Familja Bajrami sulmohet në shtëpinë e saj

  • 03 May 2016 - 20:46
Familja Bajrami sulmohet në shtëpinë e saj

Pushteti serb nuk e ka parë me sy të mirë kthimin e të zhvendosurve shqiptarë për të marrë pjesë në votimet për pushtet lokal në Bujanoc, javën e kaluar. Beogradi është i vetëdijshëm se pa këta qytetarë shqiptarët nuk mund ta fitojnë Bujanocin, prandaj është duke bërë çmos që t`i fshijë ata nga regjistrat,shkruan gazeta Kosova Sot.

Hapi i parë që ka ndërmarrë pushteti serb në Luginë është pasivizimi i adresave të atyre që nuk gjenden duke jetuar në komunën e Bujanocit. Por, duket se edhe provokimi i fundit i një familje shqiptare këtu është i nxitur nga qarqe zyrtare.

"Disa paramilitarë serbë kanë sulmuar ditën e zgjedhjeve familjen Bajrami në Suharrën. Qëllimi ishte që të frikësoheshin banorët e fshatrave Priboc, Zarbicë, Suharrën, Novosellë, Ramabuqë, Qarr, Gjergjec, Muhoc dhe lokaliteteve të tjera të Malësisë së Bujanocit, për të mos marrë pjesë në zgjedhje", thotë Ismet Tafili, zëdhënës i Fondit Humanitar për ndërtimin e rrugës Muhoc-Zarbincë. Ai e cilëson rastin tepër provokues. Një familje shqiptare ishte sulmuar nga 11 serbë, disa ishin punëtorë të Ekonomisë së Pyjeve. Ata fillimisht kishin provokuar Selami Bajramin, kryetar i Bashkësisë Lokale të Zarbicës, në vendin e quajtur Hozer, duke ia nxënë rrugën gjatë kthimit nga Vranja dhe kishin kërcënuar. Por, Selamiu kishte arritur t`i shmanget eksesit dhe kishte ardhur në shtëpi.

Arrestohet pse e mbrojti familjen

Tafili thotë se të njëjti persona (njëri quhej Joca, tjetri Nesha), punëtorë të Ekonomisë së Pyjeve në Vrajë, shkojnë në oborrin e Selamiut dhe tentojnë ta kidnapojnë, duke e sulmuar e duke tentuar ta rrahin. Selamiu, duke e ditur se nuk ka pasur asgjë me këta njerëz, fillon të mbrohet. Fitimi, njëri nga anëtarët e kësaj familje, kur sheh se si serbët po duan t`i rrahin në prag të shtëpisë së tyre e ndoshta edhe të futen në shtëpi, për të bërë edhe ndonjë gjë më të keqe, nga brenda shtie me pushkë gjuetie në ajër, për t'i frikësuar. Nuk kishte zgjidhje tjetër pos të mbronte familjen dhe nderin e shtëpisë. "Është për t'u habitur se si është e mundur që Serbia, e cila po e quan veten shtet demokratik, të rendit e ligjit, ka lejuar që këta njerëz të shkojnë e të sulmojnë një familje shqiptare në shtëpinë e saj. Ndoshta kanë pasur qëllim edhe t'i vrasin", thotë Tafili. Ai beson se këta persona nuk ka dalë atje për ta sulmuar këtë familje dhe përmes kësaj edhe familjet e tjera të pakta që kanë mbetur në këtë Malësi, pa lejen e dikujt nga pushteti. Për çudi, edhe policia që erdhi më vonë u doli në krah sulmueseve, duke fajësuar familjen Bajrami, e cila po mbrohej në pragun e shtëpisë. Policia arreston Fitim Bajramin dhe e dërgojnë në burg në Vrajë dhe pastaj në Nish.

Shqiptarët nuk ka kush t`i mbrojë

Banorët e tjerë dyshojnë se sulmi ka lidhje edhe projektin e rrugës që po përgatitet të fillojë në Malësi, si kusht themelor për t'u kthyer banorët e zhvendosur në vendlindjet e tyre. Shumë prej tyre po mendojnë e planifikojnë të investojnë në tokat e tyre. Dihet se Serbia nuk e do këtë kthim. Individë e familje shqiptare dërgohen në gjyq edhe për një dru të prerë, apo kur zihen duke shitur një kalë dru në Vrajë, pa leje të organit përkatës. Ato pak familje të mbetura në Malësinë e Bujanocit e ndjejnë si sulm edhe ndaj tyre rastin e Selamiut. Sipas tyre, sulmi në shtëpi është paralajmërim se edhe ata duhet të ikin nga shtëpitë dhe tokat e tyre, ndryshe i pret fati i njëjtë.

Ata nuk ka kush t`i mbrojë. Janë shqiptarë. Familjet që jetojnë në këto fshatra të Malësisë së Bujanocit, kërkojnë nga Shqipëria e Kosova që për këtë rast dhe shumë raste të tjera provokuese nga pushteti serb, të ngritin zërin në të gjitha instancat ndërkombëtare. Ata, gjithashtu, thonë se po të kishte ndodhur e kundërta, për shembull, një serbi në Kosovë, t`i prekej vetëm një pulë, Serbia do ta kishte bërë problem edhe në OKB, ashtu edhe siç ka vepruar gjithmonë. "Prishtina e Tirana nuk duhet të heshtin, kur shqiptarët në Luginën e Preshevës dhunohen në shtëpitë e tyre", thotë Tafili.

(Kosova Sot)