Krahasimi i qytetarëve pensionistë dhe të tjerëve

Krahasimi i qytetarëve pensionistë dhe të tjerëve
  • 25 May 2016 - 08:04

Shkruan: Shefik Shkodra 

Shumë fjalë për hiçgjë

Janë politikanë me adhurime të komunizmit.

Mësimdhënësve nga vitet e nëntëdhjeta u ka borxh Qeveria në ekzil trembëdhjetë paga. Këtë e dinë të gjithë. Që sa kohë ka kaluar, asnjë fjalë nuk është thënë para këtyre mësimdhënësve e pensionistëve. Këtyre pensionistëve që dikush u paska thënë se pensionet i keni në Serbi.

Shumë fjalë për pak send, ndoshta për hiçgjë. Kështu thonë populli: “Shumë mal e pak cap!” Asgjë nuk kemi të racionalizuar. Disa herë kemi folur për këtë racionalizim apo ekonomizim. Ka prej atyre zyrtarëve tanë që nuk marrin vesh fare ç’është kjo shprehje. Një pjese tjetër nuk u interesojnë fjalët e të tjerëve. Ata mezi presin një heshtje për të gjitha ato që i thonë e i vendosin vetë. Atë e bëjnë ligj, atë e bëjnë forcë e dije. Dhe dijen e marrin pasi të jetë kryer puna. Post festum, debatojnë nëpër ato dritaret, të nevojshme për mbushjen me emisione programet. Këta as fjalët e veta nuk i racionalizojnë. Do e shfaqin mendimin në ‘Fb’ (?), e do të tjerë për çdo ditë i thonë të njëjtat fjalë e fjali nëpër konferenca shtypi. Ani orvaten me aq thatësirë të ta mbushin mendjen...po se ashtu duhet zyrtarët. S’duhet të qartësohen mirë gjërat. 

Flasim diçka për arsimin prej nga vijmë një pjesë

Më kujtohet para do vitesh, një farë “çolja”, servil, iu vërsul një drejtori pas një pyetjeje, duke folur me do zanore nazale apo guturale: “Të kam thënë drejtor, ti veç anglishten e lë në orar...” Arsimi që është një bjeshkë e madhe. E pakapërcyeshme lehtë për secilin. E  marrin si ky tipi shumë punë të lehtë, është për t’u habitur. E përmendëm njëherë çështjen e arsimit se, nuk është aq lehtë të thuhen fjalë të mëdha, e të shitesh për ekspert (i paqenë) edhe të veprosh krejt në të kundërtën, ose të merresh me disa cikërrima. Dhe kjo puna e ekspertëve u pa për mjedis të pazarit e çarshisë. Janë shumë gjëra që duhet të përmenden dhe më duket e panevojshme tashmë. Është e panevojshme sepse, nuk përfillet mendimi i të tjerëve. Ndërsa këta zotërinjtë e zonjat tona, flasin në afirmativ. Them se, gabimisht ndoshta, s’është pluralizëm, mundet të jemi lajthitur dhe s’kemi arritur ende te ajo pikë. Dalim nga një sistem monist, për këtë i dëgjon shpesh disa “përrallaxhinj” se, ky, ai, ajo janë të atij sistemi dhe janë keqpërdorues. Janë politikanë me adhurime të komunizmit. Janë edhe tradhtarë, etj. Po, mirë, çfarë janë dhe jeni ju të sotmit? Në çka po ngjani, cilën ideologji dhe sistem po përpiqeni ta inauguroni në Kosovën e plogësht e të mekur nga vuajtja e mundimi shekullor. Cili është racionalizmi i mjeteve e kuadrove dhe atyre që do ta shtynin te para zhvillimin ekonomik? Po, a ishin këta ministra dhe qeveri të deritashme që përbeheshin në një mënyrë se, arsimin me reforma do ta bënin më të mirë se çdo kund tjetër. Si dhe çfarë provash ishin klasat e trembëdhjeta? Cilët “ekspertë” ishin tubuar për plan-programe dhe botime të teksteve shkollore? Kush merr diploma, magjistratura, doktoratura pa vijimin e mësimit, studimin e materies? Si u ndërtuan shkollat fillore (i kam pa në Gjilan) pa sallë të edukatës fizike, a mundet kështu? Ndoshta me reformat e dikujt prej qeverisë s’ka nevojë për këto salla më. Po plan-programet kush i bën dhe si vihen lëndët ose hiqen sipas dëshirës individuale e mendime parciale rrugaqësh?! Përse botoheshin dy libra (njëra e një ShB dhe njëra te tjetra) për të njëjtën lëndë. Sa kg ka çanta e klasës së parë dhe e të tjerëve filloristë? Qesharake, a?! Çfarë veprohet me ata rektorët të Universitetit publik në Prishtinë? Secili më hiç se tjetri. Sa Universitete publike ka tashmë Kosova, po ato private? Po çfarë kuadrosh ka nëpër shkollat e mesme dhe universitete, as në oborr të institucionit nuk do të duhej lejuar dikujt të hynte, le më ta udhëheqë atë?! Çfarë keqpërdorimesh bëhen në marrëdhënie nxënës-arsimtar? Si kalohet klasa, si jepen provimet? Ku ishin këta ministra e zyrtarë përgjegjës? A deklarua kush ndonjë ditë për përgjegjësi? Nuk u intereson asnjërit për fjalë e histori që do të mbeten nesër me atë veprimtarinë e vet secili prej tyre. Ndoshta do ta bëjnë vetë edhe historinë për qejfi. Po si u pa, historinë dhe përparimin e kanë në xhepa të tyre, madje edhe për fëmijët e tyre e të afërmit të tjerë. Kaq dorën e gjatë e kanë këta atdhetarët e Kosovës!

