'Brexit'-i dhe e ardhmja e Evropës

'Brexit'-i dhe e ardhmja e Evropës
  • 27 June 2016 - 10:05

Shkruan: George Soros 

Kampanja për largim e ka shfrytëzuar situatën e rëndë të refugjatëve.

'Brexit'-i do t'i hapë dyert për forcat tjera anti-evropiane përbrenda Unionit. Në fakt, pa dalë mirë rezultatet nga referendumi në Britani, Fronti Kombëtar në Francë ka filluar të bëjë thirrje për një 'Frexit', ndërsa populisti holandez, Geert Wilders, ka promovuar 'Nexit'-in

Britania, sipas meje, ka pasur të gjitha marrëveshjet më të mira me Bashkimin Evropian, duke qenë anëtare e tregut të përbashkët pa qenë pjesë e euros dhe kishte arritur t'i siguronte një sërë përjashtimesh e privilegjesh nga rregullat e BEsë. Megjithatë, kjo gjë nuk ka mjaftuar për ta ndalur elektoratin e Britanisë së Madhe nga dhënia e votës për largimin e Britanisë nga BE-ja. Pse? Përgjigjja mund të vërehet në sondazhet e organizuar në muajt para mbajtjes së referendumit për 'Brexit'. Kriza e migrimit në Evropë dhe debati për 'Brexit' e kanë ushqyer njëra-tjetrën. Kampanja për largim e ka shfrytëzuar situatën e rëndë të refugjatëve, duke përdorur pamjet e mijëra azilkërkuesve të vendosur në Kalai të Francës, që me çdo kusht kërkonin të futeshin në Britani të Madhe. Këto imazhe ishin përdorur për të ngjallur frikë nga imigrimi i "pakontrolluar" nga shtetet anëtare të BE-së. Autoritetet evropiane kanë shtyrë disa vendime të rëndësishme në politikat e refugjatëve me qëllim që t'i shmangnin efektet negative në votën e referendumit të Britanisë së Madhe, duke përjetësuar më pastaj skena kaotike si ato në Kalai. Vendimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, për t'i hapur dyert e vendit të saj për refugjatët e shumtë ka qenë një gjest inspirues, megjithatë jo mirë i menduar, sepse ka injoruar faktorin e tërheqjes. Një fluks i madh i refugjatëve kishte filluar t'i pengonte njerëzit në përditshmërinë e tyre në BE. 

 

Mbijetesa e projektit evropian Mungesa e kontrollit adekuat kishte krijuar panik, që prekte të gjithë: popullsinë lokale, autoritetet përgjegjëse për sigurinë publike dhe vetë refugjatët. Kjo gjë ka ndikuar edhe në shtrimin e rrugës për partitë ksenofobe anti-evropiane, siç është Partia për Pavarësinë e Britanisë së Madhe, e cila ka udhëhequr kampanjën për largim në Britani, në kohën kur qeveritë kombëtare dhe institucionet evropiane po duken të paafta për ta trajtuar krizën. Tani është përjetësuar skenari më i tmerrshëm, të cilit i janë frikësuar të gjithë, duke bërë që shpërbërja e BE-së të bëhet praktikisht e pakthyeshme. Britania mund të jetë ose të mos jetë në një pozitë më të mirë pas daljes nga BEja, mirëpo ekonomia dhe banorët e saj do të vuajnë shumë në aspektin afatshkurtër dhe atë afatmesëm. Funti ka rënë në nivelin më të ulët në më shumë se tri dekada menjëherë pas shpalljes së rezultatit të referendumit dhe tregjet financiare nëpër botë pritet të vazhdojnë të ballafaqohen me trazira për edhe një kohë. Komplikimet për ekonominë reale të Britanisë së Madhe mund të krahasohen vetëm me krizën financiare të vitit 2007-2008. Procesi, natyrisht, do të jetë i mbushur përplot me pasiguri dhe rreziqe tjera politike, sepse ajo që ka pasur të vendoset nga ky referendum asnjëherë nuk ka qenë përparësia reale ose imagjinare e Britanisë, mirëpo vetë mbijetesa e projektit evropian. 'Brexit'-i do t'i hapë dyert për forcat tjera anti-evropiane përbrenda Unionit. Në fakt, pa dalë mirë rezultatet nga referendumi në Britani, Fronti Kombëtar në Francë ka filluar të bëjë thirrje për një 'Frexit', ndërsa populisti holandez, Geert Wilders, ka promovuar 'Nexit'-in. 

