Lekaj: Licencimi i operatorëve ekonomikë është politizuar

  • 04 May 2016 - 20:18
Lekaj: Licencimi i operatorëve ekonomikë është politizuar

Deputeti opozitar, Pal Lekaj (AAK) në një prononcim për Gazetën Kosova Sot ka thënë se:  “Një ndër qëllimet themelore të licencimit të operatorëve ekonomikë në të gjithë lëmenjtë e ekonomisë dhe më gjerë, përfshirë këtu edhe fushën e homologimit, është rregullimi i tregut dhe luftimi i monopoleve.

 "Në Kosovë, fatkeqësisht, është duke ndodhur e kundërta. Licencimi i operatorëve ekonomikë është politizuar e bllokuar skajshmërisht. Kështu licenca në Kosovë marrin vetëm ato kompani që janë të kapura nga partia në pushtet, ndërsa të tjerat sorollaten nga një zyrë në tjetrën dhe pas shantazhimeve të gjithanshme ato refuzohen", tha Lekaj. Ai tha se kjo jo vetëm që po ndikon negativisht në rregullimin e tregut, por po e shkatërron edhe klimën e bërjes së biznesit dhe në të njëjtën kohë po i largon investitorët e huaj dhe vendorë nga vendi ynë. "Përse Ministria e Infrastrukturës nuk e licencon edhe një tjetër kompani për homologim dhe kush e pengon atë, kur dihet se Ligji dhe Kushtetuta e detyrojnë që licencat duhet t'i jepen çdo operatori që i plotëson kushtet për të ofruar shërbimet", tha deputeti Lekaj.

(Kosova Sot)