Ua prezantojmë majmunin angolez

  • 18 October 2018 - 09:53
Ua prezantojmë majmunin angolez

Majmuni angolez i llojit kolobus (Colobus angolensis) i takon një grupi me pesë specie të kolobusëve bardhezi, të gjinisë Kolobus. Që të pesë speciet kanë karakteristika të ngjashme unike, duke përfshirë edhe një bisht tepër të gjatë dhe qime të gjata, e të buta. Ata nuk e kanë gishtin e madh të ‘dorës’, për dallim nga llojet e tjera të majmunëve. Në fakt, fjala ‘kolobus’, d.m.th ‘i gjymtuar’. Zakonisht janë të zinj, me një shirit të gjatë të bardhë në supe, bisht, vetulla, faqe dhe qafë.
Këta majmunë të bukur kanë madhësi mesatare, ku meshkujt janë paksa më të mëdhenj sesa femrat. Në moshë të rritur, ata kanë një peshë mesatare 6 deri 12 kg, kurse meshkujt mund të arrijnë një gjatësi prej 76 cm. Ata jetojnë në shumë vende afrikane, duke përfshirë edhe Nigerinë, Zairenë, Etiopinë dhe Keninë.
Majmuni angolez kolobus jeton në vendbanime të ndryshme, duke filluar nga zonat moçalore, deri te savanat dhe malet tropikale e lartësitë e mëdha. Atyre u pëlqen që të rrinë në maje të drunjve, por kur u duhet që të ushqehen me bimë dhe të pinë ujë, nuk përtojnë që të zbresin në tokë. Sikur edhe shumica e llojeve të tjera të majmunëve, ata ushqehen kryesisht me gjethe, por hanë edhe insekte të vogla, lëvore druri, pemë dhe lule.
Majmunët kolobusë e mbrojnë territorin e tyre dhe jetojnë në grupe të vogla. Zakonisht është vetëm një mashkull me shumë femra, ku mashkulli i mbron aktivisht femrat, duke bërtitur dhe duke kërcyer, me qëllim të frikësimit të grabitqarëve të ndryshëm. Meqë ata rrinë në majë të drunjve, kolobusët të shumtën e kohës janë larg armiqve të tyre, por në grupin e armiqve të tyre janë edhe kafshët që mund të ngjiten në drunj, sikur që janë leopardi, shqiponjat e mëdha, por për fat të keq edhe njerëzit.
Shtatzënësia e majmunëve kolobusë zgjat nga 147 deri 178 ditë. Zakonisht femrat lindin vetëm një të vogël, edhe pse mund të hasen edhe binjakët. Në lindje, të vegjlit janë plotësisht të bardhë dhe fillojnë që të bëhen bardhezi rreth muajit të tretë të jetës. Ata ushqehen me gji deri në muajin e 15-të të jetës.
Jetëgjatësia e këtyre majmunëve, në egërsi, është rreth 20 vjet, por në kushte të përkujdesjes njerëzore mund të jetojnë edhe deri në 30 vjet. Në Afrikë, ekzistimi i tyre është i rrezikuar për shkak të shkatërrimit të vendbanimeve të tyre, por ata gjuhen edhe për mish, kështu që numri i kolobusëve është zvogëluar ndjeshëm në disa pjesë të kontinentit të zi.

(Kosova Sot)