Njohje e vonuar e presidentit Rugova nga "çlirimtarët" apo degradimi i familjes Rugova?!

Njohje e vonuar e presidentit Rugova nga
  • 27 May 2016 - 08:04

Shkruan: Florim Zeqa

Njerëzve të mëdhenj me kalimin e kohës u ngrihet vlera, ndërsa diktatorët e shpirtligjtë koha i mbulon me pluhurin e harresës. Te njerëzit e mëdhenj vdekja nuk është fjala e tyre e fundit, madje nga ai çast fillon epoka e re e përjetësisë, është ardhja në shprehje e vlerave të vërteta të tyre, kjo vërehet te pasardhësit e tyre, në përpjekjet e tyre për ta ndjekur të njëjtën rrugë për aq sa munden e dinë... "Çlirimtarët", të tmerruar nga frika e humbjes së pushtetit, iu kanë kthyer veprës së presidentit historik, Ibrahim Rugova, jo për ta sharë e për ta ofenduar si dikur, që i thoshin "pacifist", "tradhtar", e terma të tjerë të ulët në stilin e tyre tradicional, por tani duke u betuar në veprën e tij, në vizionin e tij për shtetin e Kosovës, në opsionin e tij paqësor për zgjidhjen e problemeve të brendshme dhe raporteve me ndërkombë- tarët.

Pacifistët e ditëve tona

Është mirë që ndodh kështu, të paktën për ta kuptuar elektorati i PDK-së mashtrimin që u kanë bërë liderët e tyre në të kaluarën, përmes manipulimit e spekulimit rreth emrit dhe veprës së Ibrahim Rugovës, dhe është shumë mirë që e shohin të njëjtin lidership, por tani duke u betuar në filozofinë rugoviane, në rrugën paqësore, në miqtë ndërkombëtarë të Rugovës. Mbase kjo do të ndikojë më së miri në vetëdijesimin e elektoratit kosovar për zgjedhjet e ardhshme, për çka ndëshkimin më të madh "pacifistët " e ditëve të sotme do ta kenë nga elektorati i tyre. Kjo është qartë e kuptueshme se gjithë ky admirim i "çlirimtarëve" për Rugovën është false, nuk është nga dashuria e respekti për të. Këta janë të njëjtët që në të kaluarën nuk e kanë njohur dhe respektuar institucionin e presidentit të shtetit të Kosovës, vetëm pse Rugova ishte në krye të shtetit, edhe pse tani e quajnë president historik është e pavlerë dhe e panderë për ta. Kjo përvese është një njohje e vonuar e vlerave njerë- zore e kombëtare, është edhe e rrezikshme nga tendenca e tërheqjes së një paraleleje të përbashkët në mes tyre dhe Ibrahim Rugovës. Është e kuptueshme dëshira e "çlirimtarëve" për t'u pajisur me vlera që u mungojnë, por fillimisht duhet t'i kërkojnë falje publike popullit të Kosovës për të gjitha të bëmat gjatë dhe pas luftës, për përçarjet e popullatës shqiptare, për obstruksionet që i bënë në vazhdimësi vizionit rugovian për shtetin e Kosovës deri në djegien dhe përdhosjen e simboleve rugoviane të shtetit të Kosovës.

Historia nuk mund të ndryshohet

Është i kuptueshëm qëllimi i "çlirimtarëve", por një gjë e kanë të pamundur ta bëjnë, ta ndryshojnë-historinë, ngase ajo është e pamëshirshme! Ngjarjet e hidhëta të ndodhura në këtë vend nuk kanë qenë të shkruara në akull, janë të shkruara mirë në kujtesën e popullit përmes vuajtjeve e sakrificave të shumta, përmes mundit e djersës, flijimit e gjakut të derdhur ndër vite e dekada për këtë LIRI që e gëzojmë sot. Pas ardhjes në pushtet, Hashim Thaçi me kompaninë e tij iu vërsulen vendit të shenjtë në Velani, duke u përulur më shpesh se rugovistët e "përbetuar", duke u shndërruar në lëpirësit më të mëdhenj të mermerit mbi varrin e tij. Ndaj kësaj dukurie, asokohe pata reaguar përmes shkrimit; Njohja e vonuar e presidentit Rugova nga "çlirimtarët" (26.01.2012). Të njëjtën rrugë është duke e ndjekur edhe pasardhësi i tij në PDK. Vizita e fundit e kreut të SHIK-ut me eskortën e tij te varri i presidentit dhe në familjen Rugova, më tepër se njohje e vonuar dhe përulje ndaj presidentit, është hipokrizi e llojit të vet, e cila shpërfaqi edhe degradimin e skajshëm të familjes Rugova.

Shembulli i familjes Jashari

Në rrethana normale do duhej mbyllë dera Kadri Veselit nga familja Rugova ashtu siç familja e Adem Jasharit i mbylli derën Hashim Thaçit, por ç't'i bësh kur vetë familjarët e tij i janë bashkangjitur të keqes në pushtet, duke u larguar nga rruga dhe vizioni i zotit të shtëpisë. Sikur familja Rugova ta ndiqte shembullin e familjes Jashari për mbylljen e derës jo vetëm për Thaçin e Veselin, por edhe për Isën dhe sejmenët e tij, do të ruante imazhin e saj si familje emblematike e presidentit historik, dhe LDK-ja nuk do të ishte katandisur keq, por do të kishte mbetur zonjë e politikës kosovare dhe shpresëdhënëse e qytetarëve të Kosovës. Meqenëse nuk e bëri këtë, familja e presidentit Rugova fare s'ka pasur nevojë për ta shfaqur gjithë atë admirim dhe gëzim për vizitën e kreut të SHIK-ut në familjen e tyre. Në moshë të fëmijërisë, shpesh më kishte rënë të dëgjoja nga pleqtë e fshatit një thënie rreth trashëgimisë, po e citoj në origjinal; "Me dalë prej të mirit i miri është adet, me dalë prej të keqit i miri është marifet, ndërsa me dalë prej të mirit i keqi është adalet"! Vërtet nuk ka ku shkon më keq se kështu, janë bërë bashkë e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, besa dhe tradhtia! Përfundimisht na duhet të kënaqemi me konstatimin e Adem Demaçit për politikanët e ditëve të sotme, i cili, edhe përkundër përfitimeve materiale nga pushtetarët aktualë, e ka thënë një të vërtetë të madhe; "Thaçi është më i miri prej të këqijve", por unë akoma nuk e kam të qartë, se cili është më i keqi politikan prej të këqijve në Kosovë?! Përgjigjen në këtë pyetje le ta gjejnë lexuesit e gazetës "Kosova Sot", si vrojtuesit më të mirë e të gjitha ngjarjeve në Kosovë.

(Kosova Sot)