A është e vërtetë që luledielli e kthen kokën nga dielli?

  • 20 May 2017 - 09:11
A është e vërtetë që luledielli e kthen kokën nga dielli?

Po. Si gjethet, ashtu edhe lulet janë heliotropike, që do të thotë se kthehen nga vjen drita e diellit. Bima grumbullon auksinën, një hormon bimor që kontrollon rritjen,transmeton Kosova Sot Online.

 Në anën që nuk sheh nga dielli, sasia e auksinës është më e madhe, dhe kjo bën që kërcelli të rritet duke u drejtuar nga dielli. Megjithatë, kur çelin plotësisht, lulet nuk janë më heliotropike, por në përgjithësi drejtohen nga lindja.
Emri i lulediellit në latinisht, Helianthus annuus, vjen nga fjalët greke që do të thonë «diell» e «lule» dhe nga fjala në latinisht që do të thotë «njëvjeçare». Ajo zakonisht shkon rreth dy metra, por disa lloje gjigante rriten më shumë se dyfish. Kërcelli i fortë dhe gjethet e ashpra e të gjelbra kurorëzohen me një lule të madhe, të rrumbullakët, me petale në ngjyrë të verdhë të ndezur. Petalet rrethojnë pjesën e errët në qendër, që përbëhet nga lule të vogla në formë tubthash. Kur pjalmohen nga insektet, këto lule të vogla japin farat e ngrënshme të lulediellit. Diametri i boçes së lulediellit shkon nga 5 deri në 50 centimetra dhe prodhon 100 deri në 8.000 fara.

(Kosova Sot)