Historia e Ditës së Shën Valentinit

  • 13 February 2016 - 10:59
Historia e Ditës së Shën Valentinit

Sikur që me siguri e dini, në disa vende të botës, më 14 shkurt, shënohet Dita e Shën Valentinit, apo siç quhet ndryshe edhe Dita e të Dashuruarve.

Ajo që nuk dihet, është se kulti i fertilitetit, dashurisë dhe joshjes ka ekzistuar shumë kohë para shfaqjes së krishterimit. Por, me figurën e Valentinit, i cili, sipas gojëdhënës, i kurorëzonte fshehurazi çiftet, ky kult merr një karakter tjetër, duke u larguar ceremonitë e “perëndive” pagane romake, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Përpjekjet e autoriteteve të krishtera, në kohën kur krishterimi u bë fe zyrtare e Perandorisë Romake, që t’i largojnë njerëzit nga festimi i këtij kulti, kishin qenë të kota, prandaj ato autoritete nuk patën rrugëdalje tjetër, përpos që ta fusin këtë festë edhe në kalendarin e festave të krishtera.

Shtrohet pyetja se a ka ekzistuar me të vërtetë ndonjë njeri me emrin Valentin. Njëra nga legjendat thotë se ishte një prift me këtë emër në shekullin III, në kohën kur perandori Klaudius II, një luftënxitës, i kishte ndaluar martesat, me qëllim që të kishte mjaft ushtarë për luftërat e tij. Sipas gojëdhënës, Valentini i kurorëzonte fshehurazi ushtarët me të dashurat e tyre, derisa u zbulua dhe u dënua me vdekje. Por, ka edhe legjenda të tjera, e sipas njërës prej tyre, vetë Valentini ishte i dashuruar në një vajzë.

Si do që të jetë, Festa e Shën Valentinit tani e ka një karakter tjetër, duke u karakterizuar me simbole të zemrave me shigjetë, kupidonit etj. Me shpikjen e shtypshkronjave u bë e mundshme edhe shtypja e kartolinave me tematikë të Shën Valentinit, kur pati një popullaritet të madh blerja e këtyre kartolinave nga ana e të dashuruarve.

Në disa vende, kjo festë nuk shënon vetëm dashurinë ndërmjet femrës dhe mashkullit, por edhe dashurinë në përgjithësi, prindërore etj.

Por, si do që të jetë, tregimi rreth Valentinit i ka dy variante të ndryshme - atë protestant dhe versionin katolik. Që të dyja versionet pajtohen rreth faktit se Shën Valentini ishte një peshkop që i martonte fshehurazi ushtarët, përkundër urdhrit të perandorit Klaudius II. Gjatë jetës së Valentinit, koha e artë e Perandorisë Romake kishte kaluar. Edukimi kishte rënë, taksat ishin rritur dhe tregtia kalonte nëpër kohë tepër të vështira. Perandoria Romake ballafaqohej me rreziqe në të gjitha anët nga galët, sllavët, hunët, turqit dhe mongolët. Perandoria ishte bërë tepër e madhe që të mund të mbrohej nga sulmet e jashtme dhe nga kaosi i brendshëm. Kjo kërkonte një numër më të madh ushtarësh, prandaj edhe ishte ndaluar martesa, meqë, pasi martoheshin, njerëzit hezitonin që ta linin familjen dhe të shkonin në luftë.

Ndalimi i martesës i kishte tronditur shumë romakët, por ata nuk kishin guxuar ta kundërshtonin perandorin e tyre të fuqishme. Veprimtaria sekrete e Valentinit ishte e tillë, që nuk mund të mbetej sekrete për një kohë të gjatë. Nuk kaloi shumë kohë dhe perandori Klaudius e zbuloi mikun sekret të të dashuruarve, të cilin më pas e arrestoi. Versioni katolik dallohet nga ai protestant rreth çështjes së mrekullive, ku versioni protestant nuk pranon se Shën Valentini ka bërë mrekulli, sikur që është p.sh. shërimi i njerëzve,  transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Thuhet se kur perandori Klaudius II ishte takuar me Valentinin, kishte mbetur i mahnitur nga dinjiteti dhe besimi i tij. Thuhet po ashtu se Klaudiusi ishte përpjekur që t’ia ndërronte fenë Valentinit, duke e thirrur që të besonte zotat romakë, por nuk kishte pasur sukses në këtë drejtim. Edhe pse ishte i vetëdijshëm për pasojat e mundshme, Valentini ishte përpjekur që ta kthente perandorin në të krishterë, gjë që e kishte zemëruar tepër atë, për të urdhëruar edhe ekzekutimin e Valentinit.

Besohet se Valentini është mbytur më 14 shkurt të vitit 270 të erës së re, por vetëm gjatë shekullit XIV Dita e Shën Valentinit u lidh me dashurinë.

Kjo festë ndryshoi gjatë shekujve. Por, tradita e shekullit XVIII në Angli, e cila nënkuptonte shkëmbimin e dhuratave dhe letrave, u bë mjaft e përhapur. [Valentine's day greeting card] Me kalimin e kohës, kjo traditë u përhap edhe në kolonitë amerikane. Në vitet 1840, në Amerikë filloi prodhimi komercial i kartolinave të Shën Valentinit. Kartolina e tillë e parë u krijua nga Ester A. Houlanda Mount Holjoke nga Vorçesteri, e cila për këtë shkak e mori titullin “Nëna e Valentinit”.
Edhe pse ka dilema rreth ekzistimit të Valentinit, tash vonë arkeologët e kanë zbuluar një kishë antike, e cila i ishte dedikuar Shën Valentinit, e në të ishte një varr. 

(Kosova Sot)