Historia e të Përhiturës

  • 20 April 2018 - 09:02
Historia e të Përhiturës

E Përhitura, ose Hirushja, si të doni, është njëra ndër përrallat më të njohura në botë. Kjo përrallë tanimë është pjesë e folklorit të shumë kulturave. Në botë tani ekzistojnë nga 350 deri në 1 500 versione të ndryshme të kësaj përralle.

Ngjarja e kësaj përralle flet për një vajzë të re e të mirë (heroina e kësaj përralle), e cila vuan nga njerka dhe bijat e saj, pasi më parë i kishte vdekur nëna, ndërkaq babai i ishte martuar përsëri. Në disa variante të kësaj përralle, babai i saj nuk përmendet, derisa në versione të tjera edhe ai e keqtrajton Të Përhiturën.

Heroina e kësaj përralle e ka një roje magjike, e cila i ndihmon asaj që të triumfojë ndaj njerkës së saj të ligë dhe bijave të saj, po ashtu të liga e të këqija. Kjo roje në disa versione është mishërim i nënës së vdekur të Hirushes, e në variantet e tjera ajo quhet Zana e Mirë. Pjesa më e madhe e varianteve të kësaj përralle përmban edhe magji, e cila simbolizohet me anë të një pjese të veshmbathjeve, sidomos me anë të një këpuce, apo pantofle të qelqtë, e cila në njëfarë mënyre është simbol i vlerës së vërtetë të heroinës.

Versioni më i vjetër i kësaj përralle vjen nga Kina. Ky version mendohet të jetë shkruar nga Tuan Çeng-Shih në mes të shekullit IX. Nga mënyra sesi është shkruar, mendohet se lexuesit tanimë ishin të njohur me këtë ngjarje, por se ky ishte versioni i parë i shkruar. Në variantin kinez të kësaj përralle, heroina quhet Jeh-Shen dhe nuk ka zanë të mirë. Në vend të saj, aty është peshku magjik, i cili e ndihmon vajzën. Këpuca e artë i ndihmon princit që ta gjejë heroinën e përrallës dhe të martohet me të.

Versioni tjetër më i vjetër i shkruar vjen nga një francez, Sharl Perro. Ai e ka shkruar këtë version në vitin 1697, me ç’rast e përmend edhe zanën e mirë. Ky version po ashtu e përmend edhe qerren nga kungulli, kafshët shërbëtore dhe pantoflat e qelqta. Perro e kishte dëgjuar këtë version nga populli, por ia kishte shtuar disa elemente të tij. Disa ekspertë besojnë se ai e kishte përzier gabimisht fjalën “vair” (që në frëngjisht d.m.th. lesh), me fjalën “verre” (frëngjisht qelq), gjë që mund të shpjegojë sesi pantoflat dolën të jenë të qelqta! Në këtë version, në fund të përrallës, E Përhitura gjen burra edhe për motrat e saj.

Versioni i vëllezërve Grim, që njihet në origjinal si “Aschenputtel”, ose Vajza e Hirit, nuk ka zanë të mirë. Në tregimin e tyre, heroina mbjell një pemë në varrin e nënës së saj, me ç’rast pëllumbat e bardhë i ndihmojnë asaj me magji. Për shkak të ligësisë së tyre ndaj Hirushes, motrat nga babai dënohen ashtu që sorrat ua nxjerrin sytë.

Në kohët moderne, përralla për Të Përhiturën është përfshirë në shumë libra, filma muzikorë, romane dhe ëndrra të vajzave të vogla. (Kosova Sot)