Udhëtimet shtegtare

  • 22 November 2017 - 16:33
Udhëtimet shtegtare

Disa kafshë kurrë gjatë jetës së tyre nuk udhëtojnë. Të tjerat ndërmarrin udhëtime të gjata, të quajtura shtegtime. Këto kafshë, të quajtura ndryshe kafshë shtegtare apo migruese, udhëtojnë për të gjetur ushqim, për t’u shumuar, apo që të ikin nga moti i keq, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Udhëtimi i balenave

Çdo verë, balenat e hirta udhëtojnë në kërkim të ushqimit. Balenat udhëtojnë nga ujërat e bregut të Kalifornisë deri në Bregun Perëndimor të SHBA-së dhe Kanadasë, duke vazhduar deri te Deti i Beringut, midis Alaskës dhe Rusisë. Disa notojnë aq në veri, sa që mbërrijnë në Oqeanin Arktik. Këtu ka ushqim të mirë, ku ushqimi kryesor është planktoni, një formë e imët e gjallesave të detit. Ky udhëtim është i gjatë gati 20 000 km, duke paraqitur kështu shtegtimin më të gjatë të ndonjë gjitari.

Monarkët e shiut

Çdo gusht, me miliona flutura të ashtuquajtura monarkike fillojnë që të migrojnë nga Kanadaja dhe pjesa veriore e SHBA-së për ta kaluar dimrin në Meksikë, apo në Kaliforni. Ato udhëtojnë deri në 3 200 km, ndonjëherë duke kaluar 1 500 km në ditë duke fluturuar, me qëllim që të ikin nga të ftohtit. Këto flutura më pas i bëjnë të vegjlit e tyre, të cilët më pas do të kthehen në veri. Por, fluturat e rritura jetojnë shkurt, prandaj ato e bëjnë vetëm një udhëtim të tillë në jetën e tyre.

E pabesueshme

Ushqimi kryesor i fluturave monarkike janë gjethet e një druri helmues, prandaj edhe këto flutura bëhen helmuese. Për këtë shkak, kafshët e tjera nuk i hanë ato.

Udhëtuesi arktik

Mbret i udhëtimeve në distanca të mëdha është zogu arktik. Çdo vit, ky zog udhëton deri në 72 000 km. Udhëtimi fillon nga skaji verior i Grenlandës, ku ata i çelin të vegjlit, e deri në brigjet e Antarktikut dhe anasjelltas. Gjatë jetës së vet, ky zog bën një udhëtim aq të gjatë, sa të sillej 60 herë rreth Tokës.

Migrimet më të gjata të gjitarëve të tokës

Disa nga gjitarët që jetojnë në tokë migrojnë në kërkim të ushqimit apo motit më të mirë. Ja udhëtimet më të gjata të tyre:

Dreri brigjerë - 4400 km (Alaskë)

Gjedhi i egër - 800 km (në Tanzani)

Ujku - 750 km (Kanada)

Cjapi i egër veshëbardhë - 700 km (Sudan)

Dhia “dhiru” - 650 km (Kinë)

(Kosova Sot)