Fakte rreth qenve

  • 14 November 2017 - 09:29
Fakte rreth qenve

Ne e dimë se qentë janë shokët më të mirë të njeriut. Ata na duan dhe ne i duam, megjithatë ne nuk jemi të sigurt se nga kanë ardhur

Shumë shkencëtarë mendojnë se ata e kanë origjinën prej ujqve të para 15 mijë vjetëve. Edhe pse ujqit janë të egër e qentë janë të butë, ata ende i përngjajnë mes vete. Të dy i lëkundin bishtat e tyre, kur janë të lumtur dhe fusin bishtin mes këmbëve kur kanë frikë. Ata gjithashtu hungërijnë kur janë të zemëruar, shënojnë territorin e tyre dhe duan të jenë pjesë e një komuniteti. Shkencëtarë të tjerë mendojnë se sot ka rreth 400 lloje të qenve, të cilët e kanë origjinën nga qentë e egër, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Pa marrë parasysh se cilët ishin paraardhësit e tyre, qentë kanë avantazh ndaj kushërinjve të tyre, kur bëhet fjalë për leximin e sinjaleve të njerëzve. Në një eksperiment, të bërë me shimpanze, qen dhe ujq, ushqimi ishte fshehur nën një prej dy kontejnerëve. Qentë ishin shumë më të suksesshëm sesa kafshët e tjera, sepse ata kishin shikuar eksperimentuesin, i cili u kishte bërë me shenjë, kishte shikuar apo kishte trokitur në kontejnerin me ushqim.  Qentë janë shumë të mirë si kafshë shtëpiake, por disa janë të trajnuar në mënyrë të veçantë për të na bërë shoqëri. “Qentë punëtorë” i drejtojnë njerëzit e verbër dhe ata në karrige me rrota, ndihmojnë policinë për të gjetur bomba dhe drogë, ruajnë delet, rrisin vullnetin e njerëzve të sëmurë, gjejnë udhëtarët e humbur, e madje edhe aktrojnë në filma dhe televizor!

FBI-ja përdor qentë sepse ata janë të mirë për të gjetur gjëra, duke përdorur shqisat e tyre. Shqisa e të dëgjuarit të qenit është 44 herë më e fuqishme se e jona dhe qentë nganjëherë mund ta nuhasin një aromë 750 metra larg, edhe kur gjendet nën tokë apo nën ujë! Qentë e FBI-së trajnohen nga agjentë të veçantë të FBI-së, të cilët e dinë se çfarë duhet kërkuar. Ata e mësojnë qenin që të gjejë gjëra specifike në vende të ndryshme, siç janë drunjtë, pyjet, çantat ose veturat. 

(Kosova Sot)