Më ndihmo ta gjej babanë në varrezat e qytetit !

Më ndihmo ta gjej babanë në varrezat e qytetit !
  • 25 May 2016 - 09:52

Shkruan: Vana Jerliu

Letër e hapur për kryetarin e Gjilanit

U zhgënjeva shumë me gjendjen e varrezave

Si të kthehem pa e derdhur një pikë lot mbi varrin e tij, ku t`i lë lulet nëse nuk e gjej varrin e babait, për të cilin erdha nga Amerika në Gjilan?

Jam qytetare e Gjilanit, por ka disa vite që jetoj në SHBA. Edhe pse jetoj shumë larg nga vendlindja, jam munduar të vijë në Kosovë së paku dy herë në vit. E marr këtë rrugë të gjatë dy herë në vit, sepse askund nuk më pëlqen t`i kaloj pushimet më shumë se në vendlindjen time, në Gjilan. Kam edhe një arsye tjetër qe më shtyn ta vizitoj këtë vend. Babai im, Xhavit Jerliu, pushon në varrezat e qytetit të Gjilanit, prej 8 vitesh. Çdoherë kur vij në Gjilan, të nesërmen zgjohem herët dhe e filloj ditën me vizitë te varri i babait tim. Ditën e vazhdoj në qytetin tonë të bukur, duke pirë një kafe dhe shëtitur rrugëve të vendlindjes, me mallin e pashuar të mërgimtares dhe me kujtimet për këtë vend, që më përcjellin ngado ku shkoj. Kjo ndodh gati se çdo ditë, derisa gjendem në Kosovë. Por, kësaj radhe u zhgënjeva shumë me gjendjen e varrezave. Mezi e gjeta edhe varrin e babit tim. Varret ishin mbuluar nga bari e barishte të tjera, sa nuk pata mundësi as të vendos tufën me lule që kisha marrë me vete. Qava dy herë. Njëherë nga malli për babanë dhe herën tjetër, nga dëshpërimi për gjendjen si ishin katandisur varrezat e qytetit. Bari ishte rritur aq shumë sa më mbulonte gjysmën e trupit. U ktheva në shtëpi duke qarë. Lulet më ngelën në dorë, sepse nuk pata se ku t`i lë. Edhe lotët i derdha rrugës. Lutja ime për ty, i nderuar kryetar i Komunës, Lutfi Haziri, është që varrezat të pastrohen një orë e më parë, nëse dëshiron të ndjehesh krenar me punën tënde dhe që ne të ndihemi krenar me zgjedhjen tonë. Çdo familjar meriton të ketë mundësi të shkojë në varreza, atje ku secili prej nesh ka dikë të vetin. Mirëmbajtja e varrezave është kulturë e një populli, është kulturë e qytetit. Mbetem me shpresë se do të më mundësohet që të shkoj te varri i babait tim sa më shpejt që është e mundur. Nuk dua të kthehem në SHBA, pa e vizituar varrin e babait. Për këtë qëllim bëra kaq shumë kilometra rrugë.

Varrezat nuk janë livadhe

Qyteti i Gjilanit ka rreth 55 mijë banorë, sipas regjistrimit të fundit, pa fshatra dhe ka vetëm një palë varreza. Në këtë numër nuk figurojnë edhe rreth 35 mijë banorë të tjerë, të cilët jetojnë e punojnë në botën e jashtme, të cilët varret i bëjnë në atdhe. Hapësira ekzistuese e varrezave të qytetit, është shfrytëzuar maksimalisht dhe duket se nuk do të ketë më vend për varre të reja. Imamët duhet ta alarmojnë gjendjen në varreza, jo vetëm për hapësirën, por edhe për gjendjen e tyre, ku nuk mund të futesh prej barit. Varret nuk numëron me gishta, por sa pashë unë, aty nuk kishte ngelur më vend për varre të reja. E, secili popull ka lindje e ka vdekje. Nuk duhet të harrojmë se varrezat janë një hapësirë e shenjtë, ku shprehet kultura dhe civilizimi i një populli. Nëse shikohen varrezat tona të vjetra, ngado nëpër Kosovë, jo gjithmonë mund të mburremi me mirëmbajtjen e tyre. As Gjilani nuk është përjashtim. Varrezat nuk janë livadhe që të mbulohen nga bari e ku mund të kullosin bagëtia. I nderuar kryetar, ty të takon edhe kjo punë, jo ta bësh vetë, por ta angazhosh një kompani që merret me mirëmbajtjen e varrezave. Unë kam ardhur për babanë tim dhe nuk dua të kthehem pa e gjetur varrin e tij. Më ndihmo pra ta gjej babanë tim në varrezat e qytetit.