Ekzekutimi i Elton Çiçajt në sytë e oficerit të policisë

  • 03 May 2016 - 09:25
Ekzekutimi i Elton Çiçajt në sytë e oficerit të policisë

Kanë qenë një palë dokumente që mbanin emrin e Robert Ramës, 31-vjeçarit të rritur në Laç, të lëna në mjetin e braktisur me të cilin kanë lëvizur autorët e grabitjes së një banese në Tepelenë një vit më parë, shkaku i masakrave të njëpasnjëshme në harkun kohor të vetëm një viti. Policia, prokuroria dhe të gjitha instancat ligjzbatuese janë në dijeni të startit të kësaj hakmarrjeje të tmerrshme, që dy netë më parë shënoi viktimën e dytë, ndërsa është një djalë i gjymtuar, një tjetër i arrestuar, dy njerëz të dhunuar dhe të traumatizuar në shtëpinë e tyre, që ditën e djeshme i kanë dhënë lamtumirën njërit nga dy djemtë që kishin.

Një histori e frikshme që nis nuk dihet se si, pasi asnjë e dhënë nuk sqaroi asnjëherë se si u arrit të shkohej deri në një familje të thjeshtë në Tepelenë e të masakrohen e grabiten dy bashkëshortët në moshë të thyer. Megjithatë policia dhe prokuroria nuk kanë bërë pak veprime në lidhje me atë ngjarje të rëndë dhe të paprecedentë, që ka ndodhur më 31 mars të vitit të kaluar, ndërsa publikuan faktin se dokumentet që janë gjetur në mjetin e braktisur me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët e asaj grabitjeje, mbanin emrin e Robert Ramës. Policia e shpalli në kërkim laçianin, i cili për t’i shpëtuar arrestimit, u strehua në Shkozet, vend në të cilin vrasësit e gjetën para se ta gjente policia, siç ndodh në përqindjen më të madhe të rasteve të tilla.

Hakmarrja vazhdon

Dy netë më parë, thuajse identik në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin mekanizëm, vritet Elton Çiça, djali i çiftit të grabitur dhe të dhunuar një vit më parë në shtëpinë e tyre. Çiça, i cili gjendej nën shoqërinë e një doktori, punonjësi policie dhe gazetari, ka qenë duke pirë kafe në bar “De Niro”, pak metra larg stadiumit “Dinamo”.

Një makinë ka kaluar me shpejtësi në rrugën e errët, ka lëshuar në tokë një djalë të gjatë dhe të imët dhe ka ikur në drejtim të unazës, ku ende policia nuk ka mundur të sigurojë pamje konkrete të këtij mjeti. Djali, i kamufluar me bluzë me kapuç, me kapele, streha e së cilës i afrohej tek sytë, me atlete dhe tuta sportive, ka hyrë i qetë në lokal. Ka shkuar në drejtim të tavolinës, ku gjendej Eltoni bashkë me miqtë e tij, dhe i ka thirrur në emër: Ti je Eltoni? Më pas i ka shkrepur dy herë pistoletën në kokë; një plumb e ka marrë në kokë dhe një tjetër në qafë.

Me pak shenja jete dhe në një kohë kur të gjithë ishin të tronditur, njerëz të lokalit e kanë nisur për në spital të riun, me idenë për ta mbajtur në jetë, por ka qenë e kotë; miku i tij mjek, në fakt, sipas burimeve ka qenë dentist dhe e ka patur të pamundur të ndryshojë fatin për Elton Çiçën, djalin e madh të Naim Çiçës, burrit që u dhunua në shtëpinë e tij një vit më parë dhe tashmë humbet edhe të birin.

Pas vrasjes 

Autori i vrasjes, që për grupin hetimor nuk ka asnjë dyshim që është vrasës me pagesë, ka dalë i qetë nga lokali. Në dalje është përplasur me gazetarin që ndodhej në tavolinë me Çiçën, por asnjë person tjetër nuk ka lëvizur. Ai ka dalë drejt e në rrugë dhe sipas të dhënave të policisë është nisur në drejtim të Unazës. Në fakt, te Unaza, gjendet edhe një semafor dhe një urë që të kalon në krahun tjetër të Lanës, përballë me ish-Ekspozitën. Dyshohet se atje është marrë nga një makinë dhe është zhdukur. Policia më kot ka ngritur postblloqe.

