Po shoqëria, a e "dëshiron" reformën në drejtësi?!

Po shoqëria, a e
  • 28 June 2016 - 08:12

Kjo gjendje shoqërore ka ardhur si pasojë e korrupsionit, e kriminalizimit, e degjenerimit dhe e degradimit të sistemit politik dhe të atij të drejtësisë, të cilët e kanë paralizuar shoqërinë dhe e kanë prishur shtetin
 

Reforma në drejtësi është më se e nevojshme, sepse ajo i çliron shoqërinë, shtetin dhe moralitetin njerëzor nga vargonjtë e robërisë së politikës dhe të padrejtë- sisë; Reforma dhe sundimi i ligjit e shërojnë shoqërinë nga epidemia e kulturës negative së parasë së pisët, drogës dhe e vesit politik të pandëshkueshëm dhe të pakurueshëm akoma që e kanë infektuar edhe shoqërinë; Reforma e çliron shoqërinë nga injoranca,hajnia, tradhtia, ligësia, krimi dhe nga korrupsioni i tejskajshëm që e kanë kapur dhe e qeverisin sot shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Prandaj duhet ndërgjegjësuar thellë shoqëria shqiptare për rëndësinë e kësaj reforme dhe se ajo nuk duhet të qëndrojë indiferente ndaj saj, pasi indiferentizmi të lë përshtypjen sikur shoqëria pajtohet me këtë realitet të rëndë që vjen nga korrupsioni dhe nga antiligji politik.

Shkelje dhe spekulime me ligjin Pse u afrohemi dhe kërkojmë të arrijmë të mirat me kaq shumë mund, me kaq rraskapitje të panevojshme dhe me shumë vonesë si: mirëqenien, sigurinë, sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës dhe integrimin. Koha ecën dhe ajo as nuk na pret dhe as nuk pyet kur të jemi dakord dhe gati ne, dhe kur edhe këtë e dimë pse rrimë larg dhe indiferent dhe nuk ecim në kohë dhe me kohën. Pse p.sh. nuk e kryejmë reformën në drejtësi akoma kur dihet se aq shumë e rëndësishme dhe jetike janë për individin, shtetin dhe shoqërinë shqiptare ligji i mirë dhe sundimi e qeverisja e tij. Janë pjesë e shoqërisë shqiptare edhe moria tepër e madhe dhe e panevojshme e partive politike dhe shoqatat e ndryshme parazitare që grabisin paranë publike dhe bëjnë korrupsionin lidershipët apo kryetarët dhe paria e tyre si dhe manipulimin me kolektivitetin njerëzor që ata sundojnë; janë pjesë e popullit moria e madhe e politikanëve, pushtetarëve dhe të atyre që u është dhënë mundësia të jenë pjesë e pushteteve qendrore dhe lokale; janë moria e madhe e gjyqtarëve, prokurorëve dhe e administratës shtetërore, profesorë, tatimorë, doganierë, punonjës hipoteke dhe lloj-lloj komisionesh e komisionarësh, këshilltarësh e matrapazësh pushteti bashkë me kontrabandistët dhe sekserët pranë tyre që kanë abuzuar, vjedhur e përfituar nga posti dhe detyra shtetërore; janë një masë e konsiderueshme e popullsisë të cilët të detyruar nga varfëria, skamja, papunësia dhe mjerimi janë përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore e të drogës; janë shumë individë të cilët kanë korruptuar gjykatat dhe e kanë blerë padrejtësinë; janë një mori e madhe të rinjsh që kanë blerë diplomat e universitetit dhe që drejtojnë institucionet dhe kanë zënë postet në to; dhe pra këta të cilët janë jo pak dhe që e sundojnë, e manipulojnë e paralizojnë dhe e bllokojnë funksionimin e shtetit dhe të ligjit dhe a janë këta të interesuar për reformën në drejtësi kur dihet se kjo mori njerëzish e kanë shkelur dhe kanë spekuluar me ligjin, e kanë kapur dhe rrënuar shtetin e shoqërinë? Kjo gjendje shoqërore ka ardhur si pasojë e korrupsionit, e kriminalizimit, e degjenerimit dhe e degradimit të sistemit politik dhe të atij të drejtë- sisë të cilët e kanë paralizuar shoqërinë dhe e kanë prishur shtetin; të cilët pra nuk e duan zbatimin e ligjit dhe as reformën në drejtësi

Zhurma e madhe politike Dhe prej këtij soji politik dhe të këtillë shteti të ndërtuar e të sunduar prej tij është bërë i mundur edhe dëbimi, përjashtimi dhe largimi jashtë Shqipërisë për në ekzil në vendet e SHBA-së dhe të BE-së, të pjesës më të shëndetshme dhe të elitës më aktive, më potente intelektualisht, profesionalisht dhe të asaj më patriotike dhe më të pjekur moralisht dhe më të edukuar me botën demokratike të ligjeve, ndërsa ata si këta meritorë patriotë, profesionistë, intelektualësh të mirëfilltë që jetojnë në Shqipëri ata janë të izoluar, të frikë- suar dhe jashtë aktivizimit politik, shtetëror, pushtetar, akademik dhe prej të gjitha sferave të tjera shoqërore. Dhe në rast se këta meritorë të këtillë ose elita e vërtetë kombëtare dhe intelektuale janë pak ose kanë mbetur pak në Shqipëri, pasi janë larguar jashtë saj atëherë është gati e pamundur që ata të jenë e të zgjidhen në krye të punëve politike, ekonomike, shtetërore, juridike, akademike etj., dhe kjo përbën fatkeqësi të madhe për vendin. Kjo u duk edhe me rastin e fundit të zgjedhjeve në Shqipëri që si në Parlament në vitin 2013, ashtu dhe në pushtetin vendor në vitin 2015 u votuan dhe fituan individë me rekorde kriminale, pavarësisht se votuesi shqiptar i dinte dhe i njihte se kush ishin ata dhe pavarësisht thirrjes së diplomatëve perëndimorë drejtuar shoqërisë shqiptare dhe votuesit shqiptarë për t'i mos votuar ata. Duke sodituar zhurmën e madhe politike, publike e mediatike si dhe interesimin dhe këmbënguljen e jashtëzakonshme të faktorit politikodemokratik ndërkombëtar, të cilët i japin një rëndësi të jashtëzakonshme reformës në drejtësi duke shkuar deri aty sa atë ta quajnë aq të rëndësishme sa atë të rënies së komunizmit dhe si kushtin kryesor për fillimin e negociatave për anë- tarësimin e Shqipërisë në BE dhe krahasuar kjo me indiferentizmin dhe mosreagimin publik dhe civil ndaj kësaj kryereforme, e cila e reformon pastaj edhe shtetin shqiptar dhe i hap rrugën ndërtimit të shtetit modern demokratik e ligjor, si dhe integrimin e Shqipërisë për në BE, a nuk të shkon mëndja e të pyesësh se a është e gatshme dhe a e dëshiron shoqëria jonë reformën në drejtësi apo është pajtuar ajo me gjendjen skandaloze të sistemit të drejtësisë. Apo mos vallë do ta kryejë politika dhe shoqëria shqiptare reformën në drejtësi që e kërkon Evropa si kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndoshta atëherë kur BE-ja edhe mund të shpërbëhet?

(Kosova Sot)