'Lugina e Diellit', parajsa në mes të ferrit

'Lugina e Diellit', parajsa në mes të ferrit
  • 24 June 2016 - 08:09

Shkruan: Mr. Sc.Islam Krasniqi

Provokimet serbe nuk kanë të ndalur, bashkësia ndërkombëtare injoron kërkesat tona, Qeveria e Kosovës e ka humbur fuqinë dhe pos deklaratave boshe nuk mund të konkretizojë asnjë veprim, Presidenca hesht. Në pjesën veriore të Mitrovicës, Serbia ka filluar të ndërtojë një lagje të terë, me gjithsej 300 shtëpi, pa e pyetur askënd, nëse mund të shprehem ashtu, sepse zv.kryeministri dhe disa ministra të Republikës së Kosovës po janë prezentë, duke e shkelur çdo normë ligjore të sovranit për t'i shërbyer Serbisë. Gjersa shqiptarët, të cilët kanë jetuar në pjesën veriore të Mitrovicës, nuk lejohen të kthehen ne shtëpitë e tyre, nuk lejohet t'i ndërtojnë shtëpitë aty ku i kishin, Serbia ndërton edhe lagje të tëra për t'i kolonizuar me serb, për t'i mbushur ato me serbë po mbi shtëpitë e shqiptarëve për t'i zhdukur themelet e tyre qindravjeçare. BEja i ka shti veshët në lesh dhe po bëhen të shurdhër karshi Republikës së Kosovës, ashtu siç ishte bërë gjatë historisë shqiptare, në anën tjetër, Kina ka premtuar 2.4 milionë dollarë për ndërtimin e 'Luginës së 'Diellit. Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se nuk ka lojëra me serbët dhe se projekti i ndërtimit të 300 shtëpive për kthimin e mbi 1000 serbëve në Zveçan, nëpërmjet projektit "Lugina e Diellit" do të përfundojë shumë shpejt, i cili ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se për 16 vjet nuk është bërë asgjë për kthimin e serbëve dhe ai po harron së edhe 16 vjet pas lufte s'janë kthyer trupat e pajetë të familjarëve tanë, të grave fëmijëve që na mori Serbia, nuk na kërkuan as falje për krimet dhe gjenocidin që i kryen mbi popullatën civile dhe ende i qesin dhembet duke na treguar së ata jemi, s'kemi ndryshuar aspak. 

Nuk zbatohet parimi i reciprocitetit ndërmjet shteteve në Ballkan Republika e Kosovës ende nuk e ka shtrirë sovranitetin mbi tërë territorin dhe kufijtë e saj, ku me marrëveshjen e asociacionit po pretendohet t'i jepet edhe autonomi, e cila do t'ia pamundësonte Kosovës të funksionojë ndonjëherë si shtet. Tentuan që t'i shuanin strukturat paralele, por ato vetëm i fuqizuan duke i bërë të ligjshme, të cilat për fushëveprimin e tyre të kundër ligjshme marrin paga edhe nga buxheti i Republikës së Kosovës. Amerika e përkrahu projektin e Kosovës, mirëpo Evropa na ktheu shpinën dhe projektin e Kosovës nuk e finalizoi asnjëherë. Kjo gjendje po i shkon për shtati dikujt e kujt me shumë së Serbisë, e cila duke e shfrytëzuar paaftësinë e palës kosovare po afrohet me pranë BE-së dhe po bën çfarë po do në Kosovë. E quajta 'Lugina e Dellit', parajsë në mes të ferrit, sepse serbët po jetojnë si lordë, po janë të përkëdhelur nga institucionet e Kosovës, të Serbisë, të BE-së dhe me larg, ku ua kanë plaçkitur pasurinë e shqiptarëve, ua kanë djegur shtëpitë, si në si në kohë lufte, duke i dëbuar nga pronat e tyre, disa duke i vrarë, e shqiptarët jetojnë si qiraxhinj që 17 vjet, duke mos guxuar as t'i vizitojnë pronat e tyre nga strukturat paralele. Pse të mos jetë parajsë për minoritetin serb, sepse trajtohen si të paprekshëm, të liruar nga të gjitha obligimet e shtetit, si nga tatimi, rryma, ujë etj., etj. Një gjë le të kuptojë bota demokratike, se derisa nuk zbatohet parimi i reciprocitetit ndërmjet shteteve në Ballkan s'do të ketë stabilitet as në Evropë.

(Kosova Sot)