< Kush lexon, fiton - OK KIDS - Kosova Sot
Kush lexon, fiton

Kush lexon, fiton

“Një shtëpi pa libra është si një trup pa shpirt”, thoshte Ciceroni.

Të humbësh në një labirint librash dhe të zhytesh në një univers historish është një përvojë emocionuese.

Një udhëtim që nuk ka çmim e që të hap horizonte të reja dhe të krijon avantazhe për të ardhmen.

Të lexosh, përmirëson jetën e të gjitha ditëve. Të ndihmon që të kalosh stresin dhe të përballesh me problemet e vogla dhe të mëdha të ditës. Madje, edhe ato me natyrë ekonomike.

Një studim arriti në përfundimin se kur lexon libra, nuk është vetëm diçka e bukur, por edhe e dobishme.

Ky kërkim u bë nga tre ekonomistë të Universitetit të Padovës, Giorgio Brunello, Guglielmo Weber e Christoph Weiss. Përfundimi është se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes fitimeve të të rriturve, të cilët janë rritur në ambiente stimuluese për leximin dhe me bagazh kulturor.

Kur jeton një fëmijëri të mbushur plot me libra dhe histori, atëherë të vegjlit ndihmohen që të përmirësojnë pozicionin e tyre në punë kur rriten.

Studimi u publikua në “The Economic Journal” dhe analizoi 6 mijë burra të lindur në nëntë vende europiane.

Konkluzioni është se personat të cilët në moshë të vogël kishin akses te librat, mund të prisnin të fitonin më shumë të ardhura, sesa ata që gjatë fëmijërisë kanë lexuar pak, ose aspak.

Kërkuesit zgjodhën periudhën mes viteve 1920 deri në 1956, kur në Europë u ngrit problemi i shkollës së detyruar.

Kërkuesit pastaj analizuan llojin e ambientit ku u rritën personat e studiuar, ose më saktë nëse në moshën 10-vjeçare, fëmijët e analizuar jetonin në një shtëpi me më pak se 10 libra, me një raft plot me libra, me një librari me 100 libra, dy apo më shumë.

Nga kërkimi rezultoi se një vit shtesë edukimi, përveç atyre të detyruar i ka shtuar të ardhurat mesatare të një burri të rritur me rreth 9%.

Por rendimenti varion shumë si pasojë e sfondit social-ekonomik.

Burrat e rritur në familje që kishin më pak se një raft të mbushur me libra, fituan vetëm 5% më shumë me një vit shtesë të formimit, krahasuar me 21% të fitimeve më shumë të atyre që patën akses në shumë libra.

Madje ata që ishin rritur mes shumë librash e patën më të lehtë që të ngriheshin në detyrë. Për më tepër, për ata ishte shumë e lehtë që të gjenin një punë në zyrë. Kërkuesit ofrojnë një sërë shpjegimesh.

“Ndoshta librat janë të rëndësishëm sepse inkurajojnë fëmijët që të lexojnë më shumë dhe leximi mund të ketë efekte pozitive në rendimentin shkollor. Për më tepër, një shtëpi e mbushur me libra tregon kushte social-ekonomike më të mira”, shpjegojnë ata.

Numri i librave në shtëpinë e një fëmije mund të thotë shumë për llojin e ambientit ku do të rritesh dhe për të rriturin që do të bëhet.

Një shtëpi plot me libra inkurajon dhe stimulon kapacitetet konjitive dhe social-emotive të më të vegjëlve. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme për suksesin ekonomik dhe të karrierës në jetën e tij.

(Kosova Sot)

6 orë e 57 minuta më parë