Zgjidhet sekreti i kuzhinës

  • 06 February 2016 - 10:46
Zgjidhet sekreti i kuzhinës

Ajo që i bën ëmbëlsirat të fryhen

Çfarë ndodh brenda biskotave dhe ëmbëlsirave derisa piqen? Ato futen në furrë si petë të holla. Më pas, soda e bukës i bën ato që të fryhen.

Ky eksperiment do ta sqarojë sekretin e fryrjes së petullave, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Çka të nevojitet:

-1 lugë sodë e bukës

-1 lugë pluhur për pjekje

-4 gota të vogla

-2 lugë uthull

Çfarë duhet të bësh:

Hidhe sodën e bukës në njërën gotë, kurse pluhurin për pjekje në një gotë tjetër,

Hidhe një lugë uthull në secilën nga gotat,

Hidhe uthullën mbi pluhurat në të njëjtën kohë,

Çfarë ka ndodhur?

Që të dy përzierjet kanë formuar flluska, kurse përzierja me pluhur të pjekjes ka “bërë zhurmë” më të gjatë sesa ajo me sodë të bukës. Ja pse:

Në të dyja gotat janë zhvilluar reaksione kimike ndërmjet dy “familjeve kimike”: acideve dhe bazave. Këto reaksione e kanë liruar dyoksidin e karbonit, i cili ka krijuar shumë flluska dhe ka shkaktuar një zhurmë karakteristike.

Në njërën gotë, soda e bukës, apo bikarbonati i natriumit, ka reaguar me acidin acetik të uthullës. Ky reaksion kimik u ndërpre sapo u harxhua acidi.

Në gotën me pluhur për pjekje, reagimi i njëjtë kimik u zhvillua për shkak se pluhuri për pjekje përmban sodë të bukës. Por, pluhuri për pjekje e përmban të paktën edhe një acid tjetër. Këto acide vijnë në formë të thatë, kështu që nuk reagojnë derisa të përzihen me ujë. Kështu, pasi u shfrytëzua tërë acidi acetik i uthullës, acidet tjera ishin në gjendje ta vazhdonin reaksionin me sodën e bukës, për shkak të ujit që gjendej në uthull.

Pse duhet të përdorim sodë të bukës dhe pluhur për pjekje? Një recetë e kuzhinës duhet ta përmbajë balancën e duhur ndërmjet acideve dhe bazave. Nëse nuk përdoren të gjitha acidet dhe bazat, atëherë ushqimi do të ketë tepricë të tyre. Sasitë e tepërta të acidit japin shije të thartë, kurse sasitë e tepërta të bazave shije të hidhur.

Disa ushqime përmbajnë përbërës acidikë, sikur që është jogurti, p.sh. ushqimet, apo recetat e tilla kërkojnë përdorimin e sodës së bukës, për t’i shfrytëzuar acidet. Ushqimet e tjera thuajse nuk kanë fare acide. Ato duan përdorimin e pluhurit për pjekje, i cili e ka balancën e duhur për t’ua mundësuar petullave që të fryhen, pa mbetur aspak acid apo bazë. 

(Kosova Sot)