Veprimet e tilla kanë prodhuar një pasiguri te qytetarët e Kosovës

Flasim për arsimin, po kjo s’është më mirë në asnjë segment të jetës shoqërore. A s’është neveritëse, kur një rektor (ky i fundit) në UP thotë  “është nder i madh që I. Mustafa kryeministër jep mësim në Universitetin...”etj. Këto janë kriza që i kanë krijuar vetë qeveritarët dhe zyrtarët tjerë përreth. Për nder, shumë interesant. S’ka më lavdi e madhe. Me shkronja të arta duhet të shënohet që nga ditët e para, i nderuar rektor! Lavdi për asgjë na lënë të ngordhtë! Kjo është si ajo fjala popullore: “Dhia e coftë, bishti i ngordhtë!” I përmenda këto raste për arsimin, jo nga dëshira për të ngarkuar njerëz, pavarësisht kë, por nga një drojë që nuk ka qenë veprimi i mirë deri në këtë ditë. Që ka për të na kushtuar shtrenjtë në të ardhmen. Njëherë nga mosdija, (duke u doktoruar analfabeti – specialist, a?!) edhe tjetra nga mosdashja – qëllimisht e për interesa individuale e klanore katundarie. S’është e drejtë dhe as humanitare, më parë, që nga çdo sektor shoqëror të ankohen qytetarët e të dështojë për shkak të qeverisjes së dobët, me tendencë anarkiste. Të gjitha këto veprime dhe plot të tjera kanë prodhuar një pasiguri te qytetarët e Kosovës. Kështu kjo shkon vetëm duke u shtuar.

 Pensionet e mësimdhënësve dhe pensionet e deputetëve

  

