Historia e ariut ‘Winnie The Pooh’

  • 26 June 2017 - 16:30
Historia e ariut ‘Winnie The Pooh’

Personazhi i njohur vizatimor i ‘Disneyt’, ‘Winnie the Pooh’ (Uini Pu), është frymëzuar nga një ari imagjinar i krijuar nga A. A. Milne në librat e tij. Megjithatë, Winnie, i cili shpesh quhet vetëm Ariu Pooh (Pu), apo edhe vetëm Pooh, besohet të ketë ekzistuar me të vërtetë. Tregimet rreth ariut ‘Winnie The Pooh’ janë përkthyer në disa gjuhë, duke përfshirë edhe gjuhën latine, me titull “Winnie ille Pu”, i cili është libri i vetëm në gjuhën latine, që gjendet në listën e bestsellerëve në “New York Times”. Tregimet për ariun Pooh janë përshtatur nga “Walt Disney”, i cili pavdekësoi ariun ‘Winnie the Pooh’ si personazh të “Disneyt”, që pëlqehet njësoj si nga fëmijët, po ashtu edhe nga të rriturit.

Origjina e ariut ‘Winnie The Pooh’ duket se i ka rrënjët që nga Lufta e Parë Botërore. Gjatë kësaj lufte, ushtarët transportoheshin nga vendi i quajtur Uinipeg, në Kanadanë lindore. Ata duhej që t’i bashkoheshin Brigadës së dytë kanadeze të këmbësorisë në Evropë. Kur treni me ushtarët kanadezë u ndal në vendin Uajt River, Ontario, togeri Heri Kolebërn kishte blerë një ari të vogël femër nga një gjuetar, me çmim prej 20 dollarësh. Togeri emërtoi ariun e vogël me emrin Uinipeg, në bazë të qytetit të tij të lindjes dhe e quajti shkurtimisht Uini. Arusha e vogël Uini u bë shenja dalluese e brigadës, të cilën e shoqëroi deri në Britani. Derisa brigada u dërgua në fushëbetejat franceze, togeri Kolebërn e kishte dërguar Uinin në kopshtin zoologjik të Londrës, për një kohë të caktuar. 

Në dhjetor të vitit 1919, Kolebërni formalisht e prezantoi Uinin në kopshtin zoologjik të Londrës, ku  ai u bë shumë shpejt atraksion për vizitorët. Uini ishte e preferuar edhe për Kristofer Robinin, të birin e shkrimtarit A.A. Milne, i cili u lidh aq shumë me arushën, saqë filloi ta thërriste “Winnie the Pooh". Kështu, i ati i tij shkrimtar nuk e kishte vështirë që të fillonte me shkrime rreth këtij ariu. Në këta libra përmenden edhe personazhe të tjera, si Eeyore, derri i vogël, tigri, Kanga dhe Roo, bazuar në kafshët lodra që i takonin Kristofer Robinit.

Libri 'Winnie-the-Pooh' u botua në vitin 1926, vjershat 'Now We are Six' në vitin 1927, kurse libri 'The House at Pooh Corner' në vitin 1928. Që të gjithë këta libra kanë vizatime të mrekullueshme, të bëra nga E.H. Shepard, të cilat ndikuan edhe më shumë në rritjen e popullaritetit të këtyre librave, duke u dhënë atyre thuajse një kuptim magjik. Kjo frymëzoi “Walt Disneyn” që të fillojë me filmat e vizatuar në vitin 1966. 'The Many Adventures of Winnie the Pooh' është filmi i parë i animuar i metrazhit të gjatë, që u lëshua në vitin 1977. Që nga kjo kohë, ariu Uini nuk ka pushuar së magjepsuri fëmijët në mbarë globin.

(Kosova Sot)