Mashtrimi si parim dhe demagogjia

Mashtrimi si parim dhe demagogjia
  • 23 May 2016 - 08:00

Shkruan: Shefqet Dibrani

LDK-ja që moti e ka humbur konstruktivitetin me anëtarësinë dhe veprimtarët e saj. Prandaj as mbledhja e djeshme nuk ishte në frymë demokratike e aq më pak "krejtësisht konstruktive", siç deklaron rrejshëm Kryesia e LDK-së në Prishtinë. LDK-ja ka kohë që bën mbledhje imponuese, të diktatit dhe përjashtuese në të cilën askush nga anë- tarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së nuk pati kurajë të reagojë për skemat aq komuniste çfarë u panë dhe që morën dhenë. Pas gjithë asaj skeme është e turpshme të thuhet se është mbajtur një mbledhje krejtë- sisht konstruktive, madje duke i përjashtuar të gjitha mediat publike të cilat kishin shkuar për t'i përcjellë konstruktivitetet për të cilat përpiqet të manipulojë Kryesia e LDK-së. Prandaj, në mbledhjen e KP të LDKsë ka pasur diktat, kurse në LDK është instaluar një diktaturë moderne që nuk ia lëshon udhën as sistemeve më të famshme diktatoriale! Por kur jemi këtu, përveç tërheqjes së vërejtjes për anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, të cilët janë treguar të padinjitetshëm, kritika të ashpra marrin të gjithë ato personalitetet të LDKsë që në përvijim kohësh kanë përmendur emrin e Heroit të Kosovës Jusuf Gërvalla si dhe ata të cilët bëjnë selfie për çdo vit në Dubovik, kurse dje kanë heshtur ashtu siç bëri, për fat të keq, edhe Akademik Sabri Hamiti, i cili nuk reagoi për tërheqjen zvarrë dhe përjashtimin nga mbledhja të Donikë Gërvallës. Mos u ligështo Sabri Hamiti para Isa Mustafës se vetë ke thënë Jusufin e ke pasur shok, por si more burrë nuk reagove me asnjë fjalë?! Strukturat u treguan të zellshme për ta shtypur vullnetin e një Gruaje Skema ishte e dhimbshme, pasi lidhte emocionet e vitit 1982, kur Isa Mustafa ishte zyrtar i lart i LKJ-së në Kosovë, dhe jepte urdhra kundër rinisë kosovare, ndërsa UDB-ja ia vrau babanë Donikës - Jusuf Gërvallën, për të cilin rast Isa Mustafa kurrë nuk është distancuar. Po ashtu edhe atëherë kur Donikë Gërvalla përballej me diplomatët dhe përfaqësuesit serbë në mediet gjermane, është ky Isa Mustafa që e pengonte ashtu siç po e pengon edhe tani pjesëmarrjen e saj në mbledhjen e KP të LDK-së. LDK-ja asnjëherë nuk ka mbajtur Konventa Komunistësh, por ka mbajtur Kuvende të punës, ndërsa KP i LDK-së nuk reflekton unitet, por po reflekton nënshtrim absolut dhe servilizëm ndaj diktatit komunist të Isa Mustafës, i cili bashkë me një kllapë servilësh ka mision për ta shkatërruar LDK-në dhe Kosovën. Në vend se KP i LDK-së të niste procedura për ta shkarkuar Isa Mustafën, ato struktura u treguan të zellshme për ta shtypur vullnetin e një Gruaje, e cila arriti ta zhveshë moralin e dyfishtë të komunistit Isa Mustafa. Sa qesharake duket edhe hutia e kësaj kryesie të hutuar e cila, siç thotë me vonesë, paskan dëgjuar zhurma jashtë sallës, ndërsa faktet dhe incizimet e thonë të kundërtën, e pasi ato tashmë janë bërë publike Kryesia e LDK-së nuk skuqet fare për këto mashtrime, për këtë imazh të dhunës dhe diktatit që ia ofroi opinionit publik, duke dëshmuar se Isa Mustafa është linçues, përjashtues, diktator dhe shkatërrues i konceptit demokraci të cilin e ka kultivuar prej kohësh LDK-ja. Ismet Beqiri, Lutfi Haziri dhe suita e fshatarëve primitivë që kanë kapur LDK-në duhet të sqarojnë se kush ia jep imunitetin një kryetari dege, Kuvendi i Rregullt e transparent dhe me kundërkandidat si dhe vota e lirë e cila përcakton fituesin, apo vendimet e tipit diktatorial të cilat po i zbatojnë Ismet Beqiri dhe Isa Mustafa. Derisa vetë Isa Mustafa ka mbajtur Kuvend të tipit si në Korenë e Veriut, në të cilin ndalohet fjala ndryshe, nuk lejohet kundërkandidimi, përjashtohen