Marrëveshja Sykes-Picot vdes në 100-vjetorin e saj

 Marrëveshja Sykes-Picot vdes në 100-vjetorin e saj
  • 25 May 2016 - 09:55

Shkruan: Joschka Fischer

Ballkanizimi i Lindjes së Mesme

Iraku dhe Siria tani janë teatri kryesor i betejave për një rend të ri

Pa një pajtim midis izraelitëve dhe palestinezëve, është vetëm çështje kohe para se të shpërthejë përsëri baruti palestinez

Më 16 maj të viti 1916, në mes të Luftës së Parë botërore, Britania e Madhe dhe Franca nënshkruan një pakt sekret në Londër. Zyrtarisht e njohur si Marrëveshja rreth Azisë së vogël, kjo marrëveshje, e negociuar nga diplomatët Mark Sykes dhe François Georges-Picot, ka përcaktuar fatin dhe rendin politik të Lindjes së Mesme deri në ditët tona. Por, jo edhe për shumë kohë.

Një shekull më parë, fuqitë evropiane që ishin në rrugë të mirë të shpalleshin fitimtare ishin të preokupuara me ndarjen e regjionit (i cili asokohe ishte pjesë e Perandorisë Osmane) dhe ata bënë “një vijë në rërë” (sikur që e quajti atë autori James Barr) e cila shtrihej nga porti mesdhetar i Akrës, në Palestinën veriore, deri në Kirkuk, në Irakun verior, në kufi me Iranin. Të gjitha territoret në veri të asaj vije, sidomos Libani dhe Siria, do t’i takonin Francës. Territoret në jug të saj – Palestina, Transjordania dhe Iraku, do t’i takonin Britanisë, e cila kryesisht ishte e interesuar për mbrojtjen e interesave britanike përgjatë Kanalit të Suezit, rrugës kryesore detare deri te India Britanike.

Por, në të njëjtën kohë, Britania ishte duke negociuar me arabët, të cilët ua kishin mbajtur anën britanikëve dhe francezëve në një kryengritje kundër sundimit osman – në rend të parë me Hussein bin Ali, Sharifin nga Meka. Husseinit i ishte premtuar Siria, në rast të një fitoreje ushtarake kundër turqve. Por, sipas marrëveshjes Sykes-Picot, Siria iu dha Francës. Pra, që nga fillimi ishte e qartë se njëra palë do të përfundonte e mashtruar. E, ajo ishte pala më e dobët, arabët të etur për pavarësi.

Marrëveshja sekrete, e negociuar nga Sykes dhe Picot më pas çoi deri te formimi i shteteve të cilat iu shërbyen fuqive të mëdha koloniale të Evropës, e jo interesave sociale, religjioze dhe etnike të rajonit. Lindjes së mesme myslimane iu imponua një rend politik nga fuqitë e Evropës së krishterë, të cilat nuk respektonin përkushtimin e deklaruar të tyre për pavarësinë e arabëve – një rend i cili ka qenë shkaktar i një shekulli të tërë të luftërave dhe konflikteve.

Britania dhe Franca, në rolin e Portës së Lartë

Në botën arabe, trauma e kësaj tradhtie dhe dështimi i lëvizjes nacionale zgjati më shumë sesa që pritej. Por, Sykes dhe Picot sollën një pajtim midis dy fuqive të mëdha të Antantës dhe, rendi regjional të cilin ata e krijuan pas shekujve të sundimit turko-osman, i qëndroi kohës. Hegjemonët evropianë, Britania dhe Franca, morën rolin e Portës së Lartë, duke e garantuar këtë rend qoftë në mënyrë direkte, apo me anë të lakenjve të tyre regjionalë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja mori rolin e garantuesit kryesor të sistemit Sykes-Picot. Por, përvoja e Amerikës në Irak, pas intervenimit të vitit 2003, si dhe pas përhapjes së trazirave atje dhe gjetiu, çoi deri te tërheqja e forcave amerikane dhe deri te zvogëlimi i involvimit në rajon. Me këtë, sistemi Sykes-Picot filloi të rrënohej.

Për këtë shkak, sot, krizat kryesore në Lindjen e Mesme janë duke u zhvilluar saktësisht në zemrën e Marrëveshjes Sykes-Picot: në Siri, Liban dhe Irak. Edhe çështja kurde është kthyer në lojë.

Vetëm Izraeli dhe Jordania duket të jenë stabile, por kujdes ndaj fjalës “duken”. Pa një pajtim midis izraelitëve dhe palestinezëve, është vetëm çështje kohe para se të shpërthejë përsëri baruti palestinez. Dhe, stabiliteti i Jordanisë varet në një masë të madhe te besnikëria e ushtrisë dhe beduinëve ndaj monarkisë, si dhe nga një shërbim sekret tejet efikas. Por, këto nuk janë baza të mjaftueshme të fleksibilitetit, sidomos kur kihen parasysh “dridhjet tektonike” që ngjajnë në fqinjësi, në Irak dhe Siri. Këto dy vende tani janë teatri kryesor i betejave për një rend post Sykes-Picot të Lindjes së Mesme. Që të dy këto vende ka kohë që nuk kanë qenë stabile, të sunduara nga diktatorë laikë Ba’athistë, të cilët ballafaqoheshin me një shumicë popullore që i takonte një sekti rival mysliman, përpos popullsisë së madhe kurde, të cilët ka kohë që ëndërrojnë pavarësinë.

Lufta mes fraksioneve religjioze

Rendi post-Sykes-Picot do të jetë rezultat i një luftimi viteve të ardhshme midis fuqive regjionale – në rend të parë midis Iranit dhe Arabisë Saudite – dhe fraksioneve religjioze të tyre, sikur Hezbollahut shiit, apo ISIS-it sunit. Çdo intervenim ushtarak perëndimor vetëm sa do ta përkeqësonte situatën. Ka kaluar koha kur një hegjemon perëndimor mund ta kontrollonte Lindjen e Mesme, qoftë edhe me ushtri. Forcat regjionale, e jo fuqitë e jashtme (as Rusia), do të jenë ato që do ta krijojnë rendin e ri në Lindjen e Mesme, i cili do të paraqitet në rrënojat e sistemit Sykes-Picot. Pasi që luftërat ‘proxy’, sikur ajo në Siri, ta kenë mbaruar funksionin e tyre, marrëveshja Sykes-Picot do t’i takojë historisë.

Por, rendi i ri botëror mund të vonohet, meqë asnjëra nga fuqitë regjionale nuk është aq e fortë saqë t’ua imponojë vendeve të tjera vullnetin e vet. Nëse ato do të përcaktohen për një betejë të padobishme për hegjemoni, Lindja e Mesme do të ballafaqohet me një fatkeqësi të madhe politike dhe humanitare. Në fund, sfilitja e përgjithshme në të gjitha anët, do ta imponojë një pajtim, dhe hapat e parë në drejtim të një marrëveshjeje regjionale paqësore.

Një gjë është e qartë: Sa më shumë që të vonohet rendi i ri, aq më keq do të jetë për të gjithë. Një proces i zgjatur dhe një periudhë e ballkanizimit të Lindjes së Mesme do të rezultojë me më shumë mjerim dhe vuajtje – duke bërë kështu një bombë me sahat për paqen botërore. Për ata jashtë regjionit, shpresa e vetme është që asnjëra nga fuqitë e brendshme të mos ketë interes ta bëjë një gjë të tillë.

(Joschka Fischer, ish-sekretar i jashtëm i Gjermanisë, është themelues i të gjelbërve gjermanë)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”