Pastrimi i drejtësisë, peng i mafio-politikanëve

  • 03 May 2016 - 07:51
Pastrimi i drejtësisë, peng i mafio-politikanëve

Gjykatat duhet të pavarësohen dhe të profesionalizohen

Politologu Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se doemos duhet që sistemi gjyqësor të pastrohet nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, por që, sipas tij, asgjë nuk mund të rregullohet në këtë drejtim derisa drejtësia në Kosovë është e ndikuar dhe e kapur nga ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës, por edhe nga mafio-politika dhe bizneset kriminale

Pothuajse janë të shumta shkrimet në shtypin vendor dhe atë të huaj, në të cilat potencohet se sistemi gjyqësor, por edhe ai i drejtësisë në përgjithësi, duhet pastruar sa më parë nga njerëzit e dyshuar si të korruptuar, që janë të involvuar në veprime të kundërligjshme me qëllime të përfitimit. Këtë imperativ e kërkojnë edhe vetë drejtuesit më të lartë të gjykatave dhe prokurorisë, por edhe sistemit gjyqësor në tërësi, përmes konferencave të ndryshme që këta të fundit i organizojnë lidhur me këtë problematikë. Por, çështja është se si mund të kthehet besimi i qytetarëve tek drejtësia, kur dihet se numri i gjyqtarëve që po trafikojnë dhe po shesin lëndë gjyqësore veçse po rritet, derisa në anën tjetër thuajse askush nuk po merret seriozisht me ta. Kjo problematikë doemos e shtron edhe dilemën se kur do të fillojë më në fund pastrimi i gjyqësorit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar si dhe rrjetet mafioze që shtrihen nëpër gjykatat tona që fatkeqësisht në radhët e tyre përfshihen gjyqtarë, prokurorë e deri tek shoferët e gjykatësve që e luajnë rolin e kasnecit në mes të palës dhe pushtetarit? Politologu Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se doemos duhet që sistemi gjyqësor të pastrohet nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, por që, sipas tij, asgjë nuk mund të rregullohet në këtë drejtim derisa drejtësia në Kosovë është e ndikuar dhe e kapur nga ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës, por edhe nga mafiopolitika dhe bizneset kriminale.

Në shërbim të klaneve mafioze

Krasniqi thotë se, ashtu siç ka ndodhur deri më tani, që gjykatësit dhe prokurorët u janë bindur politikës dhe bizneseve, njësoj, sipas tij, edhe gjykatësit dhe prokurorët e rinj do të veprojnë, duke iu bindur atyre që t’u shërbejnë kështu grupeve dhe klaneve mafioze të politikës dhe parapolitikës, në mënyrë që ata edhe në ardhmen të jenë të paprekshëm nga drejtësia. Në këtë kontekst, ai nënvizon se derisa Gjyqësori nuk do të fuqizohet dhe të jetë i lirë nga politika, do të jetë i kotë zëvendësimi i gjykatësve dhe prokurorëve me të rinj, me ata, siç thotë ai, që nuk kanë ndonjë lidhje me politikën dhe bizneset. Ai më tej shton se në Kosovë kemi të bëjmë me drejtësi selektive, ku qytetari i thjeshtë, i cili nuk ka ndonjë mbështetje politike, për një gjobë komunikacioni dënohet sikurse të ishte ndonjë kriminel, e që kjo siç thotë Krasniqi tregon më së miri se në Kosovë kemi drejtësi selektive. Këtu ai bën edhe një krahasim, duke thënë se për mafio-politikën bizneset kriminale dhe njerëzit që sillen rreth tyre drejtësia është ‘nënë’, derisa në anën tjetër për qytetarët e thjeshtë është ‘njerkë’. “Pra, nuk pres që drejtësia në Kosovë të shkëputet nga ndikimi i politikës, përderisa këta pushtetarë kriminelë e mafiozë do t’i kemi në skenën politike, ani pse shpresa vdes e fundit. Por, shpresa është që kur këto qelbësira do të largohen nga skena politike, në mënyrë që të kemi një gjyqësor të pavarur, të pandikuar nga politika dhe bizneset kriminale të lidhura ngushtë me politikanët mafiozë, jo vetëm në drejtësi, por në çdo fushë tjetër do të ketë lulëzim, sepse këta janë penguesit, shkatërruesit dhe kanceri i shtetit dhe gjithë shoqërisë. Deri atëherë mos të presim ditë të mira, por jo duke pritur duarkryq”, është shprehur Krasniqi.(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)