Fakte botërore nga gjeografia

  • 16 July 2017 - 18:20
Fakte botërore nga gjeografia

Pika më e thellë në oqean

Pika më e thellë e ndonjë oqeani quhet “Mariana Trench”, ndërkaq gjendet në një thellësi prej rreth 10.911 metrash në Oqeanin Paqësor. Kjo thellësi ka një vlerë më të madhe, të shprehur në metra, sesa mali më i lartë në botë, Mont Everest, i cili është 8.850 metra i lartë.

Liqeni më i lartë i lundrueshëm

Liqeni Titikaka në Peru është liqeni i lundrueshëm me lartësinë më të madhe mbidetare në botë – gjendet 3.810 metra mbi nivelin e detit. Ky liqen po ashtu është liqeni i dytë me ujë të freskët për nga madhësia në Amerikën jugore.

Liqeni më i ulët

Liqeni me lartësinë më të vogël mbidetare është Deti i vdekur (i cili edhe pse quhet det, në fakt është liqen), i cili gjendet në Luginën e Jordanit në Izrael. Sipërfaqja e ujit në këtë vend është 408 metra nën nivelin e detit. Deti i vdekur po ashtu është edhe liqeni më me kripë në botë. Aty nuk mund të jeton thuajse kurrfarë gjallese, me përjashtim të organizmave të thjeshtë, sikur që janë algat e gjelbra.

Liqeni më i madh me ujë të ëmbël

Liqeni Superior është liqeni më i madh nga grupi i liqeneve të mëdha, duke qenë njëkohësisht edhe liqeni me ujë të ëmbël me sipërfaqen më të madhe në botë. Liqeni Superior mbulon mbi 82.000 km tokë.

Liqeni më i thellë

Liqeni Bajkal është liqeni më i thellë në botë dhe gjendet në Sibir të Rusisë, në veri të kufirit mongolez. Ai ka një thellësi prej 1.637 metra.

Oqeani më i madh

Oqeani Paqësor është oqeani më i madh në botë. Ai mbulon gati një të tretën e sipërfaqes së Tokës dhe shtrihet nga Deti i Beringut në veri të Arktikut, deri te ujërat e ngrira të Detit Ros në Antarktik, në jug.

Oqeani më i vogël

Oqeani më i vogël është Oqeani Arktik, i cili është rreth 10 herë më i vogël sesa Oqeani Paqësor.

Lumi më i gjatë

Lumi i Nilit në Egjipt është lumi më i gjatë në botë. Ai ka një gjatësi prej 6,671 km dhe derdhet në Detin Mesdhe.

Lumi më i shkurtër

Lumi më i shkurtë në botë, sipas Librit të Ginisit të rekordeve, është lumi Roe. Ai e ka një gjatësi prej vetëm 61 metrash dhe gjendet në Montana të SHBA-së. Por, ka pasur një debat rreth asaj se cili lumë është më i shkurtri. Lumi D në Oregon është parë t’i ketë vetëm 37 m. Ai bashkon Liqenin Devil me Oqeanin Paqësor afër qytetit Linkoln. Meqë ky lum derdhet direkt në oqean, gjatësia e tij ndryshon, varësisht nga batica dhe zbatica, prandaj edhe ka mospajtime rreth gjatësisë së tij.

Lumi më i madh

Baseni i Amazonës në Amerikën latine është lumi më i madh (jo më i gjatë), me rrjedhën më të madhe të ujit.

Ujëvara më e lartë

Ujëvara Angel në parkun nacional “Canaima” në Venezuelë është ujëvara më e lartë, me një lartësi prej 979 metrash.

Ja disa të dhëna të tjera interesante:

Numri i njerëzve në botë: 6.820.000.000 (6.82 miliardë) – në maj të vitit 2010.  

Rritja e popullatës botërore: 1.13 për qind  - vlerësim nga viti 2009

Perimetri i Tokës në ekuator: 40.075 km

Perimetri i Tokës midis polit të veriut dhe të jugut: 40.008 km

Diametri i Tokës në Ekuator: 12.756 km

Diametri i Tokës në pole: 12.713 km

Distanca mesatare midis Tokës dhe Diellit: 149.669.180 km

Distanca mesatare midis Tokës dhe Hënës: 384.403 km

Temperatura më e lartë e ajrit e matur ndonjëherë: 57.7 ºC më 13 shtator të vitit 1922 në Al Azizia të Libisë

Temperatura më e ultë e matur ndonjëherë: -89.2°C në Vostok, Antarktik, më 21 korrik të vitit 1983

Raporti midis ujit dhe tokës: 70.8 për qind ujë, 29.2 për qind tokë

Vjetërsia e Tokës: 4.5 deri 4.6 miliardë vjet

Përbërja e atmosferës: 77 për qind azot, 21 për qind  oksigjen, si dhe argon, dioksid karboni dhe avull uji në gjurmë

(Kosova Sot)