Kafshët e jashtëzakonshme

  • 13 August 2017 - 19:22
 Kafshët e jashtëzakonshme

Hunda e elefantit përmban rreth 100,000 muskuj dhe mund të ngrehë deri në 272 kg. Por, ajo nuk shërben vetëm për fuqi. Elefantët kanë edhe struktura të ngjashme me gishtërinjtë në majën e hundës së tyre, të cilët i përdorin për të marrë objekte të vogla, një degë për shembull apo edhe fije bari. Elefantët afrikanë kanë nga dy prej këtyre strukturave të dobishme në hundën e tyre. Elefantët aziatikë kanë vetëm një.

Delet mund të njohin fytyrat e 50 anëtarëve të tjerë të tufës së tyre dhe ato i mbajnë në mend  deri në 2 vite. Shkencëtarët kanë zbuluar që delet, si njerëzit, kanë zona të specializuara në trurin e tyre për mbamendjen e fytyrave.

Delfinët me hundë si shishe (që në fakt janë balena të vogla) i japin njëri-tjetrit emra ‘të fishkëllimave’. Këto kafshë i përdorin këto fishkëllima për të takuar delfinët e tillë si për të thënë: “Tung, unë jam ky-kjo dhe jam miqësor”. Delfinët duket se vendosin vetë për emrat e tyre kur janë shumë të rinj.

Pinguinët meshkuj mund të ruajnë ushqimin e patretur në lukthin e tyre deri në tri javë. Shkencëtarët besojnë që pinguinët prodhojnë një materie kimike që vret bakteret në sistemin e tyre të tretjes. Kjo e ruan ushqimin (kryesisht peshq dhe kallamar ) nga prishja. Pinguini mashkull mund të rikthejë ushqimin në çdo kohë që ka nevojë për të ushqyer të vegjlit.

Gjuha e një gjirafe është thuajse 51 cm e gjatë. Ajo është e mbuluar me puçrra të vogla dhe ka një ngjyrë thuajse të kaltër në të zezë. Gjatësia dhe fortësia e gjuhës së gjirafës e bën më të lehtë për kafshën që të arrijë në mënyrë të sigurt tek ushqimi i saj i preferuar, gjethet e drurit të mbuluar me thumba, akacies. Shkencëtarët mendojnë që ngjyra e errët e gjuhës e mbron atë nga djegia e shkaktuar nga dielli, derisa ajo merr gjethet e larta.

Gaforret fantazma që jetojnë në strofka të krijuara në plazhet me rërë, janë vrapues shumë të shpejtë. Ato mund të kalojnë 2 metra në vetëm një sekondë. Nuk ka shumë kafshë që do t’i mundnin ato në një garë vrapimi në rërë.

Kur është nxehtë krokodilët flenë me gojë të hapur. Kjo për shkak se ata nuk djersijnë. Kështu që kur ngrohen së tepërmi, ata duhet të lëshojnë një sasi të nxehtësisë nëpërmjet gojës së tyre.

Disa kafshë mund të këpusin një pjesë trupore për t’i ikur grabitqarëve. Për shembull një hardhucë shumë shpejt mund të këpusë një pjesë të bishtit nëse kapet nga grabitqarët. Një gaforre shkëput një nga mashat e saj. Ndërsa, disa insekte shkëputin një këmbë. Kafshët e lënduara më pas zvarriten në një vend të sigurt dhe rifillojnë procesin e rritjes së bishtit, mashës apo këmbës.

Majmunët e llojit makaui japonez, që jetojnë në malet e Japonisë, pëlqejnë të krijojnë topa bore. Por, ata nuk ia gjuajnë topat e borës njëri-tjetrit. Ata thjesht luajnë vetë me ta. Këta primatë janë gjithashtu të famshëm për pastrimin e ushqimit të tyre në ujë me kripë para se ta konsumojnë atë. Uji pastron ushqimin dhe e bën më të shijshëm.

(Kosova Sot)