të gjitha mjetet e informimit, ndërsa ndërtesa sigurohet me masa të shtuara të policisë dhe të policisë speciale, si dhe me bodeguart "meshkuj" tërheqin zvarrë një zonjë, siç ndodhi në Mbledhjen e KP të LDK-së. Degët dhe nëndegët e LDK-së anekënd Kosovës duhet të nisin procesin e shkarkimit të Isa Mustafa Gënjeshtra dhe mashtrimi është bërë parim i Isa Mustafës, Ismet Beqirit, Lutfi Hazirit dhe një kllape rreth tyre, të cilët e kanë kapur LDKnë. Tashmë ata me shantazhime të hapura, po i përdorin edhe familjen Rugova, Maloku, Zemaj, komandantët e Luftës dhe personalitete të tjera. Por, për t'u anuluar proceset e rregullta zgjedhore në Degët e LDK në Zvicër dhe Gjermani duhet një procedurë formale ligjore, por në asnjë mënyrë përmes medieve, e aq më pak nuk bën për t'i dërguar fëmijët e Rugovës, Malokut dhe të tjerëve për t'iu dhënë legjitimitet humbësve të trefishtë. Në Degën e LDK-së në Zvicër është mbajtur një proces i rregullt zgjedhor, për të cilin proces janë dokumentet valide dhe incizimet me kamerë, por Isa Mustafa, Ismet Beqiri, Lutfi Haziri dhe një kllapë e tyre që e kanë kapur LDK-në as që kanë marrë mundimin të merren me këto fakte, përveç diktatit komunist për të anuluar në mënyrë arbitrare një proces të rregullt zgjedhor, prandaj ua bëjmë me dije se Donika Gërvalla në Gjermani dhe Shefqet Dibrani në Zvicër janë kryetarë legjitimë të dalë nga vota e lirë. Po ashtu, opinioni publik e di përpjekjen që ka bërë Kryesia e LDK-së në Prishtinë, e cila i ka pas shpallur zgjedhjet në Degën e LDK-së në Zvicër, për muajin gusht- shtator 2015, proces i cili iu dështoi, pasi njerëzit e Isa Mustafës nuk arritën të grumbullojnë as një grusht njerëzish, prandaj edhe në aspektin statutar, por edhe në aspektin ligjor, çdo përpjekje tjetër për të imponuar kuvende është jolegjitime dhe në kundërshtim flagrant me praktikat e partive demokratike si dhe me të gjitha normat juridike. Gjithashtu, është mashtrim dhe gënjeshtër e kulluar kur Kryesia e LDK-së deklaron se "u është bërë me dije nga organet kompetente të LDK-së dhe u është tërhequr vërejtja se nuk mund të thirren në pozita, për të cilat nuk kanë legjitimitetin e votës në LDK", prandaj do të ishte mirë që Kryesia e LDK-së të dëshmojë të paktën një letër a dokument që ka komunikuar me Dy kryetarët e Degëve të LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, kur dihet se ata i ka legjitimuar vota e lirë, e cila është burim i demokracisë dhe forca e saj matet me kundërkandidat, por jo me ngritje dore, siç është zgjedhur vetë Isa Mustafa, Ismet Beqiri dhe kllapa që e ka kapur LDK-në. Kryesia e LDK-së- Prishtinë, pra as Isa Mustafa dhe as Ismet Beqiri, si dhe anëtarët e tjerë të kryesisë nuk e kanë parë të arsyeshme që t'i takojnë, as t'i pranojnë për dialog përfaqësuesit e këtyre dy degëve, por në mënyrë të paskrupullt kanë keqpërdorur duke i shantazhuar familjet e dr. Ibrahim Rugovës, Enver Malokut dhe kolonel Tahir Zemajt si dhe disa apartakqinj, të cilët i kanë dërguar në Zvicër në misione shumë të dyshimta dhe tejet antidemokratike, por në asnjë rast nuk kanë pasur sukses. Kryesia e LDKsë duhet t'i ndalë shantazhimet, skenarët e zinj, dhunën, si dhe shpifjet kundër aktivistëve dhe kryetarëve të Degëve të LDK-së në Zvicër dhe në Gjermani, sepse deklaratat e tilla dëshmojë nivelin moral dhe intelektual që ka kryesia e LDK-së në Prishtinë, e cila po bën mashtrime të qëllimshme dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e Kosovës dhe vendeve në rajon e kudo në Evropë. Prandaj, Kryesia e LDK-së në Prishtinë duhet të japë dorëheqje të parevokueshme, kurse degët dhe nëndegët e LDK-së anekënd Kosovës duhet të nisin procesin e shkarkimit të Isa Mustafa nga posti i kryetarit të LDK-së.

(Kosova Sot)