Autori nuk e ka patur fare të vështirë të zhduket pa gjurmë, pasi edhe maskimi ka qenë perfekt për një akt të tillë, një bluzë e një kapele, që mund të hidhen kudo dhe personi lehtësisht mund të largohet nga të dojë i pa pikasur nga askush. Janë me dhjetëra dëshmi që janë grumbulluar në lidhje me momentin e ekzekutimit të 36-vjeçarit nga Tepelena, janë pamje filmike dhe një sërë të dhënash për fizikun, gjuhën, mënyrën si ka lëvizur, por policia deri mbrëmë ka patuar vetëm dyshime për porosi, por jo për ekzekutim. Burimet policore bënë me dije se djalit që u ekzekutua ju gjet me vete një armë pistoletë, ndërsa asnjë zë zyrtar nuk sqaroi përgjatë gjithë ditës së djeshme praninë e një oficeri policie në tavolinën e viktimës, i cili që në kohën kur u krye vrasja e Ramajt ishte i dyshuar për vrasje, por që policia nuk pati asnjëherë prova për të.

Kush është polici në tavolinën e viktimës në momentin e vrasjes 

Elton Çiça, 36 vjeç, mësohet se ka ardhur në lokal i shoqëruar nga një person tjetër që është dhe miku i tij dhe sipas policisë është me profesion dentist. Kanë hyrë në lokal dhe aty mësohet se i priste oficeri i policisë Alban Trimi, i cili gjendet në komisariatin nr 5 në Tiranë. Trimi, sipas të dhënave të policisë, ka ardhur kohëve të fundit në Tiranë, pasi ai ka shërbyer për disa muaj në Kukës dhe se nuk dihet ende se për çfarë arsyeje është gjetur në shoqërinë e Elton Çiçajt, pasi ky i fundit kishte qenë i dyshuar prej një viti si autori i vrasjes së Robert Ramës. Megjithatë oficeri i policisë ka dhënë dëshminë e tij në polici, bashkë me dy personat e tjerë që kanë qenë me të dhe disa të pranishëm të tjerë që kanë parë se çfarë ka ndodhur në atë moment kur u ekzekutua 36-vjeçari!

Policia: Shkaku i vrasjes, hakmarrja

Janë një sërë personash të dyshuar që janë shoqëruar pas vrasjes në ambientet e policisë së Tiranës. Kryesisht janë njerëz të njohur të viktimës së një viti më parë, Robert Ramës, ku pas marrjes së të dhënave personale, shenjave të gishtërinjve, janë lënë të lirë.

Njëkohësisht bëhet me dije se janë shoqëruar edhe njerëz të afërm me familjen Imeri, ku për shkak të grabitjes së një viti më parë, një djalë gjendet në burg, ndërsa vëllai i tij u gjymtua nga një minë e telekomanduar në dhjetorin e vitit të kaluar, shpërthim që ndodhi në zonën e Kombinatit.

Nëndrejtori i Policisë së Tiranës bën me dije se janë 29 të shoqëruar dhe një person i arrestuar nën akuzën e prishjes së vendit të ngjarjes. Sipas të dhënave të policisë bëhet me dije se të gjithë të shoqëruarit janë krahasuar me parametrat fizik të djalit që ka hyrë dhe ka qëlluar i vetëm në lokal në zonën e ish-Bllokut, duke i marrë jetën Elton Çiçajt, ndërsa ky i fundit gjendej në shoqërinë e tre personave të tjerë. Sipas policisë, për të shoqëruarit nuk ka asnjë të dhënë fizike që ngjason me personin-vrasës, ndërsa ende nuk është bërë e mundur të gjendet as makina.

Një burim policor i tha “Shekullit” se është kapur nga një kamera koha në të cilën ka lëvizur mjeti, por nuk është bërë e mundur të identifikohet pasi është shumë flu meqë ka qenë errësirë dhe duke rënë shi. Megjithatë në një kamerë është fiksuar momenti kur mjeti ndalon para lokalit që lëshon autorin e vrasjes dhe më pas ikën me shpejtësi të madhe për nga Unaza.

