Amerika vazhdon që të jetë e madhe, por ajo ka nevojë që të mbetet e fuqishme

Amerika vazhdon që të jetë e madhe, por ajo ka nevojë që të mbetet e fuqishme
  • 29 May 2016 - 10:55

Shkruan: Fareed Zakaria

Gjatë viteve të fundit ka forcuar pozitën e saj

Vendi praktikisht dominon në të gjitha industritë kryesore

Realiteti është se Amerika vazhdon që të mbetet fuqia kryesore botërore, por ajo mund të arrijë qëllimet e veta, vetëm duke i definuar interesat gjerësisht, duke punuar me të tjerët për krijimin e një rrjeti të bashkëpunimit

Qëndrimet e Trump-it rreth politikës publike kanë ndryshuar përgjatë viteve, muajve, bile edhe ditëve. Të dielën, ai ia doli që t’i shprehte dy mendime kontradiktore në një fjali të vetme: “Nuk dua që të ketë armë në shkolla edhe pse, në disa shkolla, mësuesit duhet të kenë armë, thënë sinqerisht”. Por, në lidhje me një çështje, ai ka qenë tepër konsistent: “Ky është një vend i padurueshëm. Jemi duke marrë me të shpejtë teposhtën”. Kjo shprehje e një vendi në rënie e sipër, është në qendër të kampanjës së Trump-it dhe, mesazhi i tij është – ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore.

Në fakt, gjithnjë e më shumë është duke u bërë e qartë se SHBA-ja gjatë viteve të fundit ka forcuar pozitën e saj si fuqia kryesore ekonomike, teknologjike, ushtarake dhe politike. Vendi praktikisht dominon në të gjitha industritë kryesore – duke filluar nga rrjetet sociale, e deri te telefonia mobile, apo nano-bioteknologjia – sikur kurrë më parë. Ajo e ka transformuar veten në një superfuqi energjetike – prodhuesin më të madh në botë të naftës dhe gazit – derisa po ashtu shkon kah një revolucion i teknologjisë ekologjike.

Kina gjendet tepër prapa SHBA-së sa i përket aftësisë së saj

SHBA-ja është e gjallë edhe në aspektin demografik, derisa vendet e tjera me ekonomi të madhe (Japonia, Evropa bile edhe Kina) janë duke u ballafaquar me një rënie demografike.

Joshua Cooper Ramo, autor i një libri të ri, të mençur, “The Seventh Sense”, thotë se, në epokën e rrjeteve, fituesi shpesh i merr të gjitha. Ai thekson se ekzistojnë nëntë platforma globale teknologjike (‘Google Chrome’, ‘Microsoft Office’, ‘Facebook’, etj.), të cilat janë duke u përdorur nga më shumë se 1 miliard njerëz. Që të gjitha dominojnë në tregjet e tyre dhe që të gjitha janë amerikane. Dollari është duke u përdorur me të madhe për transaksione ndërkombëtare financiare, sot më shumë sesa 20 vjet më parë.

Në kuadër të disa eseve, shkencëtarët Stephen Brooks dhe William Wohlforth, theksojnë se Kina është rivali më i përafërt i SHBA-së, por vetëm në një aspekt, në atë të GDP-së. Një masë më e mirë, më e gjerë e fuqisë ekonomike, thonë Brooks dhe Wohlforth, është “pasuria gjithëpërfshirëse”. Kjo është shuma e “kapitalit prodhues të vendit” (rrugëve, ndërtesave, makinave dhe pajisjeve), kapitalit njerëzor (aftësive, edukimit, shëndetit) dhe kapitalit natyror (burimeve të nëndheshme, ekosistemeve, atmosferës)”. “Pasuria gjithëpërfshirëse” e SHBA-së në vitin 2010 ishte rreth 144 trilionë dollarë, katër herë e gjysmë më e madhe sesa ajo e Kinës.

Kina gjendet tepër prapa SHBA-së sa i përket aftësisë së saj për vlerën e shtuar të mallrave dhe për të krijuar produkte të reja. Brooks dhe Wohlforth vërejnë se gjysma e eksporteve të Kinës janë pjesë që importohen në Kinë, kompletohen atje, e më pas eksportohen, kryesisht te kompanitë perëndimore. Autorët në fjalë po ashtu sugjerojnë se pagesat për pronën intelektuale janë një tregues kyç i fuqisë teknologjike. Në vitin 2013, Kina mori më pak se 1 miliard dollarë, derisa SHBA-ja mori 128 miliardë dollarë. Në vitin 2012, Amerika regjistroi shtatëherë më shumë patentë “triadikë” – patentat e lëshuar në SHBA, Evropë dhe Japoni.

Në fushën ushtarake dhe politike, dominimi është edhe më i theksuar. Ka shumë mënyra për ta matur këtë, por ta marrim vetëm njërën prej tyre: forma më e fuqishme e forcës mbrojtëse, bartësit e avionëve. SHBA-ja operon me dhjetë sish, derisa Kina e ka vetëm një, edhe atë jo funksional, të marrë nga Ukraina. Në fushën e luftimit të teknologjisë së lartë – dronëve, spiunimit – përparësia e SHBA-së është edhe më e madhe. Dhe, ndoshta ajo që ka më së shumti rëndësi, SHBA-ja ka një rrjet aleatësh në mbarë botën dhe aktualisht është duke formuar aleanca të reja, të rëndësishme, sikur që janë ato me Indinë dhe Vietnamin. Në ndërkohë, Kina ka vetëm një aleat ushtarak – Korenë Veriore.

Rritja e fuqive regjionale

Kompleksiteti i sistemit të sotshëm ndërkombëtar është se, përkundër dominancës së Amerikës, edhe vendet e tjera kanë zënë vendin e tyre. Në vitin 1990, hisja e Kinës në GDP-në botërore ishte 1.7%. Tani, ajo është 15%. Vendet në zhvillim si tërësi kanë përparuar nga rreth 20%, në 40% , në të njëjtën periudhë. Dhe, derisa GDP nuk është gjithçka, ajo është reflektim i realitetit se asnjë vend si i vetëm – bile as SHBA-ja – nuk mund ta imponojë vullnetin e saj.

Jam përpjekur që ta përshkruaj këtë peizazh në librin tim të vitit 2008, me titull “The Post-American World”, në të cilin them: “Uashingtoni ende nuk ka rival të vërtetë dhe nuk do ta ketë një të tillë për një kohë të gjatë, por ajo përballet me një numër gjithnjë e më të madh pengesash. Kina ka ndikim të madh në botë dhe mund të shihet si e aftë për ta krijuar një bankë investuese për infrastrukturën aziatike, pas vërejtjeve të Uashingtonit. Rritja e fuqive regjionale, sikur që janë Arabia Saudite dhe Turqia, bën që ato t’i vlerësojnë vetë interesat e tyre në Lindjen e Mesme, shpesh duke penguar përpjekjet amerikane. Bile edhe Pakistani, një aleat dhe marrës i ndihmave, thjesht kundërshton Amerikën në mënyrë të heshtur, duke mbështetur talibanët në Afganistan.

Realiteti është se Amerika vazhdon që të mbetet fuqia kryesore botërore, por ajo mund të arrijë qëllimet e veta vetëm duke i definuar interesat gjerësisht, duke punuar me të tjerët për krijimin e një rrjeti të bashkëpunimit. Por, kjo nuk është pjesë e kampanjave. 

(Kosova Sot)