Legjislatura aktuale, kampione e dështimeve

  • 03 May 2016 - 07:49
Legjislatura aktuale, kampione e dështimeve

Përfaqësimi në nivelin më të dobët

 “Po të ishte kjo legjislaturë konsekuente, me rolin e funksionin e deputetit të pandikuar nga përkatësia politike dhe autoritarizmi i liderit, do të kërkonte përgjegjësi nga Qeveria për shkelje të Kushtetutës dhe shkarkimin e saj”, tha profesor Riza Smaka për “Kosova Sot”, shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Legjislatura e tanishme e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht se në formacionin politik të koalicionit qeverisës është numerikisht më e madhja dhe e konstruktuar deri më tani, në funksion të kryerjes së detyrave për interesin e përgjithshëm të shtetit, sipas analistëve politikë, po dëshmohet si legjislatura më e dështuar e pasluftës në Kosovë. Ky fakt konsiderohet si argument i fuqishëm për të dëshmuar gabimin dhe dëmin e madh që liderët i sollën vendit me shmangien e reformës zgjedhore gjatë mandatit të kaluar 2011-2014, problem serioz të cilin e ngriti në seancën e kaluar të Kuvendit edhe deputetja e pavarur, Margarita Kadriu. Me këtë ikje nga reforma zgjedhore, jo vetëm që u mundësua dhe u lejua të mashtrohen qytetarët, por u mundësua të vidhet e të blihet vota e qytetareve të lodhur e të varfër nga oligarkia e inkriminuar. Për më tepër, edhe një vit e gjysmë pas fillimit të punës së kësaj legjislature të re, as Qeveria, por as deputetë në grupet parlamentare pozitë dhe opozitë, nuk marrin iniciativën për rifillimin e reformës zgjedhore, derisa kriza politike rrezikon imponimin e situatës që vendi të shkojë rishtas në zgjedhje të parakohshme pa reformën zgjedhore. Kryeministri Mustafa, por edhe presidenti Thaçi, në disa deklarime të tyre të fundit, i kanë bërë thirrje opozitës që të rikthehet në Kuvend dhe së bashku me pozitën të rinisin edhe procesin e reformës zgjedhore, por këto thirrje nuk kanë dhënë rezultat.

 Improvizimi i jetës parlamentare

Njohësi i praktikës parlamentare në vend dhe njëkohësisht edhe  ekspert i legjislacionit zgjedhor, Blerim Burjani, konstaton se kjo legjislaturë e re është ndër më të dështuarat që nga paslufta e deri më tani, se po mbijeton vetëm në saje të improvizimit të jetës parlamentare, pa veprime konkrete.“Legjislatura aktuale është e dështuar plotësisht. Fillimisht kjo po dëshmohet me mosinteresimin për të shkuar deputetë e koalicionit në seanca, e ikja nga puna e Kuvendit gjatë seancës është ikje nga obligimi që i kanë dhënë qytetarët. Gjithashtu, edhe mosshkuarja në komisione është një veprim i baraspeshueshëm për papërgjegjësinë e deputetit. Nga ana tjetër, në vazhdimësi ka ndodhur shtimi i privilegjeve dhe shfrytëzimi i buxhetit”, tha Burjani për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se njësoj me papërgjegjësi po sillet edhe opozita. “Mosefikasiteti i tërësishëm i punës së Kuvendit, pastaj hedhje e gazit lotsjellës, ka bërë që të banalizohet puna e Kuvendit. Pra, kjo legjislaturë është më e dështuara nga aspekti i të gjitha këndvështrimeve të vlerësimit të punës që ka bërë”, tha Blerim Burjani. Duke u fokusuar në shqetësimin e deputetes Margarita Kadriu për reformën ë harruar zgjedhore, ai tha se kjo është edhe një segment shtesë i papërgjegjësisë së klasës politike në tërësi, por veçmas  i shumicës qeveritare. “Reforma zgjedhore është jetike për të vendosur rregulla të mirëfillta zgjedhore. E tani gjasat për të kryer reformën janë në pikën zero. Këtyre subjekteve politike, pozitës dhe opozitës, u konvenon anarkia, andaj nuk u konvenon reforma zgjedhore”, tha ai.

Nisma e Kadriut, kundër interesave kriminale të koalicionit

Me konstatimin e kjo legjislaturë është ndër më të dështuarat në historikun e parlamentarizmit kosovar pajtohet edhe politologu Arsim Haziri."Është konstatim i përgjithshëm se legjislatura e tanishme ka prezantuar në tërësi elemente të dobëta, kjo është edhe konkludim i një organizate monitoruese për çështjet e ndryshme parlamentare", tha politologu Haziri. Duke dhënë komplimente për shqetësimin serioz të ngritur nda deputetja Margarita Kadriu, për "harresën" e reformës zgjedhore, ai tha se kjo është pika kyçe që dëshmon interesin kriminal të subjekteve politike për të shkuar në zgjedhje të reja me legjislacionin e vjetër zgjedhor."Mosmbështetja e nismës së zonjës Kadriu për çështjen e reformës zgjedhore tregon më së miri nivelin e seriozitetit ndaj nivelit publik, madje këtë temë janë duke e pamundë- suar qëllimisht vetëm për t'u hapur rrugë të vazhdueshme edhe një herë keqpërdorimeve të mundshme në një proces të ri zgjedhor. Kjo është edhe një hap më tutje drejt shpërfaqjes së argumentit se kemi të bëjmë me një nivel joserioz parlamentar", tha Arsim Haziri. Kritik i ashpër është edhe profesor Riza Smaka, i cili ka pasur rastin që pozitën e deputetit ta ushtrojë në një mandat të plotë në legjislaturën e tretë të Kuvendit të Kosovës."Kjo legjislaturë pa dyshim është tejet e dobët dhe inkompetente për të trajtuar e zgjidhur çështje problemore serioze te vendit, të cilat mjerisht janë të shumta", theksoi ai. "Legjislatura e tanishme, falë përjashtimeve të pakta, kurdoherë është tepër konformiste me Qeverinë, e cila jo rrallëherë i imponon Legjislativit vendime të padrejta dhe e shtyn atë në akte problematike, edhe përkitazi me rendin juridik dhe me interesat e vendit - në shkelje kushtetuese. Po të ishte kjo legjislaturë konsekuente me rolin e funksionin e deputetit të pandikuar nga përkatësia politike dhe autoritarizmi i liderit, sanksionuar edhe me Kushtetutë, do të solidarizohej me qëndrimet e drejta të opozitës dhe do të kërkonte përgjegjësi nga Qeveria për shkelje të Kushtetutës, si dhe shkarkimin e saj me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme", tha profesor Smaka për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)