e plumbave.

Në vendim haset pikërisht kjo pjesë e argumentuar nga Gjykata: “Gjithashtu, deklarimi i dëshmitarit Arben Ndoka edhe mbi drejtimin e lëvizjes së automjetit në të cilin ishte i pandehuri, si edhe me goditjen e tij me anën e rrugës, është i përputhur me atë të gjendjes së automjetit si i dëmtuar nga ana e jashtme e krahut të majtë përpara, e dhënë sipas aktit, këqyrje e automjetit. Janë këto të dhëna që, të përputhura me prova të tjera të ndryshme nga vetë prova dëshmia e dëshmitarit Arben Ndoka, të cilat e bëjnë të besueshëm dhe, kështu, të vërtetë dëshminë e tij mbi objektin e të provuarit, që është individualizimi i autorit të vrasjes, Arben Frroku. Ndërkohë që, në lidhje me besueshmërinë e dëshmitarit Arben Ndoka kolegji i Gjykatës së Shkallës së Parë gabimisht ka vlerësuar se ai nuk është i besueshëm mbi të gjithë deklarimin e tij, për shkak të mospërputhjes së deklarimeve të tij mbi vendndodhjen dhe lëvizjen e tij dhe të bashkëshortes Liza Ndoka, me ato që njoftojnë filmimet e marra nga aparatet regjistrues në market  “Jani” dhe banesën e shtetasit Saimir Demirxhi.

Verifikimi i Gjykatës së Shkallës së Parë se çifti Ndoka, pas largimit të automjetit që drejtonte autori i krimit, është shfaqur përballë market “Jani” pas 3 minutash e 53 sekondash dhe tek hyrja e market "Janit”, është shfaqur pas 8 minutave, pason konkluzionin e së njëjtës gjykatë se dëshmitari Arben Ndoka dhe bashkëshortja  e tij nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes në kohën kur ajo ka ngjarë dhe, kështu, janë të pabesueshëm në deklarimet e tyre, pasi nuk kanë pasur objektivisht mundësinë t'i perceptojnë ato. Pikërisht këtë konkluzion, ky kolegj i Gjykatës së Apelit, e çmon si jokorrekt e të pabazuar. Duke i përballur edhe një herë deklarimet e dëshmitarit Arben Ndoka, në  lidhje me vendndodhjen, me këtë konkluzion të gjykatës së shkallës së parë, rezulton se ai më datë 22/10/2014 ka deklaruar: “Kam ecur deri përballë me supermarketin e "Janít" nga Korça, përballë me supermarketin, duke kaluar rrugën, pa u futur në rrugë, kam qenë në trotuar. Aty kam dëgjuar krismat e para, jam shtangur. Aty ku kam qëndruar unë, është një kabinë telefoni apo roje, nuk e di saktë, por aty ndodhet akoma kjo kabinë". Pra dëshmitari, edhe pse deklaron se është ndodhur përballë supermarketit "Jani", në të njëjtën kohë këmbëngul se ishte “pa u futur në rrugë, aty ku është një kabinë telefoni apo roje”.

Dëshmitari Arlind Hoxha për vrasjen e komisarit  

“Nga deklarimi i shtetasit Arlind Hoxhaj, datë 16/05/2014 se: “Kam parë plumbat me sytë e mi, kam rrëzuar motorin, (se është qëlluar) tek dritarja e parë e automjetit ... mund të ketë qenë kallash nga karikatori dhe nga flaka ..."; nga akti "ekstrakt" i librit të telefonatave në sallën operative, të Drejtorisë së Policisë Tiranë, i cili jep njohje se "ora 18:30 nga një telefonatë nga nr: 0682006..., nga një shtetas pranë lokalit  “Old House” është njoftuar se kanë qëlluar një person me armë zjarri si edhe nga akti dokument "filmim" i regjistrueses (G12050026) së lokalit “Old House” nga i cili qartësisht dallohet se në datën 24/02/2013, në orën 18. 26, pranë automjetit me ngjyrë gri, qëndron motori dhe në momentin e shembjes së derës nga drejtuesi i automjetit, motori rrëzohet përtokë, përfitohet njohja se drejtuesi i automjetit me ngjyrë gri e me ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të automjetit me  targa "TR 2564 N" në të cilin ndodhej polici Dritan Lamaj, që ky i fundit ka dalë nga automjeti dhe ka ecur për disa metra e më tej dhe është rrëzuar, raporotn shekulli,al

Nga deklarimi i shtetasit Arlind Hoxhaj, datë 16/05/2014, se: "kam parë plumbat me sytë e mi (se është qëlluar) tek dritarja e parë e automjetit  mund të ketë qenë kallash nga karikatori dhe nga flaka", si edhe nga akti deklarim, datë 22/10/2014, i dëshmitarit Arben Ndoka se: "më datë 24/02/2013, rreth orës gjashtë kam dëgjuar 4-5 krisma, ka ardhur kjo makina aty pikë plumbi, kam dalluar tre persona në makinë. Personi me maskën e ngritur, ka qenë në timon, zotnia që bëhet fjalë, Arben Frroku", përfitohet dija se i pandehuri Arben Froku, në drejtimin e automjetit ngjyrë gri, nga dritarja e shoferit ka qëlluar në drejtim të viktimës Dritan Lamaj. Sipas deklarimit të Arlind Hoxhaj  në drejtim të viktimës përfitohet dija se drejtuesi i automjetit ngjyrë gri, i cili më datë 24/02/2013 ora 18.26, në Tiranë, ka qëlluar me armë zjarri automatik model 56, kalibër 7.62 mm, mbi policin Dritan Lamaj, është padyshim i pandehuri Arben Frroku.

Skadimi i pasaportës që zbuloi Frrokun 

Gjatë kontrollit, atij i është kërkuar verifikimi i dokumentacionit dhe ka pasur dyshime për vlefshmërinë. Kjo pasi, Arben Frroku iu ketë paraqitur policëve lokalë një pasaportë dhe patentë greke, me identitetin Renato Tsepa, i lindur në Korçë, më datë 15 nëntor të vitit 1967. Ajo që ka ngjallur dyshime për autoritetet holandeze ka qenë afati i vlefshmërisë së pasaportës, që ishte 5­vjeçar. Në pasaportë shkruhej se dokumenti ishte lëshuar në vitin 2013 dhe skadonte në vitin 2018. Për këtë arsye Frroku u ndalua, me dyshimet se dokumentet ishin të falsifikuara, dyshim që u konfirmua 3 ditë më vonë, më 9 mars. Sipas autoriteteve greke, ku Holanda kishte kërkuar informacion, personi me emrin Renato Tsepa nuk ekzistonte dhe pasaporta e patenta nuk ishin lëshuar asnjëherë nga Greqia. Më datë 9 mars, kur Holanda mori konfirmim nga Greqia për pasaportën e patentën false të Arben Frrokut, ai u zhvendos nga dhomat e paraburgimit në Qendrën Rezidenciale për Shtetasit e Huaj të Parregullt në Amsterdam. Aty do të qëndronte në pritje të identifikimit e më pas të deportimit të tij drejt vendit të origjinës, sapo të mësohej zyrtarisht.

(Kosova Sot)