Serbizimi i pjesës veriore, pasojë e bisedimeve të Brukselit!

Serbizimi i pjesës veriore, pasojë e bisedimeve të Brukselit!
  • 28 June 2016 - 08:11

Shkruan: Florim Zeqa

Favoret (të mirat) që liderët e korruptuar kosovarë i bënin Serbisë përmes të ashtuquajturave bisedime ("teknike") politike në Bruksel, asnjë lider i një kombi tjetër nuk do t'ua nënshkruante për asnjë çmim dhe asnjë një popull tjetër nuk do të pajtohej kaq lehtë me një tradhti të tillë.

Tashmë serbët kanë arritur objektivat e tyre strategjike mbi pjesën veriore të vendit. Pas rivendosjes së barrikadës së re (të hekurt) mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë, vënies së gurthemelit të projektit kolonizues e të ashtuquajturës "Lugina e Paçes", marrjes së vendimit për ngritjen e shtatores së "Car Llazarit",...po kërkojnë edhe caktimin e vijës kufitare të ndarjes së qytetit të Mitrovicës, që njëherësh do të jetë vijë ndarëse e sovranitetit me dy shteteve (Serbi-Kosovë). Siç e ceka më sipër, Serbia ka arritur objektivat e saj ndaj Kosovës, sa për ilustrim po i përmendi vetëm disa prej tyre; -ndarjen territoriale të Kosovës në baza etnike, -ndarja e veriut me krijimin e Asociacionit të Komunave serbe (në Bruksel), - transformimi (përmes decentralizimit) i enklavave në komuna serbe në brendi të vendit, -fuqizimi i kishave dhe manastireve serbe ("Metohi-tokë e kishave"), si asnjëherë më parë gjatë historisë (vetëm Manastiri i Deçanit ka gllabëruar rreth 24 hektarë tokë shqiptare, plus 800 hektarë si zona të mbrojtura), -amnistimi i kriminelëve serbë të luftës, -ruajtja e sovranitetit të dyfishtë mbi Kosovë,...e shumë e shumë elemente tjera që dëmtojnë rëndë shtetësinë dhe sovranitetin e vendit tonë - Republikës së Kosovës. Kjo bëhet më e dhimbshme kur i shtojmë faktin tjetër, që Serbia gjakatare në kurriz të Kosovës fitoi edhe statusin kandidat për anëtarësim në BE, pa u ditur fati i mbi 1600 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Të gjitha këto, pushtuesit veriorë të vendit tonë i arritën nëpërmjet bisedimeve politike në Bruksel, apo më mirë është të themi i morën dhuratë nga qeveria kuislinge në Prishtinë.

Kosova, plaçkë lufte e liderëve partiakë Favoret (të mirat) që liderët e korruptuar kosovarë i bënin Serbisë përmes të ashtuquajturave bisedime ("teknike") politike në Bruksel asnjë lider i një kombi tjetër nuk do t'ua nënshkruante për asnjë çmim dhe asnjë një popull tjetër nuk do të pajtohej kaq lehtë me një tradhti të tillë! Kjo e vërteton për të satën herë faktin se liderët tonë nuk e trajtuan asnjëherë Kosovën si atdhe të tyre, por si "plaçkë" lufte me të cilën dhe për të cilën negociuan pamëshirshëm, duke tkurrur territorin dhe sovranitetin e vendit të tyre sikur të ishte më tepër se plaçkë lufte,...sikur ky të ishte territor i një vendi tjetër! Arritjet e deritanishme politikës serbe ndaj Kosovës mund të jenë të mjaftueshme për mosvazhdimin e dialogut me palën kosovare. Pasi ata (serbët) morën krejt çka deshën, ndërsa palës kosovare ua lanë si ngushëllim në dorë MSA-në, apo thënë ndryshe të "trashtë" e surles, duke i lënë shqiptarët e Kosovës të vetmit në Ballkan të getoizuar, pa të drejtë lëvizje të lirë drejt vendeve të BE-së dhe të pashpresë për jetë në vendin e vet. Problemi i barrikadës së re mbi urë, përveçse një simbolikë, mbetet edhe pikë reference e ndarjes së sovranitetit mes serbëve dhe shqiptarëve, mes veriut e jugut të Mitrovicës, dikur qytetit të përbashkët të minatorëve, krenarisë sonë kombëtare.

Të ndalet trendi i pazareve politike Megjithatë, nostalgjia e liderëve kosovarë për t'u takuar me ata serbë nuk ka të ndalur! Liderët kosovarë bëjnë gara cili të ulet i pari në tavolinën e bisedimeve me Serbinë...,jo që e bëjnë për t'i sjellë ndonjë të mirë popullit apo vendit të tyre, por e bëjnë për privilegje dhe beneficione personale që u sjellë prezenca e tyre në tavolinë me palën serbe në Bruksel. Është momenti i fundit që të ndalet trendi i pazareve politike i pushtetarëve aktualë me sovranitetin dhe integritetin e vendit. Që kjo të ndodhë sa më shpejt, duhen protesta dhe demonstrime të fuqishme gjithëpopullore, për t'u dhënë fund politikave diskriminuese të udhëhequra nga partitë bizare shqiptare, që kanë vjedhur, shitur pasuritë e Kosovës, thyer dhe plagosur shpirtrat e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi. Kosova ka nevojë për ndryshime rrënjësore, përveç largimit të pushtetarëve aktualë, duhen ndryshime edhe brenda institucioneve shtetërore që janë nën thundrën e pushtetarëve aktualë. Vetëm me një guxim qytetar, organizim të përbashkët të partive opozitare me shoqërinë civile, intelektualë të pavarur, analistë dhe gazetarë të ndershëm, mund ta bëjmë Kosovën vend demokratik, pa hajdutë, pa milionerë uzurpatorë, pa politikanë kriminelë, pa gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, largimin e policëve shërbëtorë të pushtetarëve, e deri te pastrimi "kimik" i administratës publike të korruptuar. Duhet larguar sa më parë këtë klasë politike kriminale, të korruptuar, të shantazhuar dhe të pamoralshme,...duhet larguar sa më parë nga pushteti shkelësit e Kushtetutës, vjedhësit dhe plaçkitësit e shtetit, ata që shkelën mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. "Negociatorëve" kosovarë do t'u bjerë ndërmend t'i vënë kushte Serbisë vetëm atëherë kur kjo e fundit të zyrtarizojë ndarjen etnike në kancelaritë perëndimore. Ndoshta kjo do të vjen me një tendencë për larjen e mëkateve të shumta,...por do të jetë tepër vonë!