Fakte të çuditshme për Hënën

  • 25 September 2016 - 08:33
Fakte të çuditshme për Hënën

TËRMETET E HËNËS

Nëse keni menduar që toka është trupi i vetëm qiellor që dridhet, atëherë duhet të mendoheni përsëri, pasi që edhe hëna jonë i ka tërmetet e veta. Tërmetet në hënë mund të shkaktohen nga efekti i meteoritëve si dhe nga rrymimet në brendësi të hënës, transmeton gazeta Kosova Sot.

MBETURINAT NË HËNË

Kur Buzz Aldrin dhe Neil Armstrong kishin shkuar në Hënë, ata kishin bërë një të arritur të madhe, mirëpo ata nuk ishin kthyer në tokë pa lënë diçka në sipërfaqen e saj: hedhurina. Në fakt, kjo gjë nuk është bërë me qëllim të ndonjë studimi, mirëpo baza nga toka i ka udhëzuar astronautët që t'i linin prapa gjërat që nuk u nevojiteshin, për të liruar hapësirë për dheun e marrë nga hëna dhe gjërat tjera të nevojshme për studim.

HËNA NDIKON NË GJUMIN TONË

A ju ka ndodhur ndonjëherë që të orvateni të flini, mirëpo përpjekjet tuaja kanë qenë të kota, pasi që në asnjë mënyrë nuk u ka zënë gjumi. Nëse ju ndodhë përsëri një gjë e tillë, atëherë zgjatuni në dritare dhe shikoni jashtë. Nëse hëna është e plotë, atëherë gjasat janë të mëdha që ajo është 'fajtore'. Kjo gjë është vërtetuar nga një sërë studimesh të hulumtuesve me nam.

NUK ËSHTË AQ E VJETËR SA MENDOJMË

Ndonëse teoria më e qëndrueshme thotë se Hëna është 4.53 miliardë vjet e vjetër, një studim i realizuar së fundmi tregon që hëna, në fakt, është për 100 milionë vjet më e re sesa që është menduar. Ky zbulim është bërë falë përparimit të teknologjisë dhe ekzemplarëve të sjella nga sipërfaqja e saj.

HËNA I SHKAKTON BATICAT DHE ZBATICAT

Hëna ka ndikim edhe në baticat dhe zbaticat e oqeaneve. Gjatë kohës kur toka rrotullohet gjatë ditës, graviteti i hënës ndikon në pjesë të ndryshme të planetëve, duke i tërhequr ata. Ndonëse Toka ka masë shumë më të madhe sesa hëna, për shkak të afërsisë, graviteti i hënës ndikon në lëvizjen e gjërave në tokë dhe, në rastin tonë, shkakton batica dhe zbatica.

HËNA PO LARGOHET NGA TOKA

Hëna, ndonëse ngadalë, po largohet nga planeti ynë. Megjithatë, asnjëri prej nesh nuk do ta vërejë dallimin, pasi që hëna është duke lëvizur me ritëm shumë të ngadaltë - 3.78 centimetra në vit. Andaj, nuk ka vend për panik.

VETËM 12 NJERËZ KANË SHKELUR NË HËNË

Në gjithë historinë, vetëm 12 njerëz kanë shkelur në sipërfaqen e hënës. Të parët, siç e dini, kanë qenë Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin, të cilët në satelitin natyral të tokës kanë zbarkuar më 20 prill të vitit 1969 në misionin e famshëm 'Apollo 11'. Pas tyre, vetëm dhjetë astronautë të tjerë kanë shkelur në sipërfaqen e hënës dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë femër.

HËNA ËSHTË OVALE

Përkundër faktit që hënën e keni parë të vizatuar në forma të ndryshme, e vërteta është që forma e hënës është ovale. E, duket se ashtu siç i shkakton hëna baticat dhe zbaticat, edhe këto kanë ndikuar në formën e hënës.

HËNA DIKUR KA PASUR FUSHË MAGNETIKE

Sot, siç dihet, hëna nuk ka fushë magnetike, mirëpo shkencëtarët kanë ardhur në përfundim që në të kaluarën hëna ka qenë e mbështjellë me një fushë të tillë. Qëndrimet në lidhje me jetëgjatësinë e fushës magnetike janë të ndryshme, megjithatë besohet që ajo ka ekzistuar deri para 1.3 miliard vjetësh.

(Kosova Sot)