Peshku që jeton në shkretëtirë

  • 24 November 2017 - 19:35
Peshku që jeton në shkretëtirë

Të gjithë e dimë se peshqit jetojnë në ujë. Por, ekziston një lloj peshku që jeton në shkretëtirë. Nuk besoni?

Ekziston një lloj peshqish që në anglisht quhen “lungfish” (lung = mushkëri; fish = peshk) dhe jetojnë në Afrikë. Kur ndodh dalja e lumenjve nga shtrati i tyre, atëherë uji shkon edhe në pjesët e thata, të shkreta. Kështu formohen pellgje të shumta, ku jetojnë peshqit.

Por, kur pellgjet shteren, kjo nuk d.m.th. se ngordhin edhe peshqit me mushkëri. Ata futen në baltën e lagësht, ku mund të jetojnë me muaj të tërë, sidomos nëse hyjnë në thellësi të mëdha. Ndonjëherë këta peshq janë gjetur disa metra thellë në baltë.

Peshqit e tillë janë ndër llojet më të lashta të peshqve me eshtra që jetojnë edhe sot e kësaj dite. Ata janë shumë të ngjashëm me peshqit që kanë jetuar para 200 milionë vjetësh, në fillim të erës së mezozoikut. Ishte kjo një periudhë kur dinozaurët, peshqit, reptilët fluturues dhe drunjtë, gjithmonë të gjelbëruar, e mbulonin pjesën më të madhe të tokës.

 (Kosova Sot)