 

Reagimi i BE-së ndaj 'Brexit'-it mund të jetë një tjetër grackë Për më tepër, edhe vetë Britania mund të mos mbijetojë. Skocia, e cila ka votuar në masë të madhe për të mbetur në BE, mund të pritet ta bëjë edhe një tjetër përpjekje për ta fituar pavarësinë nga Britania e Madhe dhe disa zyrtarë në Irlandën Veriore, ku votuesit gjithashtu kanë mbështetur qëndrimin në BE, veçse kanë filluar të bëjnë thirrje për unifikim me Republikën e Irlandës. Reagimi i BE-së ndaj 'Brexit'-it mund të dalë të jetë një tjetër grackë. Liderët evropianë, të etur për t'i parandaluar shtetet tjera anëtare nga ndjekja e shembullit të Britanisë, mund të mos jenë në humor për t'i ofruar Britanisë kushte - veçanërisht ato që kanë të bëjnë me tregun e përbashkët të Evropës - që do t'i qetësonin dhimbjet e largimit. Ndikimi më shkatërrues do të vërehet tek eksportuesit. E, pasi që institucionet financiare të fillojnë të rivendosen nëpër qendrat tjera të Eurozonës, qyteti i Londrës (dhe tregu i shtëpive në Londër) nuk do të shpëtojë pa dhimbje. Mirëpo, implikimet për Evropën mund të jenë edhe më të mëdha. Tensionet tek shtetet anëtare kanë arritur në pikën e vlimit, jo vetëm sa i përket refugjatëve, mirëpo edhe sa u përket tendosjeve në mes të kreditorëve dhe borxhlinjve përbrenda Eurozonës. Në të njëjtën kohë, liderët e dobësuar në Francë dhe Gjermani tani janë drejtpërsëdrejti të përqendruar në problemet e brendshme. Në Itali, rënia prej 10 për qind në tregun e aksioneve pas votës për 'Brexit' sinjalizon që ky shtet është i cenueshëm dhe mund të preket nga kriza bankare. 

 

Humbja e tregjeve Asnjëra prej këtyre nuk është shenjë e mirë për një program serioz për reforma në Eurozonë, që do të duhej të përfshinin unionin e vërtetë bankar, një union të limituar fiskal dhe një mekanizëm më të fuqishëm të llogaridhënies demokratike. As koha nuk është në anën e Evropës, pasi që presionet e jashtme nga Turqia dhe Rusia - që po mundohen të përfitojnë nga rasti - përbëjnë grindjet e brendshme politike të Evropës. Pikërisht në këtë pikë jemi sot. E gjithë Evropa, përfshirë edhe Britaninë, do të vuante nga humbja e tregut të përbashkët dhe humbja e vlerave të përbashkëta, të cilat BE-ja ishte dizajnuar për t'i mbrojtur. Megjithatë, BE-ja është thyer dhe ka pushuar së përmbushuri nevojat dhe aspiratat e qytetarëve të vet. Ajo është duke shkuar drejt një shpërbërje të çrregullt që do ta linte Evropën në situatë më të keqe nga ajo që do të kishte qenë sikur BE-ja të mos kishte ekzistuar fare. Mirëpo, ne nuk duhet të dorëzohemi. Është e qartë që BE-ja i ka të metat e veta. Pas 'Brexit'-it, të gjithë ne që besojmë në vlerat dhe parimet, për mbrojtjen e të cilave është dizajnuar BE-ja, duhet ët bashkohemi për ta mbrojtur atë duke e rikontruktuar nga fillimi. Jam i bindur që kur me kalimin e javëve dhe muajve pasojat e 'Brexit'-it të fillojnë të shpërfaqen, çdo ditë e më shumë njerëz do të na bashkohen.

(George Soros është kryetar i 'Soros Fund Management' dhe i 'Open Society Foundations'. Ai gjithashtu është autor i shumë librave, në mesin e të cilave edhe "The Tragedy of the European Union") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT