Fakte interesante për peshqit

  • 12 October 2015 - 19:28
Fakte interesante për peshqit

Ekzistojnë më shumë se 25 000 specie të identifikuara të peshqve. Mendohet se peshqit janë paraqitur për herë të parë në planetin tonë para rreth 450 milionë vjetësh.

Kur peshku të bie në grep, ai e ndjen këtë me anë të sistemit të tij nervor, prandaj përpiqet që të ikën. Për dallim nga njerëzit, peshqit nuk e kanë pjesën frontale të trurit, prandaj nuk janë në gjendje të shqetësohen rreth ndjenjave të tyre.

Të gjitha llojet e peshqve janë shtazë gjakftohta, d.m.th. se temperatura e trupit të tyre varet nga temperatura e ujit ku jetojnë.

Shumica e peshqve nuk kanë kapakë të syve, prandaj nuk mund t’i mbyllin sytë e të flenë. Por, ata pushojnë në mënyra të tjera: shumë prej tyre hanë dhe notojnë gjatë ditës, kurse natën nuk janë aktivë, derisa llojet e tjera të peshqve thuajse gjatë tërë kohës e kanë një lloj gjysmë pushimi - gjysmë aktiviteti.

Peshqit nuk kanë veshë të jashtëm, por kanë disa organe që gjenden pas syve të tyre dhe që reagojnë ndaj valëve të zërit.

Ekzistojnë tri klasa të peshqve: ata që nuk kanë nofull, peshqit me kërce dhe peshqit me eshtra.

Peshqit salmonë ngordhin pasi t’i bëjnë vezët, por ekzistojnë edhe disa lloje të tjera të salmonëve që bëjnë vezë disa herë.

Peshku më i shpejtë i deteve mund të notojë me një shpejtësi deri 110 km/orë.

Peshku sëpatë, që jeton në Amerikën Jugore, është peshku i vetëm që mund të fluturojë. Për dallim nga disa lloje të tjera të peshqve, të cilët vetëm “rrëshqasin” në ajër, ky lloj peshku fluturon duke i rrahur krahët, gjë që shkakton një zukamë karakteristike.

Këta peshq kanë zgavër të madhe të kraharorit dhe muskuj të fuqishëm pektoralë, gjë që u mundëson të fluturojnë deri në 1,5 metra, me qëllim që të ikin nga grabitqarët.

Disa lloje të peshkut tun e kanë një sistem të zhvilluar të këmbimit të nxehtësisë, i cili u mundëson atyre që ta kenë temperaturën e gjakut për 20 shkallë më të nxehtë se temperatura e ujit. Këtë mundësi e kanë edhe peshkaqenët dhe disa lloje të tjera të peshqve grabitqarë.

Për peshqit e tillë, kjo ka rëndësi të madhe, meqë u mundëson që ta ndjekin gjahun e tyre edhe në ujëra të ftohta. Peshqit e tillë gjenden gati në krye të zinxhirit ushqimor të deteve, meqë gjuhen vetëm nga balenat e mëdha dhe nga njerëzit.

(Kosova Sot)