Tetë gjëra që mund t’i bëni me orën ‘Apple’

  • 16 November 2017 - 12:39
Tetë gjëra që mund t’i bëni me orën ‘Apple’

Aktivizoni ‘Siri’-n me zërin tuaj

Përdoruesit e ‘iPhone’-ëve tanimë janë mësuar me përdorimin e ‘Siri’-t dhe aktivizimin e tij me zë, mirëpo, një gjë e tillë nga tash e tutje mund të bëhet edhe me orët e kompanisë ‘Apple’, të cilat aktivizohen vetëm nga zëri i pronarit të tyre, që u thotë ‘Hey Siri’. Pasi që ‘Siri’ të hapet, ai përsëri dirigjohet me zë, që i bie se teknikisht, përdoruesit nuk kanë nevojë ta prekin orën fare për t’i kryer shërbimet në ‘Siri’, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Hapni aplikacionet me ‘Siri’

Një gjë shumë e rëndësishme është se orën e kësaj kompanie mund ta përdorni edhe për instalimin e disa aplikacioneve. Mirëpo, meqë ikonat e aplikacioneve, që paraqiten në ekranin e orës, janë shumë të vogla, kompania është dashur të mendojë diçka në ketë drejtim dhe si rrjedhojë përdoruesve iu është mundësuar që t’i hapin aplikacionet e dëshiruara nëpërmjet ‘Siri’-t, që siç thamë, aktivizohet me zë.

Fotografojeni ekranin e orës suaj

Nëse dëshironi që ta ruani fotografinë e asaj se çka jeni duke punuar në orën tuaj, sikur që mund ta bëni në ‘iPhone’ e në pothuajse të gjithë celularët tjerë të mençur, nga tash mund ta bëni një gjë të tillë. Këtë gjë mund ta bëni thjesht duke  prekur butonin që gjendet anash orës dhe si rrjedhojë do të ruhet fotografia e asaj që jeni duke punuar në orën tuaj.

Restartojeni orën

Sikur shumica e pajisjeve tjera të mençura, edhe ora ‘Apple’ është një lloj kompjuteri i vogël dhe si rrjedhojë, në disa raste, ajo nuk funksionon siç duhet dhe duhet ndalur. Kur gjendeni në një pozitë të tillë, thjesht i mbani dy butonat – atë të mesit dhe atë anash – dhe, pasi që ta mbani për 10-15 sekonda, ora juaj do të fiket dhe do të ndizet përsëri.

Uljani zërin orës

Hapeni aplikacionin ‘Apple Watch’ që gjendet në celularin tuaj, pastaj shkoni në opsionin “My Watch,” “Sounds & Haptics” dhe më pas në “Cover to Mute”. Pasi që butoni i fundit ta ketë ndryshuar ngjyrën, pra të jetë bërë i gjelbër, ora juaj vihet në heshtje.

Dërgoni porosi, që janë shkruar më herët në celular

‘Apple Watch’ mund të bëjë shumë gjëra mirëpo nuk ua lejon përdoruesve që të shkruajnë porosi, drejtpërsëdrejti nga ora e tyre. Ndonëse një gjë e tillë mund të duket shumë e mërzitshme, e mira është që ju mund t’i ruani disa mesazhe në orën tuaj, të cilat, paraprakisht, i shkruani në celular. Pra, i lini sa mesazhe të dëshironi, të cilat, më pas, mund t’i dërgoni nga ora juaj.

Shikojeni aplikacionin, që e keni përdorur së fundmi

Ndonëse është një pajisje e mençur, ‘Apple Watch’ është edhe një orë standarde, që ua tregon orën. Nganjëherë, sikur në celularët e mençur, përdoruesit dëshirojnë që të futen në aplikacionin, të cilin e kanë vizituar për herë të fundit dhe e mira është që këtë gjë mund ta bëni edhe në orë.

Fshini të gjitha lajmërimet përnjëherësh

Nëse ora juaj ‘Apple’ duket sikur po punon më ngadalë se zakonisht apo duket që u janë grumbulluar shumë lajmërime në celular, mundësia më e mirë që keni është t’i fshini të gjitha lajmërimet përnjëherësh. Nëse gjendeni në një pozitë të tillë, gjëja më e mirë që mund të bëni është të shkoni në opsionin “Notifications”, pastaj në “Force Touch” dhe në “Clear All”, si rrjedhojë do të fshihen të gjitha lajmërimet nga ora juaj e mençur. 

(Kosova Sot)