Burimi sqaron se do të jetë pikërisht makina që mund të çojë tek autori i krimit, ndërsa sipas tyre është e pashmangshme që shkaku i ekzekutimit është hakmarrja. Sipas të dhënave mësohet se viktimës iu ka gjetur një pistoletë me vete, të cilën e mbante për vetëmbrojtje dhe disa sende të tjera personale, që do të mbahen edhe si ndihmë për të zbuluar ndonjë fakt që lidhet me ngjarjen. Po ashtu pritet të merren në pyetje dhe familjarët e viktimës, po ashtu si edhe persona që u gjenden me të në tavolinë në momentin që u vra

Grabitja në shtëpinë e Naim Çiçajt, zanafilla e konfliktit të përgjakshëm

Ishte pak minuta pas mesnate kur disa persona të maskuar dhe të armatosur hynë në shtëpinë e Naim Çiçajt. Burri bashkë me gruan e tij, Andoleta janë gjendur menjëherë nën breshërinë e goditjeve me grushte nga personat e armatosur dhe më pas janë lidhur me litar. Janë lënë të lidhur dhe tre grabitësit ikin. Thuhet se i priti një makinë shumë afër shtëpisë në të cilën kishin lënë të lidhur burrë e grua dhe ku kishin rrëmbyer edhe 5 mijë euro. Ai mjet ishte me targa diplomatike, pasi u gjet i braktisur në rrugë. Policia pas zbuloi mekanizmin e ngjarjes, pasi të dhunuarit treguan se çfarë kishte ndodhur nisen verifikimin dhe shpallën në kërkim katër persona, mes tyre edhe laçjani Robert Rama dhe djali nga Tepelena, Ervis Imeri, por ky i fundit ishte banor i Tiranës, ashtu siç edhe laçjani.

Gjithashtu u tha se policia shpalli në kërkim edhe dy persona të tjerë po sot e asaj dite asnjë prej tyre nuk ra në prangat e policisë. Për shkakun e asaj grabitjeje dhe akti monstruoz në fakt u fol shumë, por jashtë zyrtaritetit të organeve hetimore. Megjithatë ajo ngjarje u la në kuadër të një grabitjeje dhe u tha se i shënjestruari ishte daja i kreut të bashkisë së Tepeleneës. Çifti i dhunuar, kishin katër fëmijë, por asnjëri nuk gjendej në shtëpi, natën fatale, ku gjithçka ndryshoi në jetën e tyre. Pas asaj ngjarjeje, u tha se i biri, Eltoni, u betua se do të hakmerrej ndaj emrave që kishte publikuar policia dhe në fakt hakmarrja nisi.

Kronologji krimesh

Me 10 qershor në Sukth të Durrësit do të ekzekutohej nga dy persona të maskuar Robert Rama. Ai u ekzekutua me plumb në kokë. pastaj autorët dolën deri tek dera e jashtme e lokalit, u kthyer nga viktima dhe qëlluan me breshëri. U plagosën edhe dy të tjerë, pronari i lokalit dhe një person që nuk kishte lidhje me ngjarjen. Rama u vra dhe la pas nënën, gruan dhe dy fëmijë të mitur, pasi ai nuk kishte vëlla apo motër tjetër pasi i ati e kishte lënë shumë të vogël. Policia teksa tentonte të tregonte se po hetonte ngjarjen saktësoi se ka dyshime të shumta në lidhje me aktivitetin kriminal të viktimës, pasi ai dyshohej për një mori ngjarjesh, përfshi këtu edhe grabitjen në Tepelenë.

Fiks një muaj më pas, Ervis Imeri, nga Tepelena, i kërkuar dhe i dyshuar si bashkëpunëtor në grabitjen në familjen Çiça, njofton policinë se kishte gjetur në mjetin e tij një sasi tritoli. Ai u vu në pranga dhe më pas policia dyshoi se Imeri mund ta kishte vendosur edhe vetë lëndën plasëse. 5 muaj më vonë, pikërisht më 9 dhjetor, në zonën e Kombinatit një mjet hidhet në erë në lëvizje. Drejtuesi i mjetit del nga makina, por për fatin e tij të keq, njëra këmbë i mbetet në makinë. Megjithatë ia arriti të largohej, duke u tërhequr zvarrë dhe t’i shpëtonte shpërthimit fatal. Personi i gjymtuar me minë të telekomanduar ishte Elton Imeri, vëllai i Ervisit, i cili ishte edhe një punonjës në poste drejtuese në Policinë Ushtarake. Eltoni, me këmbë të këputur, i bëri apel policisë dhe prokurorisë që të ndalonin këtë hasmëri, pasi bëri me dije publikisht se ishin pikërisht njerëzit e Naim Çiçajt që po i ndiqnin. Eltoni nga shtrati i spitalit tha edhe faktin së vëllai i tij, Ervisi nuk kishte lidhje me grabitjen.

(Kosova Sot)