Thuhet me të drejtë, “prej borxhlisë së keq, merr çka të japin”. Njëherë mësimdhënësit mbetën si “gjynah”, si pa zot, si të ishin mëkatarët më të mëdhenj të këtij vendi. Nuk e hapte gojën askush për këta njerëz që e mbajtën jetën shoqërore politike dhe arsimore e kulturore në ditët më të vështira. U tha se nuk do të ketë rritje pagash për ju fare një kohë të gjatë. Një Daksner, (nëse ia qëllova emrin) i UNMIK-ut, në fillim na u drejtua me porosi à la communiste: “...me gjimnaz i sjellim të punojnë, nëse ju nuk do të punoni me këto paga!...” Kështu, m’u kujtua, na diferencuan në vitet e tetëdhjeta, me të njëjtën parullë. Fëlliqi edhe shumë të tjera, po çka t’i thuash. Më vonë diçka e “përlyen” në shkolla të mesme dhe fillore. Në universitete e bënë mirë ngritjen e pagave, të mos thuhet shumë mirë. Prej gjenerate në gjeneratë, plotësohen vitet e moshës për pensionim, por pa ndonjë veçanti për këto gjenerata. Parlamenti i Kosovës nuk ndërmori asgjë për kujdesin e kategorive të ndryshme shoqërore. Këta deputetët, zyrtarët e institucioneve (ndoshta jo të gjithë) i keqpërdorin edhe mjetet themelore. E çka nuk kanë keqpërdorur? Mirë e kanë, përse qytetari i jonë i voton. Krejt të ngrirë, si përmendore...si të shkrirë prej metali. Asnjë punë të mbarë s’kanë për ta bërë. Për të tjerët nuk ka buxhet. Nuk ka as ligj! Isha i befasuar me vetëdijen e përfaqësuesve të këtij populli, në njërën prej atyre seancave para disa viteve. Aty u propozua ngritja e pagave, mëditjeve, duke inkuadruar edhe benefitet e tjera për të gjithë deputetët. Sigurimi apriori i të ardhurave pensioniste (të veçanta), do të thotë, të larta me të gjitha sigurimet tjera. Askush nuk e kundërshtoi këtë propozim, pos njërës, e cila sot është ministre e një sektori qeveritar, si duket edhe kjo nuk e ka pasur krejt me “zemër”, veç sa për t’u pa në opinionin publik. Pra, faktikisht buxheti është në duart e këtyre zonjave dhe zotërinjve. Shumë shkëlqyeshëm...! “U ka ra shiu në kallamoç!” Si prapështojnë të gjitha punët në interesin e tyre, edhe të ardhurat i ndajnë vetë për vete si dëshirojnë. E ka përmendur dikush prej këtyre OJQ-ve (nuk dihet një pjesë e tyre kujt i shërbejnë), se njëri (nuk dihet), i cili qenka përgjegjës (?) për trustin e pensionistëve, paska të ardhura mujore 10.000 – 12.000 euro. Një profesor i shkollës së mesme mund t’i marrë përafërsisht për një vit 4.200 euro, ndërsa ky që po e “ruajka” trustin, merr 144.000 euro. Nuk është e qartë. Ky trusti është i qytetarëve të Kosovës. Është menduar kaherë që, një pjesë e mjeteve mund të përdoren për stimulimin e pensionistëve tanë. Ky është një farë fondi, nëse jo për pensionistët, atëherë bën që ta dimë edhe ne të tjerët pse, pra. Kujt i dedikohet dhe çka do të hedhin në dritë me te. Edhe kësaj i thonë, shumë e paqartë, sado që përziejnë “analistët” e OJQ-ve. Nëpër komuna, nuk e di për të gjitha, u mor qëndrimi që mësimdhënësve që shkojnë në pension t’u jepen nga dy-tri paga. Dhe këto paga një numër i tyre në Gjilan i kanë marrë, kuptohet, ata që kanë pasur lidhje me gjyqet, pushtetin komunal etj., por pjesa më e madhe, vetëm paditë i kanë në gjykatë pa ndonjë dobi, qe disa vite. E kush janë pensionistët, të kujt, çfarë ishin dikur? Sot janë kategori shoqërore e hedhur poshtë, pa lokale të nevojshme, pa sigurime, pa benificione tjera, pa stimulime në të ardhura, pa kurrfarë dinjiteti, një pjesë e tyre si qentë e rrugëve. Pas shumë fjalëve, u ra ndërmend që të bëjnë diç edhe për ta. Të ngritin e sistemojnë sipas meritës gjoja pensionet, sepse deri atëherë merrnin ndihmë sociale. Por edhe kjo që e menduan nuk e kalon limitin e ndihmës. Përziejnë si zyrtarë e njerëz përgjegjës, s’duhet t’u pranohet stazhi në kohën më të vështirë. Është sërish, them një prej çudirave (1001), tash po e pranojmë. Do ta bëjmë edhe një farë pagese për ata që kanë punuar nga vitet e nëntëdhjeta. Bëni shënimet që u ka dërguar Ministria. Nuk është e qartë, a duhet t’i bëjmë të gjithë, apo duhet veç ata që nuk u është pranuar stazhi...Në drejtori të arsimit nuk tregojnë qartë. Pra, Ministria e Arsimit, vetëm pështjellon kur është fjala në relacion me Drejtoritë e arsimit komunal. E kanë bërë njëfarë ndarje shumë të përkohshme e fare të qëlluar, por më mirë kështu se hiç. Mirëpo, krejt botës duan t’ua reklamojnë se, Qeveria e Kosovës ua ka ngritur pensionet pensionistëve. Është bërë punë e madhe, thonë. I kemi rrafshuar punët. Krejt në rregull...Po çfarë është kjo reklamë ore zotërinj. Sa debati e sa kënaqësia!...e arritur e madhe more. Hë!

Mësimdhënësve nga vitet e nëntëdhjeta u ka borxh Qeveria në ekzil trembëdhjetë paga. Këtë e dinë të gjithë. Qe sa kohë ka kaluar asnjë fjalë nuk është thënë para këtyre mësimdhënësve e pensionistëve. Këtyre pensionistëve që dikush paska thënë se, pensionet i keni në Serbi. Atëherë, ju si përgjegjës e qeveri duhet që të na i siguroni pensionet nga ai që na i ka grabitur. S’ka rëndësi a është Serbia apo shqiptarët?!

(Kosova Sot)